Thethi, magjia e natyrës dhe mikpritjes malësore

Të shkruash për Thethin në pranverë, do të thotë t’u bësh lexuesve një dhuratë të çmuar në formën e sugjerimit, për të kujtuar të vizitojnë në këtë stinë, një krahinë të mrekullueshme ku bora nuk shkrin kurrë, ku mund të bëjnë ski në mars, e ku mund të sodisin panorama malesh hijerënda me kreshtat e mbushura me dëborë deri në fillim të verës e më tej

Nga Flora Xhemani

Për shkak se kjo revistë u bë më shumë se dy vjet që ju servir Shqipërinë turistike në formën e një reportazhi, njerëzit janë bërë më të vëmendshëm ndaj saj dhe ndaj rubrikave që ajo boton. Madje shumica e lexuesve sugjerojnë me këmbëngulje krahina, qytete ose destinacione, për të cilat jo të gjithë dinë, dhe të gjithë duan të mësojnë.  Kështu ndodhi edhe me Roza Rupën, thethjanen që e do vendin e saj aq shumë sa jo vetëm që nuk e braktis, por e mbush me vizitorë nga e gjithë bota, sidomos europianoqendrorë, të cilët çuditërisht adhurojnë malet e Thethit, në vend që të pëlqejnë malet e vendit të tyre, që i kanë me shumicë.
Dimrit, gjatë bisedave të gjata me Rozën, i kishim premtuar që do t’u flisnim lexuesve edhe për Thethin, por në një stinë tjetër, atëherë kur në Theth pranvera nis e vjen me gjelbërim marramendës e ku e gjelbra e gjetheve nuk i ngjan asnjë vendi tjetër, prej ajrit të shëndetshëm e të pastër të maleve. Atëherë kur Lumi i Shalës ekzaltohet prej dëborës së shkrirë që vrapon nga shpatet e maleve e mbush kanionet e thella me forma të papërsëritshme.
Do të vinim në Theth kur të vijnë dhe vizitorët e parë, që gjallërojnë lëndinat dhe shtigjet e bukura të Thethit e i mbushin ato me jetë. Do të vinim aty, pikërisht në pranverë, atëherë kur natyra e Thethit bëhet më e bukur se kurrë e ku megjithatë, dimri ka mbetur akoma maleve, sepse nuk ka dëshirë të ikë nga shtëpia e tij e përjetshme.
Roza Lain me siguri e ka vizituar Thethin në pranverë, kur shkroi librin e saj “Majat e Shalës”. Ndoshta edhe Edith Durham, takimin e saj të parë me Thethin mund ta ketë patur në pranverë, përderisa ka shkruar në një mënyrë aq të ndjerë në librin e saj “Dhimbja e Ballkanit”. Edhe ne nuk kishim si të bënim përjashtim nga magjepsja.

