Artistë me famë ndërkombëtare, por dhe shumë muzikë e spektakël rinor në Tiranë, si për të provokuar raporte të reja mes artit elitar dhe atij konsumist. Nga shkrimtari nobelist Orhan Pamuk që erdhi të promovonte librin e tij, tek piktorët Lin Delija e Omar Kaleshi. Nga java e modës shqiptare deri tek kurorëzimi i Top Fest-it dhe çmimet e tij. Premiera të reja në teatër dhe emocionet në rrugët e kryeqytetit, ku manifestuan maturantët dhe sfiluan automobilët e vjetër. Ngjarje që lanë mbresa dhe nxitën emocion tek kryeqytetasit, protagonistë të vërtetë të fenomeneve artistike dhe kulturore.

Tirana në javën e modës
Tirana tashmë po kthehet edhe në një qytet të modës. Sfilatat nuk janë më luks, por traditë. Prezantimet e koleksioneve të firmave të ndryshme shohin gjithnjë e më shumë si imazh në pasarelë, jo vetëm modele, por edhe figura të njohura të skenës, ekranit, artit e kulturës. Koleksionet vijnë jo vetëm nga atelie të njohura jashtë vendit, por edhe nga stilistë shqiptarë, që përcjellin fantazi e origjinalitet në veshjet e modës, për një konsumator gjithnjë e më shumë në kërkim të tendencës. Fashion Week është eventi më i madh në botën e modës shqiptare. Ai zgjati për gjashtë ditë dhe gjatë çdo mbrëmjeje, secili nga stilistët pjesëmarrës, prezantoi koleksionin e tij personal.

Nderohet piktori Lin Delija
Një dekorim pas vdekjes, por edhe një ekspozitë me vepra të papublikuara më parë në Shqipëri. Për Lin Delijan, piktorin shqiptar të lindur në Shkodër në 1926, të vendosur në Itali në vitin 1955, ku edhe ndërroi jetë në 1994-n, ekspozita e çelur në Tiranë, por edhe dhënia e urdhrit “Nderi i Kombit” që Presidenti Bamir Topi i akordoi me këtë rast, është paksa një kthim në shtëpi për veprat, por edhe për piktorin vetë. Pas çeljes në Antrodoco, qytetin ku jetoi, të muzeut “Lin Delija – Carlo Cesi”, hapja e kësaj ekspozite në tokën shqiptare përfaqëson një etapë të rëndësishme në vlerësimin e veprave të piktorit shqiptar.

Top Fest kurorëzon Eneida Tarifën
Pas javësh të gjata prezantimi, u zhvillua nata finale e edicionit të shtatë të Festivalit “Top Fest”. Një mbrëmje maratonë, gjatë së cilës u ndanë dhjetë trofe. Kështu çmimin për interpretuesin më të mirë e meritoi Mariza Ikonomi, grupi më i mirë u shpall “Troja”, këngëtari më i mirë mashkull, Valon Shehu, këngëtarja më e mirë femër, Besa Kokdhima, kënga më e mirë Hip-Hop e R&B, u shpall ajo e kënduar nga Jonida Maliqi dhe Big Basta, kënga më e mirë Pop-Rrok, kënduar nga Kamela, etj. Një çmim i veçantë u nda natën finale, në kujtim të themeluesit të “Top Medias”, Dritan Hoxha, një çmim që e meritoi fituesi i edicionit të parë të këtij festivali, kantautori, Alban Skënderaj. E veçanta e këtij edicioni të shtatë ishte interpretimi “live” i orkestrës dhe i këngëtarëve, çka tregoi se në të vërtetë nuk ishte edhe aq i thjeshtë.
Prej 130 këngëtarëve dhe grupeve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që nisën këtë maratonë, në 4 netët gjysmëfinale, u ngjitën në skenë për publikun dhe teleshikuesit 40 grupe dhe këngëtarë si Eneda Tarifa, Valon Shehu, Besa, grupi “Jericho”, “NRG Band”, Jonida Maliqi& Big Basta, Grupi “Troja”, Gerti Gjoni, Mariza Ikonomi, Karolina Lopez etj., për të shpallur 10 më të mirët në natën finale. Çmimi i madh që e fitoi këngëtarja Eneida Tarifa, u vendos prej një votimi popullor, përmes telefonit dhe votimit të jurisë.

Botohet “Fjala e omerikëve”
“Fjala e omerikëve” titullohet botimi kushtuar piktorit shqiptar Omer Kaleshi. Një përmbledhje shkrimesh e poezish të autorëve të ndryshëm që janë frymëzuar nga vepra e Kaleshit vjen në shqip, i përgatitur nga studiuesi Luan Rama, i cili e konsideron këtë vëllim një antologji poetike. Libri përmban edhe shumë riprodhime të pikturave të Kaleshit, të cilat qëndrojnë krahas shkrimeve që ato kanë frymëzuar. Vetë piktori Omer Kaleshi, i cili jeton në Paris që prej vitit 1965, shprehet i lumtur për botimin në shqip të një libri të tillë, i cili do të shohë dritën e botimit edhe në Francë e Turqi.

