Adelajda, Bjordi, Bertina dhe Erjoni…

Speciale: Big Brother  ndër vite

Personazhet më të famshëm në katër edicionet e këtij reality show vijnë në këtë rubrikë duke na treguar veten e tyre. Çfarë janë duke bërë aktualisht? Ku punojnë? Çfarë kujtimesh kanë nga eksperienca e tyre televizive dhe çfarë këshillash u japin të rinjve që duan të ndjekin ëndrrën e tyre… por dhe si u shkon dashuria

 

Adelajda Xhamani: “Isha zysh tani jam gazetare”

Besonte se Big brother do t’i ndryshonte jetën dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Nga mësuese në një fshat të vogël të Kavajës Adela sot punon në një nga redaksitë më prestigjioze të shtypit të shkruar në Tiranë.

Dhe jo pak por gazetare e redaktore. Elokuenca e saj spikati qysh gjatë BB2 ku ajo mori pjesë por aftësinë në të shkruar e kishte pasion dhe e dëshmoi duke shkruar një rubrikë me këshilla në një gazetë të përjavshme.

“Më pëlqen shumë gazetaria,- thotë Adela, si ajo televizive ashtu edhe shtypi i shkruar. Por ndërsa televizioni me jep dhe emocione, të shkruaj më pëlqen më shumë jam më praktike.

E kam pak të lindur, pak nga puna si mësuese dhe të them të drejtën kur më besuan në fillim një rubrikë të përjavshme m’u duk sikur nuk do të isha e aftë ta realizoja çdo javë por e kuptova qe ia dola mbanë dhe tani ndihem shumë mire, sidomos në punën e re që kam nisur”.

Dhe nuk është vetëm shtypi i shkruar. Adela së bashku më Bjordin do të fillojnë edhe këtë sezon të prezantojnë dhe të drejtojnë programin në fan Club “Dancing with the stars” që bëhet në Vizion plus, i cili nis së shpejti.

“Nuk mund ta fsheh që televizioni më pëlqen dhe në këtë format tashmë u bë edicioni i tretë e si të thuash ndihem shumë më mirë se eksperienca ka rëndësinë e saj.Përveç kësaj formati i fan Clubit të krijon kontakte dhe njohje të reja.

Për më tepër që aty kërkon të japësh emocionet e konkurrentëve si dhe vështirësitë apo përshtypjet e tyre për kërcimin. Më kujton shpesh Big Brotherin dhe kjo më bën shpesh të qesh me veten”.

E kujton me nostalgji atë pjesë kur gjithë Shqipëria ndiqte me emocion historinë e saj familjare personale por edhe raportin e dashurisë që lindi aty brenda me djalin nga Durrësi që ishte rritur në Itali.

Shumë u përlotën, shumë ishin skeptikë që kjo lidhje do të funksiononte sepse dukej sikur po bashkoheshin dy botë të ndryshme që nuk kishin asnjë lidhje me njëra tjetrën. Por ja që sot ata vazhdojnë të jetojnë ende bashkë.

“Nuk e kam patur shumë të lehtë për punë. Por mund të them se kam qenë me fat. Të jetosh në Tiranë ka një kosto dhe puna është e domosdoshme. Jam shumë e kënaqur nga puna që bëj”.

Tani Big Brotherin e ndjek sepse i duhet edhe për shkrimet në gazetë dhe një nga rubrikat që Adela do të mbulojë është ajo e banorëve të shtëpisë. Të jetës së tyre në shtëpinë e famshme por edhe të jetës që kanë patur përpara, të familjarëve etj.

E të mendosh që Adela ishte ajo banore e një reality që u shkruajt më

tepër edhe pa dalë nga “shtëpia”. Faqe të tëra mbushën shtypin mbi jetën e saj përpara, mbi familjarët e saj etj etj. Ndaj është interesante ta pyesësh Adelën sesi do të jetë ajo në rreshtat e gazetës për “viktimat” e radhës.

“Do jem shumë realiste sepse e kam kaluar vetë mbi kurrizin tim dhe e di se çfarë do të thotë të lexosh nga gazetat gjëra të pavërteta. Unë jam lënduar shumë dhe atëherë dhe e kam ndjerë që media abuzoi shumë me mua, ndaj dhe jam e sigurt që nga ana ime do të përpiqem të mos lëndoj.

Por mos të harrojmë që puna është punë”- thotë Adela duke qeshur. Me Kavajën i ka ndërprerë krejtësisht lidhjet që kur prindërit e saj dhe vëllai I vogël janë transferuar të jetojnë në Itali në një vend afër lokalitetit ku banonte Bjordi.

