Vazhdon të kurojë historinë e saj me Erionin, djalin për të cilin ndjeu që në momentet e para të showt. Me shumë zell, përkushtim, respekt e padiskutim pasion, edhe pse sipas saj ndjenja është e fundit në renditje kur bëhet fjalë për një raport të suksesshëm.

Dhe në fakt, çfarë reflektoi me tepër karakteri i saj këmbëngulës ishte pikërisht forca për të vazhduar këtë ‘luftë’ dashurie. Për të ishte e tillë, të paktën në fillim të historisë së tyre.

Tashmë duket se çdo gjë është konsoliduar, e kjo padyshim është meritë e Bertinës, e insistimit të saj aspak agresiv, por të rafinuar, disi ironik, tipike për një vajzë inteligjente nga Delvina.

Të përshkruash Bertinën nuk mjaftojnë vetëm epitetet e pafundme që i bashkëngjiten imazhit të saj, tërheqjes dhe bukurisë natyrale që përcjell. Përpos kësaj, Bertina është një vajzë këmbëngulëse, e sigurt në vetvete, e vendosur dhe e patrembur të luftojë për atë që dëshiron me tërë forcën e saj.

Të mendosh numrin e madh të fansave që e përkrahën nga ky reality show besohet se pse ishte i tillë. Për të gjitha këto arsye ajo u mbështet nga shumë prej tyre për kurajën që tregoi.

E me sa duket dalja e Erionit nga Big Brother ka qetësuar gjithçka. Tashmë Bertinës i kanë ‘rënë nervat’, sepse koha po bën të sajën. Historia e tyre vazhdon përmes njohjes, disa zënkave të vogla që janë më se normale, kokëfortësisë së përbashkët, si dhe egoizmit për një jetëgjatësi në ndjenjën e tyre.

I kanë marrë gjërat ngadalë, sepse nuk duan të nguten. Por thellë thellë, ëndrra e kaçurrelëses është pranë tij dhe pse heziton ta pranojë.

Në një të ardhme të largët atëherë kur çdo gjë merr një tjetër kuptim.

INTERVISTA

Bertina kur dole nga BB më the që kishe disa gjëra për të sqaruar me Erionin. Çfarë sqarove?

Në të vërtetë kisha menduar që do të kisha shumë gjëra që do sqaroja me të për shkak të disa sjelljeve apo më saktë veprimeve të tij gjatë qëndrimit në BB. Por dua të them që qëndrimi i tij që në momentet e para që doli më befasoi krejt. Ishte si të thuash një Erion tjetër, shumë më i kujdesshëm, shumë i dashur dhe pasionant.

Sjellja e tij, madje që natën e parë që doli nuk më la shumë vend për të sqaruar. Ditët në vijim treguan se nuk kishte më vend për dyshime dhe për sqarime apo debate të kota e të pavlera.

E kuptova që ishte një lidhje që ia vlente të vazhdohej dhe këtë vura re edhe tek Erioni.

Emrin e Oltës e përmende ndonjë herë?

Jo. Madje as nga Erioni. Olta mbeti thjesht personazh i lojës.

Kur je ndier më shumë e dashuruar. Në cilin moment se nuk e ke thënë asnjëherë?

Unë nuk jam nga ata persona që dashurojnë lehtë. Në përgjithësi dashuria ime duhet të jetë me arsye pastaj me ndjenjat e saj të natyrshme. Dashuria nis me respektin, me përkushtimin dhe përfundon me ndjenjën

Funksionon gjithmonë kjo formulë?

Shumë herë s’e kam provuar. Tek mua deri tani po.

Ti je akoma me Erionin tek respekti, përkushtimi apo ndjenja?

Është ndryshe ta njohësh një person në një reality show dhe ndryshe ta njohësh në jetën reale.

Ekziston një diference e madhe. Megjithatë tre muaj që jemi jashtë nuk është e mjaftueshme për t’i vënë një emër të plotë. Do e përshkruaj me dy fjalë: “…dhe historia vazhdon”.

Ti e quan veten që je bashkë me Erionin?

Të jesh i lidhur do të thotë t’i falësh gjithçka, kështu që vetëkuptohet. Mund të duket pak si e komplikuar por lidhja jonë është një lidhje normale si te të gjitha çiftet.

