Kaltrina Selimi: “Kam shumë dëshirë të bëhem nuse”

Në një intervistë për revistën ‘Shqip’ këngëtarja kosovare flet për planet dhe ëndrrat e këtij fillim viti. Me sa duket ajo që do ndryshojë gjërat për Kaltrinën, këngëtaren e çiltër dhe të ëmbël, është statusi i ri që do të marrë. Fejesa me Dritonin, të dashurin e saj është edhe surpriza që vjen për fansat kudo. Me dëshirën për t’u bërë nuse ajo rrëfehet sinqerisht mbi veten dhe të dashurin e saj

Nga Fjolla Sinani

Këngëtarja e njohur nga Kosova Kaltrina Selimi ka përmbyllur me sukses vitin 2009. Disa këngë të realizuara, videoklipe apo emocione të marra si nga publiku shqiptar edhe ai kosovar. Çmime në festivale dhe kurorëzimin e lidhjes së saj me të dashurin Dritonin.. Ajo njihet si vajzë shumë miqësore, modeste dhe e dashur për të gjithë.. dhe këtë pozitivitet mundohet ta reflektojë kudo. Sukseset dhe famën thotë se e ka nga publiku…  Në vazhdim tregon për jetën e saj private angazhimet në muzikë dhe planet për të ardhmen…

Kënga juaj në festivalin “Kënga Magjike” është shpërblyer si balada më e mirë. Si u ndiet ju me këtë rast dhe a u ndatë e kënaqur me çmimin?

Po është e vërtetë se kënga ime e fundit ditëlindja, u shpërblye nga juria e festivalit si balada më e mirë e këtij festivali, dhe normalisht që u kënaqa shumë me çmimin që më dha juria e festivalit.

Si u pritët nga publiku shqiptar?

Unë këngën e kam prezantuar në javën e IV tek e ‘Diela shqiptare’, dhe kur u riktheva në pallatin e kongreseve

për natën gjysmëfinale të këngës magjike, u prita jashtëzakonisht mirë nga publiku shqiptar dhe e vura re se kënga kishte depërtuar thellë në zemrat e publikut dhe ky fakt më ka bërë shumë të lumtur.

Me kë keni bashkëpunuar në realizimin e kësaj kënge?

Këngën e ka kompozuar, orkestruar dhe tekstin e ka bërë kompozitori dhe bashkëpunëtori im shumë i mirë Florian Mumajesi. Mendoj se ka qenë një këngë e realizuar mjaft mirë dhe për këtë gjë e falënderoj shumë.

Kënga ka një tekst mjaft prekës. I dedikohet dikujt në veçanti?

(qesh) Është e vërtetë se ka një tekst shumë prekës dhe të thurur shumë mirë. Por, për këtë gjë nëse i dedikohet dikujt në veçanti më mirë ta pyesni Florian i cili ka shkruar tekstin e këngës. Mendoj se tek ai është përgjigjja..

Cila do të jetë kënga e radhës?

Në fakt nuk kam akoma një këngë të re por, patjetër deri para sezonit veror do të kem patjetër një këngë edhe një klip të ri.

A duhet doemos që një këngë të ketë videoklip që të jete e suksesshme?

Jo. Nuk mendoj doemos që një këngë të jete e suksesshme duhet të ketë videoklip. Normalisht videoklipi është një ndihmesë apo shtysë që ta drejtoj këngën drejt një suksesi apo një reklamimi më të madh të këngës, dhe në ditët e sotme është në modë që këngët vizualizohen. Por kur kënga është e bukur ajo mbetet e bukur edhe pa videoklip.

Keni menduar për ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtar nga Shqipëria?

Nëse e keni fjalën për duet, jo se kam menduar edhe pse kam pas ftesa të shumta për bashkëpunim në duet, por unë s’kam qenë e gatshme për një gjë të tillë. Por kjo nuk do të thotë që në një të ardhme të afërt nuk do ketë ndonjë bashkëpunim.

