Eneda Tarifa: “Lidhja ime 15-vjeçare me Erjonin”

Eneda Tarifa

“Lidhja ime 15-vjeçare me Erjonin”

Si po kalon kjo verë?

E qetë, e kënaqur, dhe me impenjime e verës. Kam koncerte, spektakle por dua të theksoj e “qetë” sepse mbaroi një sezon i rëndësishëm  pune dhe me të vërtetë dua të shijoj edhe pak pushime derisa të vijë përsëri një periudhë shumë e ngarkuar dhe me shumë punë, por edhe shumë e bukur në të njëjtën kohë.

Çfarë ka më të veçantë se vitet e tjera?

Tani pushimet e mia janë të lidhura ngushtësisht me jetën në çift, kjo do të thotë që impenjimet janë jo më të një vajzë që qëndron tek prindërit por të një vajze që ka marrë përgjegjësira përsipër. Pas përfundimit të sezonit të “Portokallisë” kam më tepër nevojë për pushime, ndërkohe që vitet e kaluara gjatë sezonit të verës bëja më shumë koncerte dhe aktivitete. Ishte një kohë që kalonte me udhëtime, lëvizje nga njëri vend në tjetrin, pra jo pak e lodhshme. Këtë verë kam nevojë për më tepër qetësi dhe i kam reduktuar pak koncertet, madje gjatë gushtit do të bëj disa ditë pushimesh totale.

Sa e ke “lezetuar” suksesin e Portokallisë?

Nuk e  kisha pritur. Nuk dija që do të ishte sukses, në fillim e dija që do të punoja fort dhe do të bëja të pamundurën. Por prezantimi në ekran është ndryshe nga një këngë për suksesin e të cilës ndoshta e ke kuptuar që kur është realizuar. Ekrani është më i rrezikshëm kur prezanton.

E kishe menduar ndonjëherë të bëje prezantuesen?

Po e kam menduar dhe më ka pëlqyer shumë, edhe pse nuk e kam ushqyer shumë. Kam patur eksperienca në prezantim por jo të kësaj përmase. Kam prezantuar “Javën e modës” para disa vitesh, “Polifestin” në Kosovë dhe disa të diela rresht po në Prishtinë “Telebingon” atje. Por asnjë të kësaj përmase dhe popullariteti si “Portokallia”.

Të shijon akoma suksesi apo e konsideron të mirëqenë?

Nuk besoj se një artist do të “ngopet” ndonjëherë me suksesin. Ky do të ishte fundi i një artisti.

Të dha më shumë kënaqësi çmimi i parë në “Top Festin” e vitit të kaluar apo prezantimi i “Portokallisë”?

Nuk i dalloj dot. Janë dy gjëra krejt të ndryshme, sepse nëse në “Topfest” unë kurorëzova punën e gjithë këtyre viteve, në Portokalli nisa një rrugë po kaq të bukur e të rëndësishme

E të krijonte siklet ideja që do të krahasoheshe në prezantim me Amin?

Është e vërtetë, të krijon një fare sikleti ideja që publiku do të të krahasojë dhe kjo është e paevitueshme, sidomos në rastin e Amit që kishte disa vite që prezantonte dhe publiku ishte mësuar me figurën e saj dhe të Agron Llakajt, i cili është një artist i vërtetë. Megjithatë kushdo që të ishte në vendin tim do të ndihej i krahasuar. Por jemi të ndryshëm dhe secili nga ne përpiqet të krijojë profilin e vet artistik që rrjedh edhe nga personaliteti i veçantë i secilit.

Të njohin më shumë njerëzit e rrugës nga Portokallia apo nga kënga?

Varet nga ekuilibri që do të krijojnë këto të dyja. Për momentin ende më thonë “ ajo këngëtarja”, biles kanë krijuar edhe një togfjalësh të ri “ajo këngëtarja e Portokallisë”. Të dyja ndihmojnë njëra tjetrën. Duhet të them që pjesëmarrja në një program kaq popullor të jep një impakt te publiku shumë më të shpejtë që në rastin e këngës duhet vite.

Çfarë mendon se e bën një prezantuese të pëlqehet nga publiku?

Në radhë të parë afërsia që krijon me ta, ndoshta duke u paraqitur me thjeshtësi. Të jete vetvetja dhe të mos shtiret aspak. Publiku  e kupton kur shtiresh.

Tani në kulmin e suksesit, familjarët të thonë “duhet të martohesh! Çfarë pret?”

(Qesh). Ma kanë thënë më herët. Tani janë lodhur dhe nuk ma përmendin më. Pavarësisht se presin që të bëjë një ceremoni martese.

Dhe në fakt çfarë pret?

Nuk e di as vetë. Janë kohë të vështira për t’u martuar, (qesh), kemi shumë punë dhe nuk po gjejmë kohë të bëjmë martesën (qesh). E di ti atë shprehjen që thotë “mukajeti të lë pa martuar”.

Përveç “mukajetit” mendon se nuk jeni “pjekur” akoma për t’u martuar?

“De fakto” jemi të martuar. Për mua bashkëjetesë apo martesë nuk ka ndryshe. Është vetëm një ceremoni ose një dokument që në jetën tonë të përditshme nuk është se do të na e ndryshonte.

Nuk u bë “monotoni” bashkëjetesa me Erjonin?

Në të vërtetë jo sepse nuk kemi shumë që bashkëjetojmë edhe pse kemi 15 vjet që jemi të lidhur bashkë. Tani jam duke e shijuar dhe nuk po e ndiej “monotoninë”. Pastaj duke qenë artiste te dy jemi edhe tipa “kreativë”.

Është bukur të kesh të dashurin edhe bashkëpunëtorin më të ngushtë në profesion?