Por gjithë këto pyetje lindin se lidhja jone u krijua brenda një realiteti tjetër e jo normal. Dhe kjo e bën më të çuditshme sepse është në vëmendjen e gjithkujt.

I ke njohur prindërit e Erionit?

Nuk mendoj se është koha e duhur. Di shumë për ta dhe ata dinë shumë për mua, por mendoj se nuk është e nevojshme për ta bërë. Si “me” si “pa” nuk do ndryshonte asgjë në ndjenjat e mia.

Po me mamanë çfarë bisede ke bërë për të?

Me tepër kam folur me vëllanë dhe asaj i kanë vajtur mesazhe nëpërmjet tij.

Duke respektuar natyrën e ndrojtur të mamasë sime ia kemi lënë kohës.

Më thuaj një defekt të Erionit?

Është pak egoist. Dhe nervi i tij “5 minutësh” edhe pse i vjen rrallë.

E ke menduar bashkëjetesën?

Të them të drejtën në njëfarë mënyre jemi duke bashkëjetuar.

Veprojmë bashkërisht e sidomos për marrjen e vendimeve, bisedojmë e kalojmë shumë kohë bashkë. Qoftë edhe të veshjeve. Vetëm rrobat tona nuk i kemi në një shtëpi. Unë shkoj herët në punë ndërsa ai e organizon paraditen ndryshe.

Cili është momenti më i bukur që ke kaluar me të deri tani?

Ka pasur shumë. Por një moment i veçantë dhe i lezetshëm ka qenë kur ka kërkuar falje me një tufë me lule.

Pastaj ka shumë fundjava për t’u mbajtur mend, në Vlorë, në Velipojë, në Maqedoni etj.

Ëndërron të bëhesh nuse?

Kjo më duket një gjë normale, që duhet të vijë si finalizimi i një lidhje të bukur. Të krijosh familje është një gjë krejt e veçantë. Pasi të kisha bërë atë të mësipërmen, padyshim të kisha personin e duhur në krah dhe frytet e dashurisë.

Të kishe Erionin në krah?

Partnerin e duhur.

Çfarë të bezdis tani që je bërë shumë e njohur?

Mungesa e intimitetit, prania e paparacëve. Kur shkon për një moment për relaks e sheh sa e vështirë është të relaksohesh vërtet.

Ka momente që bëhesh xheloze?

Nuk kam patur deri tani hapësira për t’u bërë xheloze. Të fitosh besim është një gjë e madhe. Dhe mendoj që kjo kërkon disi kohë dhe pjekuri në lidhje.

Domethënë ti nuk ke akoma besim?

Unë nuk them asnjëherë përderisa gjërat e mia nuk janë në dorë, nuk mund ta them dot. E besoj shprehjen “kurrë nuk thuhet kurrë”. E rëndësishme është të jetosh atë çfarë ke dhe çfarë të serviret.

Ziheni ndonjëherë me njërit tjetrin?

Është më se normale. Sepse dhe zënkat kanë ëmbëlsinë e tyre në një lidhje. Kundërshtimi është shtysë e ecurisë.

Cili janë shkaqet për zënkat mes jush?

Zihemi sepse unë vonohem ndonjëherë dhe Erioni pret poshtë me makinë. Zihemi edhe kur hapet ndonjë temë e Big brother për të cilën nuk jemi dakord, sidomos kur më kujtohet naiviteti i tij ndaj gjithë personave të pasinqertë

Si e sheh veten tënde në një të nesërme?

Ëndrra ime ka qenë të bëhem një inxhiniere e suksesshme dhe mbetet në këtë profesion. Qëllimi im në vazhdim është të bëj një master në inxhinieri jashtë vendit.

Po Erionin?

Do doja ta shihja si psikolog e jo si gazetar.

Çfarë bëtë këtë verë?

Padyshim det. Nuk mund të kuptohet vera pa detin. Do të donim të bënim dhe një udhëtim jashtë.

Unë shkova edhe disa ditë në Greqi tek motra ime

Do ta çosh në Delvinë Erionin?

Delvina ka një natyrë shumë të bukur, gjelbërim, qetësi që i pëlqejnë Erionit. Pse jo.