Samanta Karavello – “Jam e dashuruar por nuk e bëj publike”

Edhe pse vetëm 20-vjeçe këngëtarja ka njohur e shijuar suksesin e këngëve të saj duke u shndërruar në një figurë shumë të pëlqyer për publikun. Por ka njohur edhe zhgënjime siç ishte mosarritja në finalen e TopFestit. Samanta na tregon se është e dashuruar, por nuk dëshiron të jap asnjë detaj mbi të dashurin dhe lidhjen e saj

Pas suksesit me këngët ritmike një verë më parë, këngëtarja simpatike Samanta Karavello po përgatitet sërish për të tërhequr vëmendjen e fansave të saj me një hit. Është në fazën e përzgjedhjes së këngës, ndërsa mendon që publiku e pëlqen ritmin, ndaj nuk ka arsye për t’iu ndarë… Sidomos kur mendon plazhin, rërën, detin me muzikën në sfond! Këngëtarja 20 vjeçare në fakt është e lumtur për çfarë ka arritur në rrugën e saj muzikore. Edhe pse këngët e saj nuk janë vlerësuar gjithmonë me çmime, siç ndodhi me këngën e fundit “Provoje edhe njëherë”, që nuk arriti të hynte në finalen e Top Fest, ato i kanë dhënë një vlerësim edhe më të madh. Janë bërë hite të padiskutueshme! E ky është suksesi më i madh për një artist. Samanta përveç risive muzikore dhe shfaqjes në rryma të ndryshme, ka rënë në sy nga kënga në këngë edhe për transformimet në look! Sipas saj kjo është një pjesë shumë e rëndësishme në paraqitjen e artistit. Gjithashtu, në këtë intervistë për revistën “Shqip” ajo rrëfen gjithë spekullimet që janë bërë për prishjen e marrëdhënies së saj me kantautorin Big Basta, apo edhe lidhjen e saj me një “manaxher”, dhe shton se në jetën e saj është dikush!

 

Samanta, këtë edicion të tetë të Top Fest u prezantuat me këngën “Provoje edhe njëherë”. Nuk arritët të ishit pjesë e finales së këtij festivali, por sa jeni kënaqur vetë nga kjo këngë?

Ishte hera e katërt që prezantohesha në Top Fest dhe gjithmonë kur jam prezantuar në këtë festival kam sjellë këngë të rrymave të ndryshme nga një këngë tek tjetra. Gjithmonë jam përpjekur të jap maksimumin tim nga një dalje në tjetrën, si nga ana vokale, ashtu edhe për stilin e këngës apo performancën në skenë.

E në fakt ju keni qenë ajo që keni çelur Top Fest-in dhe jeni paraqitur me një look krejt ekstravagant…

Po në fakt e nisa pak me një look ndryshe e që kështu vazhdoi edhe në gjysmëfinale por që shkonte paralel me stilin e këngës, si soul-pop apo më mirë le të themi stil ‘funk-i’ dhe mendova që me këtë këngë të vija me një stil ndryshe në festivalin Top Fest , ku solla këngën “Provoje edhe njëherë” të realizuar nga Big Basta.  Kënga arriti deri në fazën gjysmë finale, ashtu sikurse pati të njëjtin fat edhe kënga “Femër Fatale”, pa mundur të arrinte në finale. Sigurisht që dëshira ime ishte që të ishte pjesë e finales, përveç faktit që në numër ishte hera e katërt që unë merrja pjesë në këtë festival…

Një artiste besnike e festivalit apo jo…?

Nuk ka një çmim për besnikërinë (qesh)! Bëj shaka. Normalisht unë jam një këngëtare që e kam nisur karrierën në moshë shumë të vogël dhe tashmë quhem një këngëtare profesioniste pavarësisht se jam vetëm 20 vjeçare, por kam qenë pjesëmarrëse në shumë festivale dhe aktivitete ‘live’ apo ‘playback’. Normalisht e ndjeva që në gjysmëfinale që nuk do të isha pjesë e finales së ‘Top Fest’ dhe atë ditë nuk u ndjeva mirë, sepse për hir të së vërtetës ishte pak rëndim, përveç faktit që më përpara kisha bërë disa këngë me nivel shumë të lartë dhe kjo këngë gjithashtu ishte e veçantë, dhe më rrëzoi disa shkallë më poshtë, ky fakt! Por që unë vazhdoj të punoj!