Te mikpritja malësore
Të gjithë malësorët janë mikpritës e ta falin shtëpinë, nën shprehjen e famshme “Shtëpia, para se me qenë e shqiptarit, asht e Zotit dhe e Mikut”. Në Theth kjo shprehje është ulur këmbëkryq. Ju të gjithë ndoshta keni përmendur vetë apo dëgjuar nga të tjerët emrin e Pavlin Polisë thjesht si “Paulini i Big Brother-it”. Por po ta takoni në Theth, do të shikoni një malësor të vërtetë, që ndihet zot i vendit të tij, që shijon tokën amë, që gëzon frytet e vendit dhe të punës së vet. Pavlini iu bashkua më vonë nismës për ta kthyer shtëpinë e tij në një bujtinë.
Këtë gjë më përpara e kishin bërë bashkëkrahinësit  e tij Fran Molla, Pal Rupa, Mëhilli e Valbona Çarku, Lulash Kometa, Gjon Frashnishta e pas tyre shumë të tjerë.  Sot emrat e këtyre malësorëve i përkasin secili një shtëpie pritëse. Ata mezi e pranuan idenë që “t’ia shesin mikut shtëpinë me pare”. Por kur e panë që kjo ishte një kënaqësi e dyanshme pasi “paret” e mikut përmirësonin jo vetëm kushtet e jetesës por edhe kushtet me të cilat pritej “miku tjetër” që vinte më pas, atëherë u bindën. Por nuk pranojnë kurrsesi ta quajnë “klient” apo “vizitor”. Ai është miku apo miqtë që “kan ardhë me bujt”, në bujtinë. Ani se për këtë diçka duhet të paguajnë.
Por miqtë e thethjanëve janë të gjithë të lumtur. Ata e quajnë fare qesharake që me 20-30 euro në ditë, të flenë në një dhomë me oxhak pranë zjarrit, të shijojnë mëngjesin e mrekullueshëm jashtë në oborr apo edhe pranë zjarrit, vaktet e tjera me mish të pjekur, fruta të freskëta të stinës, perimet e kopshtit, “mazën e zime”, mjaltin e luleve të panumërta të Thethit, dhe gjithçka tjetër që ofron me bujari natyra dhe banorët.
Mungesa e civilizimit, e infrastrukturës rrugore, i sikletos vendasit, se mendojnë që kjo krijon një pengesë të madhe për rritjen e numrit të miqve që duan të vijnë në Theth. Por të huajt  tremben më shumë nga një civilizim i ardhshëm, sepse mendojnë se ai do ta shkatërrojë Thethin. Ata preferojnë që ai të mbetet kështu siç është. Ai është i bukur sepse është i vrazhdë, i sertë e plot kreshta. Megjithatë, ata (të huajt), sidomos zviceranët e gjermanët, që kanë bërë shumë për Thethin, i kanë hapur shtigjet e tyre për ta eksploruar mirë Thethin.
Kanë krijuar harta me koordinata GPS, kanë shkruar tabela të drunjta shumë të intonuara me natyrën nëpër kryqëzime shtigjesh për të orientuar vizitorët, dhe kanë shkruar aty-këtu edhe emrat e monumenteve të natyrës me interes për t’u vizituar.
Mikesha jonë Roza, ka shkuar edhe më përtej. Shtëpia e saj e pritjes Rupa Guest House, është kthyer tashmë edhe në një zyrë informacioni, ku mund të merret informacion dhe mundësi akomodimi për pothuaj të gjitha Alpet e Shqipërisë. Nuk bëni keq që para se të planifikoni një udhëtim për në Theth, të komunikoni me Rozën. Ajo do t’jua gjejë se s’bën një shtëpi të lirë që mund t’ju presë. Se, e dini?  Tani është vështirë të gjesh një shtëpi pritëse të lirë në Theth, sapo hyn pranvera, e deri në vjeshtë.
Edhe ne sigurisht, kontaktuam me Rozën para se të niseshim. Por kuptohet, për ne ishte pak më e lehtë të gjenim një shtëpi “me bujt”. Sepse për këtë herë, ne ishim miq të veçantë, që do të luanim rolin e jehonës nga mali në mal, për të përcjellë bukuritë e Thethit.
Herën tjetër, do të shkojmë si miq të zakonshëm. Por jemi të bindur që doza e bujarisë dhe e mikpritjes së thethjanëve, do të  jetë e njëjtë. Sepse nëse ke shkuar t’u nderosh shtëpinë, nuk ka rëndësi motivi, për qejf, apo për turizëm. Ata do t’ju presin gjithmonë si mikun e shtëpisë.
Prandaj nuk duhet kurrsesi ta lini pa e jetuar këtë përvojë të paharrueshme…..