Muzika do të jetë profesioni yt, apo thjesht pasion?

Deri më tani edhe deri kur të më dojë publiku do të jetë profesioni im dhe në të njëjtën kohë është edhe pasioni im më i madh.

Prej kujt e keni mbështetjen më të madhe?

Mbështetjen më të madhe e kam nga familja ime e cila më ndihmon shumë e në veçanti nga vëllai im i cili është edhe menaxheri im dhe gjendet çdo hap me mua. E gjithsesi edhe publikun që e kam mbështetjen dhe motivin kryesor për ta vazhduar këngën.

Sa e rëndësishme është dashuria në jetën tënde?

Dashuria si në jetën e çdo njeriu ashtu edhe timen është një gjë shumë e madhe për mua, pa të jeta ime do ishte e mangët. Jam shume e lumtur që e kam gjetur…

Na tregoni si ka qenë takimi i parë me Dritonin?

E mbaj mend shumë mirë. Takimi ndodhi në Ulqin deri sa unë isha për pushimet verore. Vazhduan takimet, deri me 4 shtator kur me rastin e ditëlindjes si dhuratë mora unazën e fejesës.

Cila është gjëja që iu tërhoqi tek ai?

Ka pasur shumë gjëra por më shumë besoj se më ka tërhequr inteligjenca dhe çiltërsia e tij.

Keni planifikuar dasmën? Dhe si e imagjinoni atë?

Kam shumë dëshirë të bëhem nuse (qesh) por dasmën akoma se kemi planifikuar. Të paktën nuk kemi caktuar ndonjë datë kur do të bëhet. Të them të drejtën nuk dua ta imagjinoj, dua ta përjetoj atë kur të vijë dita. Dua ta shijoj atëherë kur të bëhem nuse dhe pjesë e asaj ngjarjeje të shenjtë.

Sa rëndësi i kushtoni pamjes tuaj?

Si çdo femër edhe unë i kushtoj mjaft rëndësi pamjes sime. Mendoj se është obligim që një femër të ketë kujdes për pamjen e saj.

Po veshjes?

Edhe veshja zë një vend mjaft të rëndësishëm në sirtarin tim. Unë si person publik medoemos duhet të kem kujdes të veçantë si për pamjen për veshjen dhe gjëra të tjera…

Cila është gjëja që vlerëson më shumë tek vetja?

Mendoj se Durimin. Është gjëja që e vlerësoj më shumë.

Çfarë iu nervozon?

Padrejtësia. Padyshim është një gjë që më bën të ndihem keq qoftë kur më ndodh mua apo dikujt tjetër që e njoh.

Karakterizoheni si tip shumë miqësor. Të ka zhgënjyer ndonjëherë miqësia?

Në fakt ashtu më thonë rrethi dhe shoqëria ime jam shumë miqësore. Por fatkeqësisht më ka ndodh të zhgënjehem…

Keni ndonjë ëndërr të parealizuar?

Njeriu tërë jetën e tij sa të jetojë ëndërron për gjëra të ndryshme, është e pamundur të plotësohen të gjitha ato. Por e rëndësishme është që dëshirat më të mëdha me janë plotësuar.

Si e kaloni kohën e lirë?

Kohën e lirë kur nuk kam ndonjë angazhim rreth muzikës e kaloj: me Familjen time, shoqërinë, lexoj diçka dhe në mbrëmje shoh ndonjë film.

Me çfarë po merreni aktualisht?

Aktualisht, jam duke pushuar pak pas gjithë asaj pune njëvjeçare, këto ditë do jem në Londër tek i fejuari për pushime, dhe pastaj më pret puna përsëri ku do të realizoj disa projekte të reja.

Cilat janë planet më të afërta për sa i përket muzikës?

Patjetër do të jem duke realizuar një këngë të re bashkë me videoklip. Do të kem edhe surpriza të reja që do të vijnë për publikun por që nuk po i zbuloj tani.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.