E duket se janë sistemuar e ndjerë mirë atje sepse nuk mendojnë për kthimin aq më tepër që vëllai tashmë po ndjek shkollën e mesme.

“E kam menduar shpesh të shkoj te shkolla ku kam dhënë mësim edhe pse tashmë nxënësit nuk janë më ata që kam patur unë se u bënë disa vjet por më merr malli për koleget me të cilat ende ruaj kontaktet.

 

 

Bjordi: “Tani mund të quhem aktor”

Bjordi  sapo ka përfunduar së xhiruari një film në Itali për të cilin nuk jep shumë detaje derisa të përfundojë montazhi dhe filmi të dale në dritë.

“E kam patur gjithnjë dëshirë të bëhem aktor dhe duke intepretuar në këtë film mendoj se realizova një dëshirën time të kahershme.

Nuk e di si kam interpretuar, thotë Bjordi kur e pyesim por të shohim sesi do pritet kur të dalë e si do të reagojë publiku. E natyrisht nuk është se që\ me rolin e parë do të marr çmimin Oscar”,- përfundon duke qeshur.

Ai momentalisht është në Itali për pak kohë sa të fillojnë përgatitjet për programin Fan Club në Vizion plus, ku ai është bashkë moderator me Adelën. “Aty i kemi gjërat e ndara, tregon ai.

Adela interviston meshkujt e unë femrat. Të dy ndihemi më rehat kështu e nuk fillojmë të “zihemi” se cilin do të intervistojë kush, si bëjmë në shtëpi për të bërë punët”.

Edhe Bjordi kërkon një punë që mos të jetë sezonale dhe të gjejë një siguri të vazhdueshme. Qysh prej daljes nga BB2 ai është shkëputur nga e ëma e vet e ka jetuar me Adelën.

Ndërkohë që zonja Antoneta, të cilën e mbaj mend si një personazh gjatë netëve të spektaklit jeton midis Italisë dhe Tiranës, ku për disa kohë u mor edhe me njëbiznes restoranti diku nga zona e Saukut.

 

 

 

Bertina Mehmeti: “Të përballosh problemet në çift është e rëndësishme sa dhe vetë ndjenja”

Ajo që do të mbahet mend gjatë pas daljes nga Big Brother 3 do të ishte vajza e bukur me kaçurrelat tipike Bertina Mehmeti.

Me karakter tepër të fortë por dhe me një ëmbëlsi të parezistueshme, kryeneçe por edhe lozonjare, inteligjente por edhe shumë e sinqertë, Bertina ishte vajza që bëri një public të jashtëzakonshëm si rrallë mund të ketë ndodhur për ndonjë personazh të BB.

“Sot vazhdoj të punoj pas dy vitesh në një prej kompanive të mëdha në treg në fushën e Siguracioneve të quajtur “Interalbanian-Viena Ensurance Group”, dhe konkretisht si Menaxhere Marketingu.

Ndonëse nuk është puna e profesionit tim, pasi sikurse dihet prej shumicës unë jam diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës,

në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në një degë të re që ka më pak se 10 vjet që ka hyrë në Shqiperi, konkretisht Inxhinieri Mjedisi”, flet ajo për punën me shumë pasion.

Gjatë këtyre dy viteve Bertina ka marrë mjaftueshëm prej atij vendi dhe mjaft njohuri që më parë ndoshta dhe nuk ia kishte idenë se çfarë mund të ishin. Kur i kujton Big Brother asaj i vijnë në mendje shumë mendime.

“Big Brother është një kujtim më vete për mua, sepse brenda këtij kuptimi kam aq shumë frekuenca momentesh të përjetuara saqë është paksa dhe e vështirë t’i perceptosh përmes fjalëve.

Për mua moment i veçantë ka qenë që prej hyrjes time në atë spektakël, gjatë të cilit përjetova menjëherë emocionet më të forta kur bëhej fjalë për eliminimin e menjëhershëm nga konkurrentët e tjerë dhe televotimin e parë nëse do hyja apo jo,

si dhe deri në fund të aventurës time prej 64 ditësh në atë shtëpi pasi u eleminova”, shprehet ajo. Por nuk do të harronte të shtonte përjetimin e momenteve të bukura dhe të këqija me miqtë më të mirë që bëri nën atë çati,

shoqëri me persona që dashje pa dashje iu bënë si familje apo si shtylla e vetme ku mund të mbeshtetej aty brenda në ato çaste. Po sa ka ndryshuar jeta e Bertinës pas B ?