Parku Kombëtar i Thethit
Thethi është një ndër vendet më të veçanta në Alpet e Shqipërisë, i vendosur në pjesën veriore të komunës Shalë, të rrethit të Shkodrës, pozicionohet 700-950 metra mbi nivelin e detit dhe është zonë e banueshme vazhdimisht. Më 1937 hapi agjencinë e parë turistike. Në vitin 1956 u krijua lëvizja e parë alpine në vendin tonë. Më 1966 u krijua mikro centrali i parë afërsisht 45kw/h dhe më 1967 u krijua një stabiliment sharrash për përpunimin e drurit. Në vitin 1956 u hap qendra e turizmit në ndërtesën e hotelit të vetëm, kryesisht për pushuesit dhe alpinistët. Në vitin 1976 Thethi u shpall Park Kombëtar me 2630 ha.

Pozicioni gjeografik
Thethi është i pozicionuar në krye të fushës së Shalës dhe në kufi me Shkodrën.
Natyra i ka falur një panoramë të bukur, mahnitëse dhe qetësuese, që preferohet shumë në ditët tona. Krahina e Thethit është e mbuluar nga një dëborë e përhershme që të krijon imazhin e një vaske 6 km të gjatë dhe 1 km të gjerë. Niveli më i ulët është 700m mbi nivelin e detit. Në veri, gri dhe e zhveshur, ndodhet maja e Arapit 2217.2 m mbi nivelin e detit, shumë e preferuar nga alpinistët për shkallën e vështirësisë e krahasuar me nivelin ndërkombëtar. Në lindje ju patjetër duhet të shikoni ashpërsinë e mrekullueshme të natyrës ku shtrihet Jezerca, 2692m mbi nivelin e detit. Ndodhen edhe disa maja të tjera si, maja e Alisë 2471 m, maja e Pullakës 2569 m, dhe prej këtej ju mund të ngjiteni në majën e Boshit 2471 m, që ndodhet mbi majën e Drerit.
Prej këtej ju mund të shikoni lartësinë e maleve të Hekurave 2559. 4 m dhe 2125.5 m. Malet në Theth janë të pozicionuara njëri mbas tjetrit si vagonë të bardhë të mbuluar me dëborë në forma të ndryshme dhe fenomene të rralla. Mali në anën perëndimore të majës së Arapit është maja e Rrushbullit 2431 m që zbret tek maja e Zorgjit 1663.8 m, është dhe maja e Bigos së Gjimajve 2230 m. Nga maja e Radohimës mund të shihen Bjeshkët e Namuna dhe pothuajse komplet Alpet, dhe lartësinë e maleve qendrore në këtë zonë. Ky det malesh që rrethon Thethin i jep bukuri Alpesh europiane.
Ky bashkim përbëhet nga shkëmbinjtë, maja e Drenit dhe rrëpirat e Zorgjit. Në këtë ngushticë është krijuar kanioni i madh i Grunasit me një formacion të mrekullueshëm gëlqerorësh. Është 2 km e gjatë me një pjerrësi 76.1 m, 30-60 m e thellë dhe 2-3 m e gjerë. Në anë të këtyre shkëmbinjve ndodhen varri i Zorgjit,varri Qyqe Ret, varr që është në Theth, fusha e Pepës së vjetër dhe “Vrima e Ujit” tek qafa e Peas, varri i Arapit dhe varri i Rrathëve që ka devijime të mëdha dhe interesante si liqene të nëndheshme, galeri dhe sifone stalaktite dhe stalagmite.

