Problemet e mëdha të turizmit tonë

Kur sapo është mbyllur sezoni turistik i këtij viti, shifrat zyrtare flasin për rritje vetëm 3.2% të turistëve të huaj në krahasim me 2009-n, për periudhën janar-gusht. Në një kohë kur numri i turistëve maqedonas po bie ndjeshëm nga viti në vit dhe kur agjencitë konfirmojnë se vetëm 15% e turistëve rikthehen për pushime, operatorët ngrenë shqetësimin: nuk po krijojmë turizëm të qëndrueshëm. Shpresa mbetet vetëm te kosovarët

Nga Laura Çela

Nëse në vitin 2008, Shqipëria pati shansin e mirë që përfitoi nga mosmarrëveshjet Greqi-Maqedoni, duke i rrëmbyer shtetit grek turistët e tij të përvitshëm maqedonas, në dy vitet në vazhdim, numri i tyre ulet me shpejtësi.
Mjafton ky fakt i thjeshtë për t’u shqetësuar nëse në Shqipëri po arrijmë apo jo të krijojmë turizëm të qëndrueshëm, që i bën turistët të kthehen sërish. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit, numri i shtetasve maqedonas që kanë hyrë gjatë qershor-gushtit të këtij viti është 115,000, rreth 30% më pak se një vit më parë. Nëse në këtë periudhë të vitit 2009, pesha e turistëve maqedonas ndaj totalit ishte 9.5%, këtë vit zbriti në 7%.
Por maqedonasit nuk janë të vetmit që nuk rikthehen më në Shqipëri për pushime. Sipas operatorëve turistikë që sjellin vizitorë të huaj në vend, vetëm 15% e turistëve të huaj kthehen sërish këtu, ndërsa pjesa tjetër zgjedh destinacione të tjera.
“Problemi kryesor që kemi aktualisht dhe që shqetëson turistët e huaj janë plehrat, që janë të shumta edhe në zonat turistike. Së paku pushteti qendror apo lokal të punojë që të largojë plehrat nga këto zona”, thotë Alma Balliu e “Destination Albania”.
Operatorët theksojnë se nuk mjaftojnë që të shtrohen dhe të rregullohen të gjitha rrugët që çojnë drejt zonave turistike, por duhet punuar shumë në drejtim të transportit, si dhe cilësisë së shërbimeve.
“Duhet shfrytëzuar fakti që në Shqipëri, vitet e fundit turistë të huaj po vijnë dhe në këtë aspekt ka sukses. Por duhet të merren masat që të ruhen zonat e virgjëra. Te ne turistët vijnë të tërhequr nga autenciteti dhe kurioziteti dhe kjo duhet mbrojtur me fanatizëm”, shprehet Genti Mato, i agjencisë turistike “Outdoor Albania”.
Në fakt, reduktimi i numrit të shtetasve maqedonas që vizitojnë Shqipërinë në qershor-gusht, si dhe kthimi për pushime i vetëm 15% të turistëve të huaj duhet të zgjojë vëmendjen dhe shqetësimin e organizmave përkatëse për krijimin e një turizmi të qëndrueshëm.
Sipas operatorëve, tendenca e përgjithshme është që Shqipëria të jetë pjesë e tureve njëditore, duke iu bërë një antireklamë shumë e madhe nga shtetasit fqinj.
“Sezoni turistik shqiptar sot është i kufizuar te shtetasit shqiptarë dhe kosovarë të orientuar nga plazhi, por lëvizjet integruese dhe zgjidhja e konflikteve rajonale në Ballkan do të sjellin ndikime të ndjeshme në tregun tonë të turizmit, që duhen shfrytëzuar”, thotë Ismail Beka, menaxher i projektit GTZ. Sipas tij, hapja e kufijve dhe lëvizja pa viza e shtetasve të Ballkanit do të zgjerojë shanset që të ketë ndryshime të dyfishta: pakësim të emigrantëve shqiptarë që do të kthehen dhe rritje të shqiptarëve që do të shkojnë jashtë.