Samanta mendon se kënga jote e meritonte të ishte pjesë e finales?

Nuk mund të them se është një zhgënjim shumë i madh, që do të më pengojë për të vazhduar rrugën time të artit, pasi kam rrugë të tjera përpara. Por që sigurisht u mërzita nga ky festival, pasi nuk është hera e parë që konkurroj dhe gjithmonë kam arrdhur ndryshe në të, qoftë që nga kënga e parë që unë u bëra pjesë e Top Fest, “Të dua”, kënga e dytë nga Pirro Çako, që edhe pse nuk arriti të hynte në finale u kthye në një hit

Çka do të thotë që nuk do të merrni më pjesë?

Jo unë asnjë herë nuk e kam menduar këtë. Aq më tepër që vitet e fundit ai ka marrë një format të ri atë të kënduarit ‘live’, gjë që e bën atë një festival ndryshe nga të tjerët dhe më profesional pasi nuk mund të konkurrojë çdokush përveç atyre që dinë të këndojnë ‘live’! Kjo ka qenë edhe arsye e vetme që unë këndova një vit më parë e sërish këtë vit në këtë festival, por pavarësisht se unë jam zhgënjyer nga mosvlerësimi. Dhe nuk di të them se çfarë ndikon për të marrë pjesë në finale, sepse kam pasur këngë shumë të bukura që janë kthyer në hite dhe prapë nuk kanë qenë pjesë e finales! Ndoshta ka të bëjë shumë edhe emri që ka krijuar këngëtari…

Në fakt Samanta “gojët e liga” thonë se ka qenë pikërisht prishja e marrëdhënies suaj me Big Bastën që rrezikoi mosmarrjen pjesë në finale?

Jo kjo nuk është aspak e vërtetë. Është shumë qesharake dhe mu duk shumë absurde si shkrim, thjesht është iniciuar prej faktit që miqësia ime me Big Bastën nuk vazhdon, por që nuk është aspak e vërtetë që unë nuk jam në finale prej atyre fjalëve që janë thënë, që ishin shumë të ulëta në fakt. Qesharake në kuptimin e plotë të fjalës. Në momentin që unë e kam marrë vesh kam qeshur.

Arsyet e prishjes së marrëdhënies suaj kanë qenë paratë?

Jo aspak! Është pjesa profesionale që ka ndikuar në prishjen e miqësisë tonë, ka të bëjë me këngët por nuk ka aspak lidhje me pagesat, pasi kjo është gjë shumë e zgjidhshme!

Ka pasur një kontratë me shkrim mes ju të dyve?

Jo aspak!  Nuk ka një kontratë, nuk ekziston diçka e tillë.

Me Big Bastën nuk komunikoni fare aktualisht?

Nuk mbajmë më kontaktet që kemi pasur më përpara!

Po pas shkrimit nuk keni komunikuar me njëri-tjetrin?

Jo absolutisht. Di vetëm që nuk është bërë shkrimi prej atij, pasi s’ka sesi të bëhej kur nuk është një gjë e vërtetë, por që ende nuk e kam zbuluar arsyen pse e kanë bërë këtë shkrim. Ndoshta ka njerëz që nuk duan të më shohin aty ku duhet të jem dhe bëjnë gjëra të tilla!

A mendon se do të ndikojë në karrierën tuaj muzikore kjo ngjarje?

Unë them më pak fjalë e më shumë punë! Sigurisht që nuk u ndjeva shumë mirë, por që jeta vazhdon dhe këto gjëra mua më bëjnë edhe më të fortë, pasi pas kësaj jam bërë edhe më e fortë dhe më ka hipur një dëshirë dhe etje e madhë për të punuar!

Aktualisht po punon për një këngë të re?

Po, po punoj paralelisht për disa këngë të reja. Janë disa autorë me të cilët jam në kontakt por unë do të përzgjedh një prej tyre. Të shoh se cila prej tyre do të jetë më ritmike dhe do të më pëlqejë më shumë dhe atë dua ta zgjedh për ta bërë klipi vere, në mënyrë që të më ngrejë edhe më shumë sesa kam qenë (qesh)!

Cilët janë emrat e kompozitorëve që po punoni këtë herë?

Unë jam e lirë të punoj me  këdo, por për arsye profesionale nuk mund t’i tregoj emrat e tyre!