“Jeta ime nuk mendoj se ka ndryshuar shumë vetëm pse më janë hapur dy dyer më shumë! Ndoshta ajo ç’ka ndryshuar ka qenë vetëm kalimi I emërtimit “person i thjeshtë” në “person publik”, një ndryshim i cili ka si anët pozitive ashtu edhe ato negative.

Pozitivja është në konceptin e mundësive që mund të japë njohja publike. Eshtë më e thjeshtë të arrish një sukses kur je person publik, sesa kur je person i panjohur.

Pastaj ana negative është se asnjëherë nuk mund të jesh i qetë prej paragjykimeve apo thashethemeve, që me të vertetë kërkon durim të madh.

Në tërësi do të thoja se rol të rëndësishëm në arritjet e tua luan vetëm përkushtimi dhe vullneti yt, aftësitë dhe vlerat e tua. Janë vetëm ato që drejtojnë çdo situate që krijohet rreth teje. Banorëve të rinj Bertina do i sugjeronte me shumë ftohtësi duke u bazuar jo vetëm në ndjenjë por dhe logjikë veprimi.

“Sugjerimi im për një banor të ri do ishte të kombinojë me logjikë të fortë çdo lloj situate që mund ti paraqitet, qoftë ajo edhe jo fort e këndshme.

Duhet të kontrollojë mirë egon për të qenë protagonist dhe të përzgjedhë momentin e duhur kur i duhet të jetë I heshtur nën rolin e të paditurit dhe indiferentit.

Ndoshta do ishte qesharake të thoja “Ji vetvetja”, sepse kjo shprehje është kthyer tashmë si një barcaletë sa herë flitet për një reality show. Mendojse duhet të jesh “Vetvetja e transformuar”,  në kuptimin që të jesh ai që je me shtesa të përmirësuara,

me veshje të karakterit, me virtyte dhe pastërti, dhe jo me djallëzi dhe hipokrizi. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të jetë i suksesshëm dhe i dashur nga publiku. Me pak zgjuarsi, kjo gjë arrihet!”, sugjeron Bertina.

Megjithatë ajo për të cilën jemi kurioz të dimë është pse përfundoi lidhja dyvjeçare me Erionin. Bertina ndryshe nga herët e tjera e cila nuk edhe pse ka heshtur deri tashmë, përgjigjet përtej çiltërsisë së ndjenjës.

“Ne krijuam njëlidhje dyvjeçare dhe gjithashtu bashkëjetuam për një periudhë të gjatë. Pikërisht do të thoja se ishte kjo bashkëjetesë, e cila nxorri më në pah disa mospërputhje. Ishte një fazë mosfunksionimi i lidhjes, e cila normalisht çoi në ndarje të mirëkuptueshme nga të dyja anët”.

“Është mëse normale që të kalohet në një ndarje nëse disa element që kanë peshë të madhe në lidhje nuk ndërthuren mirë me njëri-tjetrin. Konkretisht nuk mjafton vetëm ndjenja dhe dashuria për të patur një lidhje të suksesshme.

Mendoj se përballimi si një mendje e vetme i problemeve, vështirësive apo të papriturave që sjell jetesa në një çift, ka po aq peshë sa dhe vete ndjenja”, përfundon këtë rrëfim bukuroshja delvinjote.

 

 

Erjon Zeqiraj: “Angazhimi im aktual në television më argëton”

Gjatë edicionit të pestë ishte Erioni, djali nga Tirana, që si një asnjë edicion tjetër të “Vëllait të Madh” do t’i bënte për vete vajzat e reja që bashkëjetonin me të për të zgjedhur Bertinën, vajzën me të cilën lidhja zgjati për një periudhë afro dy vjeçare.

Për t’u ndarë nga ajo vetëm pak kohë më parë edhe pse motivet nuk janë shumë të qarta prej tij. Nuk është se ka patur një konflikt konkret midis tyre por ka qenë thjesht një mospërputhje karakteresh.

Me temperament të fortë dhe i tepër elokuent, Erioni kishte një eksperincë të shkurtër televizive, të cilën e vazhdon edhe sot duke qenë i pranishëm ne ekranet e shqiptareve çdo mëngjes.

Oraret televizive e kanë detyruar Erionin që të ndryshoje edhe ritmin ditor të jetës së tij, duke ia vështirësuar më tepër daljet natën dhe frekuentimin e shoqërisë. Kjo për faktin se ai drejton një emision mëngjesi dhe për këtë i duhet të bjerë në shtrat herët dhe të zgjohet po ashtu herët.