Vëmendja
Sezoni turistik shqiptar sot është i kufizuar te shtetasit shqiptarë dhe kosovarë të orientuar nga plazhi, por lëvizjet integruese dhe zgjidhja e konflikteve rajonale në Ballkan do të sjellin ndikime të ndjeshme në tregun tonë të turizmit, që duhen shfrytëzuar

Të huajt, 2.5% më shumë se në 2009-n, rriten ndjeshëm kosovarët

Më shumë se 650 mijë të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë kulmit të sezonit turistik, qershor-gusht të këtij viti, sipas të dhënave, që Monitor ka siguruar direkt nga Policia Kufitare. Me një rritje thuajse të pandjeshme krahasuar me një vit më parë, vetëm 2.5%, vështirë se mund të mburremi se këtë vit hapëm një faqe të re për këtë sektor. Në total, për periudhën janar- gusht të këtij viti, kanë hyrë në vend 3.3 milionë persona, ku rreth 1,07 milionë janë të huaj. Për periudhën janar-gusht, numri i të huajve ishte 3.2% më i lartë se e njëjta periudhë e 2009-s. (Tabelat 1 dhe 2)
Turistët e huaj që na kanë preferuar më shumë këtë vit mbeten kosovarët, që në këtë sezon, sipas të dhënave, kanë shënuar rritje dominuese prej 40% krahasuar me qershor-gushtin e 2009-s. Përfundimi i rrugës Durrës-Kukës duket se po e kryen më së miri funksionin e saj, duke e shtuar fluksin e turistëve që mbërrijnë nga shteti kosovar. Ajo që bie në sy është pesha ende shumë e vogël që zënë hyrjet e shtetasve europianë në këtë periudhë, ku peshën më të madhe e zënë italianët me 52,000 persona.
Fakti konfirmohet edhe nga agjencitë turistike. Katër agjencitë kryesore konfirmuan për “Monitor” se këtë vit ka pasur rritje të lehtë të numrit të turistëve dhe në disa raste, edhe ulje.
Pjesa e turistëve të huaj është kryesisht nga Europa Perëndimore, vitet e fundit edhe nga Europa Qendrore dhe Lindore, Amerika e Veriut (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada) dhe Azia e Largët (Japoni, Kore).
Moshat që zgjedhin të vijnë më shumë në Shqipëri janë nga 40-60 vjeç, që kryesisht preferojnë turizmin kulturor dhe ture që arrijnë deri në pesë ditë. Nuk mungojnë raste të turistëve të rinj 25-35 vjeç, që kryesisht janë natyra eksploruese dhe kanë kuriozitet që të shikojnë një vend ende të panjohur siç është Shqipëria.

Turizmi, mbi 80% informal

Biznesi i turizmit ka një përqendrim afatshkurtër të personave, qershor-korrik-gusht në rreth 1,5 milionë, sa 45% e të gjithë turistëve që vijnë në Shqipëri. Po të shtojmë edhe pushimet e shqiptarëve po në këtë periudhë, në më shumë se 1 milion qytetarë shqiptarë që i drejtohen bregdetit shqiptar, kemi rreth 2.5 milionë pushues në zonat bregdetare, që po të përllogarisim një periudhë qëndrimi mesatare njëjavore do të duheshin 300,000 shtretër.
Qëndrimi në hotelet e zonave bregdetare zë më pak se 20% të netfjetjeve të turistëve shqiptarë. Të gjithë të tjerët qëndrojnë në dhoma të lëshuara me qira nga familjet private (ose në banesat vetjake), të cilat janë në kushte krejt të tjera krahasuar me njësitë e specializuara akomoduese.
Por më shqetësues është fakti se më shumë se 80% e të ardhurave që vijnë nga turizmi nuk derdhin taksa, pasi të gjithë pronarët e apartamenteve që i lëshojnë ato me qira, nuk paguajnë asnjë detyrim.