Aktualisht jeni edhe me provime. Ju ka ndikuar për mirë apo për keq në muzikë shkolla?

Unë jam munduar ta menaxhoj mirë kohën, kam pasur edhe kohë për shkollën edhe për punën, pavarësisht se oraret e shkollës i kam pasur pak të ndryshuara këtë vit dhe më kanë ndikuar tek ngushtimi i aktiviteteve. Gjithsesi jam munduar pa sakrifikuar në fakt t’i bëj mirë të dyja, pavarësisht se shkolla më ha shumë kohë!

Ju kufizon për koncertet brenda Shqipërisë apo jashtë?

Jashtë jo, pasi këndoj fundjavave, ndërsa për aktivitetet që janë brenda Shqipërisë në ditët e javës kam pasur kufizime! Për momentin me shkollën jam në një sezon provimesh. Më pret diploma këtë vit, uroj që të dal mirë!

Mendon të vazhdosh një master pas diplomës, apo njëherë do bësh pak pushim dhe t’i përkushtohesh edhe më shumë muzikës?

Mendoj ta bëj një master, por ai nuk do të jetë në gjuhën spanjolle! Ende nuk e kam të qartë në kokën time se çfarë do të jetë por do të jetë diçka tjetër, sigurisht!

Përsa i përket jetës personale, Samanta, ju jeni komentuar gjithashtu për një lidhje me menaxherin tuaj?

Diskutohej në fakt për një person që është menaxher, gjë që nuk është aspak e vërtetë. As menaxheri nuk ekziston dhe as një lidhje me të jo e jo… Unë e kam pranuar që kam një lidhje dhe nuk më shqetëson ky fakt ta them apo ta fsheh, por ama kaq. Samanta ka një lidhje si çdo vajzë e moshës sime dhe kaq!

A ka lidhje me muzikën i dashuri juaj?

Jo nuk ka lidhje. Është një person që nuk ka dëshirë të bëhet publik dhe kaq.

Po menaxher keni, apo as ai nuk ekziston?

Unë nuk kam asnjë menaxher. Unë vetëmenaxhohem (qesh).

Mendon se do të ishte shumë e nevojshme për një artist një menaxher?

Unë mendoj se të paktën në Shqipëri nuk ka një njeri që di sesi të të menaxhojë, domethënë përgjithësisht të pasurit një menaxher ka më shumë shpenzim sesa fitim, të paktën siç ndodh në Shqipëri. Sepse jam informuar për kontratat që bëhen jashtë, por që ato kanë  përfitime shumë të mëdha, kanë turne, gjë që këtu është shumë e vështirë të realizohet. Domethënë menaxheri të menaxhon nga koka tek këmbët dhe çdo gjë që ka lidhje me ty, ndërsa në Shqipëri të vetëquajturit menaxherë shpenzojnë vetëm për PR-in që të bëjnë, për të cilin nuk ke nevojë se njerëzit ose të njohin dhe pëlqejnë ose jo!

Samanta vitin e fundit keni eksploruar dhe ndryshuar shumë me look-un. Ka ndikuar në më shumë punë për ju kjo gjë?

Kam përshtypjen që po. Look-u është një pjesë e rëndësishme për një artist dhe unë si e tillë duhet të vijë me ndryshime për të tërhequr audiencën edhe me pjesën e ndryshimeve të look-ut. Besoj se ka ndryshuar për mirë tek unë ndryshimi i look-ut e njëkohësisht që kam qenë edhe më shumë këtë vit në kontakt me publikun, kam sjellë këngë të reja, nuk kam munguar në skenë.

Verën që po vjen e pret më intensive në punë apo më shumë pushime se një vit më parë?

Më intensive në punë (qesh). Duke qenë se vjet e mbylla vitin me tre këngë të reja, këtë vit e nisa me këngën “Provoje dhe njëherë” dhe kam në plan të nxjerr edhe një tjetër këngë verore që mendoj se do jem edhe më shumë prezente në punë dhe koncerte.

Festivalet e fundvitit janë në planet tuaja?

Në dimër në fakt kam në plan dhe kam shumë dëshirë të realizoj një këngë tjetër, ndoshta baladë, duke qenë se i preferoj dhe mjaft dhe i kam më përzemër. Pavarësisht se njerëzit e pëlqejnë shumë ritmin dhe përqafojnë më lehtë këngët ritmike!

 

 

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.