Jo thonë të tjerët, (qesh). Por e kam gjetur gjuhën shumë mirë në këtë pikë me Erjonin. Vitet tona janë prova më e mirë për të kundërshtuar ata që e mendojnë ndryshe.

Po një të keqe ka kjo gjë?

Po edhe ka. Sepse ekziston një lloj individualiteti artistik dhe karakterial. E kjo na vendos si në një lloj gare. Ja për shembull, për vijën melodike të një kënge debatojmë shumë derisa arrijmë të marrim kitarën në dorë dhe kënduar variantin e secilit. Aty e zgjidhim. Po ashtu për tekstet e këngëve. Këtu jam unë ajo që fitoj gjithmonë (qesh).

Me gjithë impenjimet që keni se cili, sa jetë familjare bëni?

E diela është një ditë shumë e mirë për ty dy. Nuk lëmë asnjë impenjim tjetër dhe e kalojmë bashkë. Gjatë javës mëngjesi dhe darka janë momentet kur takohemi edhe pse dëgjohemi shumë shpesh në telefon.

I lini pusulla njëri tjetrit?

Rrallë, por edhe ndodh kur bëhet fjalë për ndonjë porosi ushqimi si për shembull “sallatën e frutave e ke në frigorifer” ose “supën e ke në furrë; ngrohe në mikrovalë”, (qesh).

Në shtëpi cila është ndihma më e madhe që të jep Erioni?

Tani që po më bën këtë pyetje më kujtohet një shprehje që ma ka thënë një mikeshe e moshuar; “burri në shtëpi është si qimja në gjuhe” (qesh). Por kur dua të bëj ndonjë punë shtëpie e kam më të lehtë me Erjonin në shtëpi sesa të jem vetëm, sepse më mban me muhabet.

Di të gatuash?

Po. Shumë. Di të skuq vezët shumë mirë dhe të bëj makaronat që dua s’dua i ha edhe unë, (qesh).

Cila ishte vërejtja që të bënte Erioni si prezantuese?

Prisja që të më bënte vërejtje duke ditur sesa kërkues është ai ndaj meje. Por më befasoi që në puntatën e parë më tha “Bravo”. Ndoshta nuk e priste.

Kur e ke ndjerë veten në një moment të vështirë gjatë prezantimit të “Portokallisë”?

Ka qenë një moment i vështirë kur duhej të këndonim himnin e romëve. Ishte “kori” i aktorëve dhe dikush ngatërroi një varg dhe të gjithë u ngatërruam dhe këndonim, duke u përpjekur për të sajuar ndonjë fjalë derisa erdhi momenti i refrenit që aty e kapëm veten. Ishte një moment i sikletshëm por që u kthye në gazmor, sepse kemi qeshur pas spektaklit rreth gjysmë ore duke kujtuar fytyrat tona.

Cila ishte gjëja që i ndruheshe më shumë?

Ndonjë hutimi të mundshëm që të lë në skenë pa zgjidhje, aq më tepër që kisha të bëja me aktorë profesionistë dhe me eksperiencë, sidomos në fushën e humorit.

Përveç këngës dhe prezantimit çfarë tjetër mendon se do të bëjë mirë?

Nuk e di. Kam përshtypjen se njeriu heziton në fillim për të bërë diçka, por pastaj kur i është dhënë si mundësi ia del nëse i përkushtohet çfarëdo që të jete ajo.

Sa këmbëngulëse je?

Mjaftueshëm sa për të arritur atë që dua.

Sipas teje ku qëndron kufiri midis këmbënguljes dhe kokëfortësisë?

Kokëfortësia është një këmbëngulje e tepruar duke ditur që ka më shumë mundësi të mos arrish diçka dhe këtë e tejkalon këmbënguljen. Por nuk mund të them që kokëfortësia është e keqe sepse ndonjëherë edhe ajo të nxjerr faqebardhë. Një kokëforte di të përballojë shumë sfida.

Po midis xhelozisë dhe posesivitetit?

Nëse xhelozia deri diku është e shëndetshme për lidhjen, posesiviteti është në krah krejtësisht të kundërt duke e bërë lidhjen të padurueshme dhe jo jetëgjatë.

Nëse duhet të shkruaje një Cv për të kërkuar punë cili do të ishte tipari kryesor i karakterit tënd që do ta vendosje në fillim?

Përshtatem lehtë dhe di të dëgjoj.

Sa “lodhesh” për të mbajtur veten në formë?

Të them të drejtën tani kam filluar të lodhem më shumë sepse nuk kam patur problem me peshën. Kam filluar ta bëj palestrën pjesë të pandashme të ditës sime, edhe si një formë antistresi. Ndërsa për ushqimet e ruaj veten. Mundohem të ha bio, dhe me kalori të kontrolluar. Kam hequr dorë nga sanduçiet prej kohesh, por tani edhe nga picat. Edhe pse e nxjerr mallin me një copë të vogël, por jo nga pjata ime.

Po bëhet si modë që këngëtare të famshme shqiptare të bëjnë fëmijë gjatë bashkëjetesës. Ti do ta bëje?

Pse jo. Nuk ka asgjë të keqe. Rëndësi ka sesa e shëndetshme është lidhja dhe si përballohet rritja e këtij fëmije.

Nëse do të ndodhte aksidentalisht të mbeteshe shtatzënë çdo të  bëje?

Nuk do ndodhi dhe për disa kohë, (qesh). Shpresoj që të mos ndodhi gjatë sezonit të ardhshëm të “Portokallisë”.

Do të na tregosh kur do të martoheni?

Kur ta marr vesh dhe unë, juve të “Shqipit” do t’ua tregoj të parëve.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.