Tasho fotografon shqiptarët e Amerikës
Fotografi Roland Tasho ka promovuar në Tiranë, një eskpozitë të re fotografike, kushtuar emigracionit shqiptar në Amerikë. Ai vetë, ka përshkruar mijëra kilometra në kërkim të personazheve të njohura të vendit të tij, që kanë ndërtuar një jetë tjetër në kontinentin e mundësive të barabarta. Në objektivin e tij kanë kaluar arkitektë, mjekë, pedagogë, inxhinierë, ekonomistë, artistë dhe shumë të tjerë në pozicione kyçe falë hapësirës që të krijon jeta në Amerikë. Kjo ndihet dhe në punën e Tashos, që këta shqiptarë i ka treguar me shumë dashuri, duke rrëfyer që qytetërimi shqiptar është pjesë e denjë e Civilizimit bashkëkohor.

Nobelisti në Tiranë
Ashtu siç pritej, nobelisti Orhan Pamuk prezantoi vetë në Tiranë përkthimin e librit të tij “Stambolli”. Shkrimtari turk që fitoi çmimin “Nobel” në vitin 2006, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të larta të vendit, të jetës akademike, studentë, shkrimtarë e artistë. “Stambolli” është një libër autobiografik, ku autori rrëfen për fëmijërinë dhe rininë e tij në Stamboll. Një kapitull i veçantë për dashurinë e tij të hershme me një vajzë shqiptare, ishte një arsye më tepër, që autori të ishte i pranishëm gjatë prezantimit të këtij libri në gjuhën shqipe. Botimi i librit në shqip u bë i mundur nga Shtëpia Botuese “Scanderbeg”.

Koncert homazh per Modugno-n
Nostalgjikët e muzikës italaine, kanë pasur rast të ndjekin një koncert homazh në nderim të këngëtarit italian Domenico Modugno. Solistët Mario Rosini, Luciana Negroponte dhe Patrizia Lomuscio, nën drejtimin e Vito Andrea Morra-s, sollën për publikun këngët më të bukura të Modugnos, i cili ka lënë vulën e vet në kulturën italiane dhe jo vetëm, si këngëtar, kompozitor, aktor, por edhe si politikan. Kënga e tij më e njohur edhe për publikun shqiptar është “Nel blu dipinto di blu”, ndonëse ka shkruar edhe shumë këngë të tjera, madje ka interpretuar edhe në plot 44 filma.

“Jashtë bie borë” në teatrin e Metropolit
Teatri i Metropolit ka shfaqur në sallën “Çehov” komedinë “Jashtë bie borë” të dramaturgut italian Vicenzo Salemme. Regjisore e pjesës është Najada Elmazi, skenograf Beqo Nanaj, kurse kostumet janë përgatitur nga Realda Malo. Interpretojnë Gentian Zenelaj, Ervin Bejleri, Albana Musa dhe Ledion Zoi. Kjo komedi tregon historinë e tre vëllezërve, të cilët i ribashkon testamenti pas vdekjes së nënës së tyre. Cico është vëllai i vogël i sëmurë, por i zgjuar, Enzo, një kompozitor në depresion, që është larguar i ri nga shtëpia, dhe Stefani, djali më punëtor, që i ka qëndruar nënës gjithnjë pranë. Po edhe Stefani ka rënë në depression për shkak të së fejuarës, me të cilën duhet të martohet shumë shpejt.

Parada e makinave të vjetra, mbledh kureshtarët
45 makinat klasike me pilotë nga i gjithë rajoni, Greqia, Italia, Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi, Turqia dhe Shqipëria kanë nisur udhëtimin e tyre nëpër Shqipëri. Kjo ishte gara e parë e makinave klasike në vendin tone dhe të gjitha makinat pjesëmarrëse në aktivitetin “Adriatik & Jonian Klasik Rrelli”. Makinat , ishin prodhuar nga fillimshekulli i kaluar, deri në vitin kufi 1981. Mbërritja e makinave edhe në kryeqytetin shqiptar është mirëpritur nga të apasionuarit pas prodhimeve të vjetra, ndërkohë që ky aktivitet automobilistik synonte në krijimin dhe forcimin e lidhjeve mes popujve dhe kulturave të ndryshme, si promovimin e turizmit të qyteteve bregdetare dhe historike.

Trupa gjermane, teatër për shqiptarët
Aktorë ndërkombëtarë kanë ngjitu në skenën e sallës së madhe të Akademisë së Arteve për të luajtur pjesën teatrale “Woyzeck” të shkrimtarit gjerman Georg Büchner. Ngjarjet e pjesës teatrale “Woyzeck”, në origjinal zhvillohen në gjysmën e parë të shekullit të 19-të në Gjermani. Por regjisori gjerman Stefan Neugebauer, në inskenimin e tij në Tiranë i zhvendos këto ngjarje në Shqipërinë e sotme. Personazhi kryesor, Woyzeck, në inskenimin e përshtatur, është një i ri shqiptar, një mjeshtër i mbijetesës, i cili mban veten dhe familjen e tij duke bërë punë të ndryshme në një kazermë. Por bota e tij shkatërrohet kur ai gjen Marien, gruan e tij, në dhomën e gjumit me dikë tjetër. Humbet kontrollin dhe vret të shoqen. Pjesa është interpretuar në gjuhë të huaj, por shoqërohej me titra në shqip.