Problematikat, nga ujërat e zeza te shërbimi

Sipas operatorëve, shumë problematike është derdhja e ujërave të zeza, ku me përjashtime të vogla gjendja është kritike pothuajse në të gjithë zonat turistike dhe ato bregdetare. Me përjashtime të pakta (siç është Saranda apo pjesërisht Kavaja) ku është realizuar deri tani përpunimi i ujërave të zeza para se ato të derdhen në det ose liqene. Investimet në infrastrukturën e ujërave të zeza në shumë zona bregdetare janë në nivele të ndryshme. Po të shtojmë këtu edhe ndërhyrjet me fillimin e prishjes së lidhjeve të fshehta të ujërave të zeza që derdheshin direkt në det nga hotelet dhe restorantet në zonat e plazheve, e bën shumë më të rëndë gjendjen.
Raportet e Inspektorateve të Higjienës e të Mjedisit vazhdojnë të tregojnë për ndotje tej normave të lejuara për disa zona plazhesh në Shqipëri.
Ne nuk kemi vetëm sezonalitet në turizëm, por edhe sezonalitet në ndërhyrjet e shtetit në përmirësimin e situatës, kështu Inspektorati i Ndërtimeve ndërhyn për të prishur ndërtimet pa leje në Ksamil apo Hamallaj, pikërisht në prag sezoni turistik apo Inspektorati Mjedisor hap kanalet e ujërave të zeza të hoteleve në mes të turistëve.
Ndërkohë tema e plehrave është më e agravuara, pasi nuk ka probleme vetëm me grumbullimin dhe pastrimin, pra mbajtjen pastër të ambienteve të plazheve ose qendrave turistike, por mungon plotësisht sistemi i pastrimit në territorin e rrugëve nacionale, si dhe në të gjitha zonat rurale apo në sistemin e deponive dhe plehrat depozitohen në vende krejt të papërshtatshme, çrrënjosja e tyre në të ardhmen do të kërkojë kosto shumë më të lartë.
Shqetësim i madh mbetet edhe shërbimi, që sipas operatorëve është i shtrenjtë në raportin cilësi/çmim. Edhe njësitë e specializuara akomoduese kanë mungesë të theksuar cilësie, që nga ofrimi i thjeshtë i një shtrati për të fjetur, mungesa e larmisë së shërbimeve që ofrojnë, mungesa e një stafi të specializuar, që nis që nga menaxheri i hotelit dhe deri te kamerierët. Vetën në raste të pakta, në hotele që e kalojnë 70 euro/nata, cilësia e shërbimit arrin në nivele mesatare.

“BalkanAdria”: Si u dyfishuan turistët rusë

Sipas Elona Bano, të agjencisë “BalkanAdria”, që sjell në Shqipëri turistë polakë, rusë dhe ukrainas, këtë vit është rritur ndjeshëm numri i turistëve që kanë ardhur në krahasim me vitet e tjera.
“Shkaku kryesor që ka ndikuar në këtë fakt pozitiv është heqja e vizave për shtetasit rusë dhe ukrainas dhe pse me vonesë, vetëm në qershor të këtij viti, kur rusët apo ukrainasit zakonisht planifikojnë pushimet që në mars –prill. Ndërkohë Shqipëria ofron çmimet më të lira në rajon dhe nxitës është fakti që është konsideruar një vend i mbyllur dhe për të cilin ekzistojnë shumë legjenda trashëgimie të një regjimi të shkuar, por që nëse dihet si të vendosen në pah, mund të tërheqin më shumë turistë, p.sh: shitja në masë e suvenirëve të tipit bunker”, thotë Bano.
Sipas saj, turistët kërkojnë më shumë detin apo stacione turistike si Vlora dhe Saranda, por për shkak të afërsisë, më shumë detyrohen të zgjedhin Durrësin.
Grupmoshat janë zakonisht ose të rinj, nga 25-30 vjeç që janë të etur për të parë të gjithë Europën dhe u ka mbetur “ekzotikja Shqipëri”, ose mosha e thyer 55 vjeç e lart, e nisur nga një nostalgji e vjetër.
“Shumica fatkeqësisht nuk kthehen në Shqipëri dhe pse janë të kënaqur nga shërbimi dhe natyra (relievi), por shumë të pakënaqur nga infrastruktura”.
Por ka dhe një 15% që kthehet me shumë dashuri për më shumë ditë akomodimi, deri në 21 ditë.
“Tendenca e përgjithshme është që Shqipëria të jetë pjesë e tureve njëditore, duke iu bërë një antireklamë shumë e madhe nga shtetasit fqinj, por agjencia ‘Balkan Adria’ është e profilizuar në turistë mbi 7-ditorë, që përveç plazhit preferojnë dhe turizmin kulturor, pikërisht ekskursionet”, shprehet Elona Bano.