Atraksionet kulturore
Atraksionet e Thethit fillojnë me veshjet tradicionale, kishat, dhe shtëpitë karakteristike ku jetojnë vendasit. Veshjet tradicionale janë xhubletat për gra me rrip si dhe xhamadanët për meshkuj. Gratë përdorin shamitë e kokës tradicionale, shoqërueset e nuses për dorin shamia me të kuqe dhe ngjyra të shndritshme, dhe të tjerat me shami të zezë të lidhur në grykë. Burrat përdorin kapelën tradicionale që e thërrasin kësulë. Shtëpitë karakteristike janë ndërtuar nga gurë dhe çatitë e tyre janë të pjerrëta për shkak të dëborës. Ato janë 2 deri në 3 katëshe, të ndërtuara në pjerrtësi ose afër malit.. Për këto shtëpi janë karakteristike shkallët, në pjesën e jashtme të shtëpive, që të çojnë në katin e dytë sepse kati i parë zakonisht përdoret për kafshët. Në katin e dytë është dhoma e mysafirëve dhe e anëtarëve të tjerë të familjes.
Kjo është ajo çka shtëpia e Lulash Keqit sjell në mënyrë perfekte. Kulla me tre kate, çati me dru, me dritare shumë të vogla sa për te hyrë ajri, nuk ka shkallë, vetëm një derë, kjo anë e kullës përdorej vetëm nga një njeri i fisit për të qenë të mbrojtur kur ata kishin konflikte me një ose më shumë fise. Atje jetonte vetëm një burrë e asaj pjese të fisit që kishte gjakmarrje. Ata jetonin aty derisa një më i vjetër i fisit ndërhynte për të zgjidhur konfliktin. Burri që jetonte në kullë dhe që merrej me ushqyerjen dhe drejtimin e grave nuk lejohej të bënte pjesë në hakmarrje.
Më 1892 duke u bazuar në dokumente, Thethi ka njohur famulltarin e parë. Personi i parë i kishës se Thethit ka qenë një Italian që quhej Findez P. Gabrielda Danga, që vdiq dhe u dogj brenda ne kishë. Banorët kishin një kambanë që ndodhej nëntokë. Për këtë kambanë u fol gjeneratë pas gjenerate.
Një tjetër karakteristikë janë rrugët e ndara për njerëz dhe kafshë. Ato janë të rrethuara nga gurë ose gardhe. Rruga e re automobilistike është hapur dhe ndryshuar.

Aktivitete dhe sporte
Peshkimi dhe noti
Ka shumë zona përgjatë lumit të Shalës ku mund të ushtrohet sporti i peshkimit. Një nga vendet më të përshtatshme që mund të shfrytëzohet mrekullisht për not, është vendi poshtë Urës së Gertës. Gjithashtu edhe në Ndërlysë mund të zini peshk të mirë. Ju mund ta shfrytëzoni lumin e Shalës edhe për not. Po kështu mund të përdorni pellgjet poshtë ujëvarave, ku është shumë bukur

Sportet e ajrit
Në Theth njerëzit mund të hidhen me parashutë, deltaplan dhe pajisje të tjera të sporteve të ajrit.

Kanoe/kajak
Ky sport mund të ushtrohet mjaft mirë gjatë pranverës dhe vjeshtës, kur lumenjtë e Thethit janë të mbushur e të rrëmbyer për shkak të dëborës dhe shirave. Edhe rrjedha e lumit ju ndihmon shumë.
Janë disa vende të përshtatshme për vendosjen e teleferikëve, sidomos për në dimër kur majat e kreshtave janë të mbuluara me dëborë dhe njëkohësisht mund të shijohet dhe gjelbërimi i pishave.

Ture çiklistike
Ture të ndryshme çiklistike malore mund të zhvillohen nga Kopliku në Theth dhe nga Thethi në Shkodër, përmes lumenjve të Shalës dhe të Kirit. Kthimi për në Shkodër do të jetë një nga turet më të bukura të Europës përgjatë rrugëve të paasfaltuara. Janë rreth 100 km rrugë të tilla që kalojnë përmes panoramave më mahnitëse të Shqipërisë, duke bërë të ëndërrojë çdo çiklist të pasionuar pas këtij sporti. Për fat të keq këto lloj biçikletash duhet të importohen nga jashtë ose nga pika të caktuara shitjeje në Tiranë sepse në zonën e Thethit nuk ka akoma të tilla për t’u marrë me qera.