“Që prej një viti tashmë publiku ka mundësi të më ndjek çdo mëngjes në ekranin e Albanian Screen, në programin e paradites  “Agon”. Roli i moderatorit më ka dhënë kënaqësi dhe angazhimi im aktual në televizion më argëton,

përveçse më jep mundësinë e informimit në kohë reale ndjej edhe kënaqësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me teleshikuesit”. Nga ana tjetër, ai nuk ka hequr dorë edhe nga sporti i volejbollit, të cilin e ka ndjekur me pasion prej vitesh.

“Pasditet e mia i përkushtohen tërësisht stërvitjes, ndërsa fundjavat ndeshjeve të radhës.  Kohën e mbetur ia dedikoj vetes, në një mënyrë apo tjetër”, tregon Erioni.

Kur e pyesim se cili është kujtimi më i bukur që ruan nga eksperienca në Big Brother Albania ai përgjigjet me po atë sens humori që e dalloi edhe gjatë qëndrimit të tij në BB3, nga dita e parë e hyrjes deri në natën finale kur ai ishte shumë afër çmimit final.

“Sa faqe ju lejohet të shkruani? (qesh)  Mund të kujtoj shumë momente të bukura,  ama çasti kur im atë ka ardhur brenda ambienteve të shtëpisë është padyshim më  veçanti. Ishte një surprizë e këndshme.

Nuk i harroj lehtë emocionet që më përshkuan. Në përgjithësi nuk i shpreh hapur ndjesitë e mia, ama kjo nuk do të thotë se përjetojpak, sidomos kur lidhen me njerëzit më të dashur, siç është babai”.

Natyrisht që ka edhe momente të tjera të bukura kaluar me Bertinën, por që nuk shprehet për to. Por sa ka ndryshuar jeta e Erionit pas BB3? “Kaq shumë informacion sa ka qarkulluar për jetën time para dhe pas kësaj eksperience, çdokush mund të dilte në një konkluzion.

Mbetem në televizion,  nuk kam hequr dorë nga pasionet e mia, preferoj të njëjtën rrymë muzikore, bëj tifo për të njëjtat ekipe futbolli, identifikohem me të njëjtat karakteristika në shoqëri. I vetmi ndryshim u ndje në ditët e para të përfundimit të spektaklit.

Më njihnin më shumë njerëz, më përshëndesnin në rrugë, ama kishte dhe nga ata që ndërhynin në jetën time private. (buzëqesh) “Çfarë sugjerimi do t’i jepja një banori të ri? Fillimisht duhet ta njoh një banor të ri dhe të kuptoj qëllimin e tij në lidhje me këtë eksperiencë.

Varet çfarë ai kërkon dhe sa përpiqet për ta arritur synimin e tij.  Përmbledhur në një fjali të vetme: “Hyr në një lojë me bindjen se do të jesh fitues, ama krijo një ide të qartë se çfarë dëshiron të fitosh!” -këshillon Erioni.

“Personalisht kam shijuar maksimalisht çdo ditë. Jam argëtuar dhe nuk jam penduar për asgjë çfarë kam realizuar”. Kur e pyesim pse u nda nga Bertina pas një periudhë kohe relativisht të gjatë, ai hesht dhe nuk ka dëshirë të flasë.

Sepsendjen keqardhje apo sepse do ta harrojë nuk kuptohet në mimikën e tij. Por na thotë një mendim për lidhjet sentimentale të krijuara brenda shtëpisë.

“Përderisa bëhet fjalë për një reality show edhe lidhjet sentimentale janë të vërteta përsa kohë funksionojnë”. “Nuk ka rëndësi nëse ato ndërtohen në kuadër të strategjisë së lojës, apo në bazë të ndjenjave që lindin aty për aty.

Brenda katër mureve, i presionuar nga ambienti I mbyllur kushdo ka nevojë për dikë që e ka më të afërt sesa të tjerët. Dikë të besuar.

Rrjedhimisht krijohen lidhjet, të cilat ashtu sikurse në jetën normale mund të zgjasin dy javë, tre muaj, pesë vite apo përgjithmonë. Pavarësisht përfshirjes së publikut brenda tyre dhe simpative që mund të lindin për personazhet, mbarëvajtja i takon vetëm çiftit.

Janë ata që do të vendosin për të ardhmen, në fund të fundit marrin një vendim lidhur me diçka të rëdësishme që prek jetët e tyre”, përfundon Erioni.

 

Nga: Arjan Konomi

 

 

 

 

 

 

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.