Problemet që shfaq vendi ynë janë:
1 – Mungesë infrastrukture publike – rrugë, papastërti, ndërtime pa kriter
2 – Mungesë stafi i përgatitur qoftë në agjenci, qoftë në hotele me gjuhën ruse: recepsionistë, kuzhinierë, agjentë turistikë
3 – Mungesa e njohjes së gjuhës ruse nga vendasit, përveç brezit të tretë
4 – Mungesa e informacionit në përgjithësi të Shqipërisë jashtë në shtete që vërtet janë lodhur nga Europa plakë dhe kërkojnë ekzotiken
5 – Mungesa e transportit publik mes qyteteve të organizuara në stacione autobusi, me orare të rregullta
6 – Mungesa e hekurudhës, për të huaj kjo është shumë e rëndësishme, pasi transporti më i madh aty bëhet me tren
7 – Moratoriumi i skafeve që përveçse shkel të drejtën themelore të shtetasve që të përdorin gjithë territorin e tyre, nuk lejon shfrytëzimin e zonave të mrekullueshme turistike buzë detit
8 – Mungesa e resorteve apo fshatrave turistike të mirëfilltë

ME VETE DERI NE FUND

OPINIONI

Flet Ismail Beka, menaxher i programit gjerman GTZ

Turizmi i pashfrytëzuar

Zhvillimet e 8-mujorit të parë të vitit 2010 tregojnë se ka pa diskutim arritje pozitive, kjo sepse ka pasur më shumë turistë në sezonin e verës, rritje e krijuar nga turistët e huaj. Rritje më të ndjeshme të turistëve kosovarë me rreth 40% në periudhën qershor-gusht 2010. Hyrja në funksion të plotë qysh para fillimit të sezonit turistik e autostradës Kukës-Durrës, si dhe një infrastrukturë rrugore në zonat turistike bregdetare shumë më e përmirësuar, me përjashtim të segmenteve të caktuara Fier-Vlorë, rruga e Golemit etj. dha efektet e saj pozitive.
Ka një mobilizim më të mirë të institucioneve qeveritare, përfshirë inspektimet e vazhdueshme në zonat turistike në sezonin veror, por edhe një angazhim më i mirë i bashkive e komunave në këto zona me të gjitha shërbimet e tyre, ndikuan në përballimin e një fluksi të tillë turistësh.
Media shqiptare ka luajtur rol shumë konstruktiv për sensibilizimin e problematikës, duke prezantuar në mënyrë reale situatën në zonat turistike, përfshirë edhe mesazhe promocionale.
Meqenëse dhe fokusi është të diskutojmë për nevojën për të përmirësuar do të ndaleshim më shumë në problematikën, me të cilën ndeshen turistët dhe banorët e këtyre zonave dhe që cenojnë jo vetëm imazhin, por edhe standardet e shërbimit të turizmit.
Cilët janë turistët që vijnë në Shqipëri dhe kush është interesi ynë i zhvillimeve të ardhshme? A janë turistët perëndimorë të arritshëm?
Pa diskutim që po, por duhet investuar me një vizion më afatgjatë dhe me përpjekje të përbashkëta.
Turizmi malor, shumë i brishtë për t’u zhvilluar, krahas turizmit të plazhit dhe atij kulturor, është segmenti, që aktualisht ka dhënë shenjat e tij pozitive të zhvillimit. Nëpërmjet turizmit sigurojnë të ardhura për një jetë më të mirë të banorëve që jetojnë atje.
Shembull pozitiv është ai i Thethit, ku komuniteti lokal (deri tani 20 familje) i ka shndërruar banesat e tyre karakteristike në “Guesthaus” dhe presin çdo vit një numër të madh turistësh. Vitin e kaluar këtë vend e vizituan më shumë se 7,500 turistë, ndërsa këtë vit edhe më shumë. Domethënës është fakti që këtu edhe struktura e turistëve është ajo e synuara, pasi 80-90% e turistëve janë të huaj, nga të gjitha vendet europiane e ato të kontinenteve të tjera.
Shqipëria nuk ka vetëm një Theth, Valbona ka njohur gjithashtu zhvillime pozitive me të njëjtin lloj turizmi. Përveç Alpeve Shqiptare, janë Lura, Korabi, Puka, Stebleva, Voskopoja, Dardha, Vithkuqi, Prespa edhe mjaft fshatra apo krahina të tjera, që pa diskutim duhet të jenë pjesë e hartës turistike ndërkombëtare e për to duhet treguar vëmendje më e madhe.
Qeveria i ka përqendruar investimet e saj të infrastrukturës në zonat me përparësi bregdetare, ndërkohë që Thethi vazhdon të mos ketë furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike apo rrugë, si dhe të qëndrojë akoma për rreth gjashtë muaj i bllokuar nga arritja me makina, pasi nuk ka një sistem që pastron rrugët në vazhdimësi. Të njëjtat probleme kanë edhe zonat e tjera malore.
Siguria për sa i përket dhënies së ndihmës së shpejtë shëndetësore, për rastet e aksidenteve në male, është faktor kyç për të garantuar një zhvillim të këtij turizmi. Por shumë më e rëndësishme se sa infrastruktura është zhvillimi i produkteve turistike dhe marketingu i tyre në tregjet e turizmit ndërkombëtar.
Një natyrë e turizmit rural (agroturizmi) në përgjithësi është gjithashtu një drejtim shumë i rëndësishëm që mund të zhvillohet me kujdes në shumë rajone të tjera të vendit, veçanërisht aty ku edhe ka mbetur origjinaliteti i fshatrave, për sa i përket banesave të vjetra, origjinalitetit të prodhimeve specifike e të artizanatit, që ju garanton.
Në vend, baza e rezervimit dhe promovimit janë kontaktet individuale. Ndërkohë institucioni i turizmit në nivel kombëtar ka një administratë të kufizuar dhe të pakualifikuar) dhe ka mungesë planifikimi në bazën e strukturës së turistëve që vizitojnë vendin ku dominon marrja me qira e ambienteve.
Pak është bërë në drejtim të strukturimit të hapësirave, ku mund të vendosen kampingje për të rinjtë dhe për kamperat e huaja në zonat turistike, që është gjithashtu një degë e zhvilluar brenda sektorit të turizmit.
Eficienca e energjisë dhe përdorimi i energjisë diellore në turizëm është një tjetër sfidë e madhe e biznesit shqiptar si dhe një plan afatgjatë i qeverisë shqiptare për të realizuar direktivat europiane për të kursyer 20% energjinë, deri në vitin 2025.