Shëtitjet
Shëtitje të mrekullueshme mund të bëhen në çdo zonë të Thethit por është mirë që gjithnjë të jeni të shoqëruar nga një guidë vendase, që për një ose disa ditë t’ju tregojë kishën e zonës, varrezat, hidrocentralin e vogël, dy monumentet natyrore (kullat prej guri) dhe ujëvarën apo urën e Gertës që është mbi 30 m përmbi lumin e Shalës. Një shëtitje impresionuese është kalimi nga Peja përgjatë malit të Jezercës. Ju mund ta bëni këtë ekskursion duke ecur për 10 orë, ju mund të shpenzoni një pjesë të natës në baxho por duke kaluar në Pejë. Duke shëtitur në Malin Radovil, i cili është më panoramiku nga I cili mund të shihni Bjeshkët e Namuna, Alpet e gjëra dhe Korabin. Një tjetër shëtitje është në qafëmalin e Valbonës e cila është rreth 5-6 orë dhe prej andej ju mund të shihni lumen e Valbonës dhe Dragobinë.

Sportet dimërore
Turizmi i dimrit në Alpet Shqiptare është një aventurë e vërtetë. Në Theth, në dimër bora zakonisht arrin në mbi 2 m. Vendasit përdorin zakonisht pajisje të veçanta të quajtura “rrathë”. Me këta rrathë ju mund të shëtisni nga Boga në Theth dhe më pas nga Thethi ju mund të vazhdoni në Valbonë dhe të ktheheni përsëri në Bogë. Gjithashtu kjo rrugë mund të përshkohet me ski.

Kapacitetet aktuale të zhvillimit të turizmit
Thethi përbën edhe një model të veçantë si një destinacion turistik që vitet e fundit ka filluar të njohe rritje të ndjeshme. Natyrisht është krejt e pamundur të evidentosh numrin e saktë të turistëve, por banorët e Thethit dhe veçanërisht familjet pritëse referojnë për më shumë se 4000 turistë që qëndrojnë për një ose më shumë net qoftë në familje, qoftë  me çadra individuale. Ajo që është e veçantë për Thethin është fakti që në këtë rajon dominojnë turistë të rinj nga të gjitha vendet e Europës, e deri në USA. E veçanta e dytë është fakti që nëse në Shqipëri n çdo 100 turistë 90 janë me shqiptarë, (nga Kosova, Maqedonia apo emigracioni), në Theth në çdo 10 turistë 9 janë të huaj.
Thethi ka arritur të bëhet një projekt model, si rezultat i një bashkëpunimi të mrekullueshëm të realizuar me komunitetin lokal dhe me të gjithë partnerët shqiptarë e të huaj që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e turizmit në Theth. Ne shpresojmë që së shpejti projekti do të zgjerohet në Kelmend dhe Valbonë me të njëjtat parime dhe do të mundësojmë që në verën e vitit 2008 zonat më të rëndësishme të Alpeve shqiptare të ofrojnë një standard shumë më të mirë për pritjen e turistëve.
Janë kërkuar 27 shtigje për shëtitje turistike në këmbë, janë marrë pikat me GPS dy autore zviceranë kanë shkruar një guidë të turizmit malor të veriut të Shqipërisë, e cila pritet të botohet në Gjermani.
Informacioni për projektin e turizmit  në Theth po shtohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet artikujve të botuar nga autorë shqiptare e të huaj, guidave të ndryshme turistike të huaja si dhe në disa faqe interneti në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Promovimi më i rëndësishëm i është bërë Thethit gjatë vitit të kaluar nga mediat shqiptare, në vizita të organizuara si dhe nga mjaft ambasadorë e personalitete të tjera që e vizitojnë dhe rekomandojnë Thethin tek qytetarët e tyre.

Si mund të bëhen akoma më tërheqëse këto zona, nëpërmjet marketingut të nevojshëm?
Zgjerimi i produkteve turistike me turizmin dimëror si dhe atij lumor. Zona ka potencial të lartë shfrytëzimi gjatë të katër stinëve me një shumëllojshmëri aktivitetesh të kufizuara vetëm nga fantazia.  Vlen të përmendim udhëtimin në muajin prill me raketa dëbore për në Lugjet e Bogës, si edhe zbritjen e parë të seksionit të sipërm të lumit Shala nga një grup ndërkombëtar kajakistësh.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.