Fushë krejt e pazhvilluar. Turizmi i marinës, sportet e ujit

Në vend të një sporti masiv të ujit dominojnë motorët e ujit, që shpeshherë bëhen të rrezikshëm për jetën e turistëve. Ka ardhur koha që të rivlerësohet heqja e kufizimit për skafet e ujit. Kontrolli më i mirë i kufirit duhet të sigurohet me mënyra të tjera dhe jo me vazhdimin e mëtejshëm të këtij kufizimi.
Ministria e Turizmit, krahas një koordinimi në nivel qeveritar për ndërhyrjet në sektorin e turizmit, duhet të përqendrohet te standardet turistike, për promovimin turistik, botimet, guidat, standardet në planifikimet e zonave turistike dhe për ndërtimet, certifikimin e hoteleve, kalendarin e aktiviteteve, panairet ndërkombëtare e kombëtare. Vëmendje i duhet kushtuar nivelit të cilësisë së shërbimit në parqet turistike dhe në muzetë që janë pjesë e këtij institucioni; informacionit turistik; politikave të zhvillimit të sektorit, harmonizimit me sektorin privat; rritjes së standardeve në turizëm.
Përkatësia partiake e kryebashkiakëve ndikon ndjeshëm edhe në politizimin e problematikës së turizmit nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë.
Pronat mbeten çështja më e rëndësishme, pa zgjidhjen e së cilës është e pamundur që të kemi zhvillim të mirëfilltë të sektorit të turizmit. Një problem i madh është mosplanifikimi urban turistik, që shoqërohet me kantiere ndërtimi në çdo kohë dhe në çdo vend ditë e natë mbi shkëmb dhe një “babëzi” e madhe për të zënë çdo cep të tokës.
Një privatizim i shpejtuar i projekteve të komplekseve, fshatrave turistike që u shndërruan në vila e banesa individuale banimi, me siguri që përbën një shembull të keq se si mund të veprohet me pronën publike në zonat bregdetare. Në vend të një presioni në rritje për të marrë sa më shumë para dhe për të arkëtuar sa më shumë të ardhura u bënë shitje me çmime shtetërore.

Mungesë informacioni turistik
- Mungon një hartë turistike e mirëfilltë për t’u orientuar
- Ka konkurrencë të pamjaftueshme të rajoneve turistike shqiptare me paketa promocionale në panaire ndërkombëtare.
-Përpjekjet e para të bashkive për të krijuar zyrat e informacionit turistik, por në mungesë të resurseve financiare, janë dhënë në kompani marketingu private.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.