Dramaturgjia shqiptare, një hap përpara për ta shpëtuar

Ç’po ndodh me dramaturgjinë shqiptare sot? Sa e zhvilluar është ajo dhe çfarë ka bërë teatri për ta mbështetur? Në një diskutim të gjerë kanë debatuar në mënyrë konstruktive emra të njohur të artit e kulturës. Çfarë duhet bërë konkretisht dhe cilat janë disa nga problematikat më delikate të dramës sot

Nëqoftëse adhuruesit e Teatrit Kombëtar, të cilët nuk lënë shfaqje teatrore pa ndjekur, me anë të një llogarie të thjeshtë konkludojnë se pjesët e vëna në skenë janë të huaja dhe mendojnë që dramaturgjia shqiptare nuk ekziston, gabojnë. Dramaturgjia shqiptare ka ekzistuar që në fillesat e aktiviteteve të para artistike në Shqipëri. Dramaturgjia shqiptare ka ekzistuar që në kohën kur aktorët amatorë kishin krijuar grupet artistike si “Bogdani” dhe “Rozafa” në kohën e regjimit të Zogut e më pas me krijimin e Teatrit Popullor më 1944, Teatri Kombëtar sot. Por, ajo që i lypet dramaturgjisë shqiptare sot është mbështetja dhe promovimi. Ka qenë një iniciativë e pedagoges së Universitetit të Arteve, Sonila Kapidanit që në bashkëpunim me teatrin e Metropolit i dhanë dritë projektit të titulluar “Dorëshkrime”, i cili ka për qëllim promovimin e dramaturgjisë shqipe.

Projekti “Dorëshkrime”

“Dorëshkrime” është një projekt që sapo e ka nsiur rrugën e tij drejt promovimit të Shqipërisë përmes dramës shqiptare duke e zgjuar këtë të fundit nga ata që e kanë vënë në gjumë duke mos e mbështetur dhe ndihmuar. “Dorëshkrime” ka si qëllim organizimin e mbrëmjeve debat përmes leximit ekspresiv të disa pasazheve të veprave të caktuara nga autorë, dramaturgë shqiptarë, në dialog me instrumentin e pianos. Pas çdo spektakli, të ftuarit debatojnë mbi dramën shqiptare dhe për të zgjidhur ngërçin që ta çojnë atë përpara në nivelin e dramaturgjisë europaine dhe asaj botërore në të ardhmen.

“Qen Biri i Një Qeni”

 “Qen biri i një qeni” është drama e Ferdinand Hysës, e cila hapi siparin e “Dorëshkrime” në sallën Shekspir të teatrit të Metropolit. Çelja e mbrëmjes teatrore e bërë nga ideatorja, Sonila Kapidani nisi me një thënie të Faik Konicës: E pyetën: Faik Bei, përse nuk shkruani? Konica gjegjet: Unë shkruaj, por nuk ka kush më këndon. Regjisorja Kapidani thekson se “gjithë idea erdhi se dramaturgjia shqiptare ekziston, nuk duhet mohuar, por ka nevojë të promovohet. Të gjendet mënyra e duhur për t’u prezantuar, për të bërë të njohur identitetin kombëtar jashtë kufijve, përmes këtij zhanri kaq të rëndësishëm si drama shqipe. Debati pas shfaqjes u fokusua në dy drejtime: Zhvillimet e dramaturgjisë shqipe në këto vite kërkojnë që ne të mos e mohojmë atë. Promovimi i dramaturgjisë shqipe, detyrë e çdo artisti dhe nevojë për prezantimin e identitetit tonë artistik edhe jashtë Shqipërie. Pjesëmarrja në këtë mbrëmje, konsiderohet si një kontribut ndaj së shkuarës sonë të përbashkët dhe në funksion të transmetimit të saj, brezave që do të vijnë.” Në mbrëmjen e parë deputuan; aktori Pjerin Vlashi dhe në piano Milen Nikolla. Pianoja ishte vepruese, konceptuar si dialog i fjalës me muzikën, ku vetë muzika përfaqësonte figurën e munguar femërore në jetën e personazhit. Ishte surprizë sepse pianoja ndërveproi edhe me dialog fjalësh. Kishte interaktivitet me publikun. Kërcenin të dy protagonistët e shfaqjes, i binin të dy pianos.

Pjesa

“Qen i biri një qeni” një monodramë nga Ferdinand Hysa, ka në qendër një njeri, njeriun e çdo kohe që e ka të vështirë të pranojë realitetin. Sidomos një njeri që vuan mbi kurriz plagët e sistemit. Personazhi ka hequr mjaft në jetë dhe ky personazh përfaqëson një njeri të dobët, aluçinant që përpiqet të krijojë një botë të vetën për t’iu arratisur realitetit që e dëshpëron. Në monologun e tij ngërdheshet dëshpërimi për realitetin ku duhet të bujt; sistemi, shoqëria, fenomenet. Ai është i bindur në botën e tij se nuk është më njeri por një qen duke folur me admirim për jetën e tij prej qeni përbuz atë të njerëzve. “Pra ju u mërzitët dhe unë u kënaqa…Unë e di mirë…Ka kohë që unë kënaqem kur mërzit të tjerët…ashtu si të tjerët kënaqen kur mërzitem  unë…Nejse…Nuk do i themi të gjitha menjëherë…ju keni kohë të mërziteni…ndërsa unë kohën për t’u kënaqur nuk e kam të shumtë, prandaj dua ta shfrytëzoj miqtë e mi…Dua të kënaqem me mërzitjen tuaj…Se në fakt kënaqësia me mërzitjen gjithmonë shkojnë bashkë”,- kështu fillon pjesa. Ky është njeriu i sotëm; qen për tjetrin, individualist dhe me një kundërshti të brendshme shpirtërore. Pjesa ka mesazhe, filozofi, gjetje, por jo origjinale. Kjo temë është kapur edhe nga shkrimtarë të tjerë. Nasho Jorgaqi, për shembull, ka një tregim me qentë që ngërdhesh pak a shumë të njëjtën problematikë, por të sjellë ndryshe. Gjithsesi, monodrama të sjellë emocione dhe të bën të reflektosh.

Debati

Debati mes të pranishmëve, regjisorë, dramaturgë, aktorë, pianist, shkrimtarë, gazetarë, artdashës, etj u paraqit si një debat konstruktiv me qëllim që të çonin përpara iniciativën për të promovuar dramën shqipe. Ferdinand Murati, autori i veprës që u vu në skenë atë mbrëmje u shpreh se: “Sot na erdhi një formë e re për t’u falënderuar. Unë e shikoj në dy drejtime: e para; nuk kemi të drejtë ta mohojmë dramën shqipe sepse ajo është dhe ekziston. Mjaft dramaturgë janë duke shkruar dhe janë aktivë dhe e drejta është se kemi për detyrë ta promovojmë që të ecim përpara. Teatri nuk ka kufij, nuk njeh moshë; të rinj apo të vjetër. Por të rinjtë janë ata që duhet të hedhin sytë nga dramaturgjia shqipe. Ajo duhet nxitur”.

Ndërsa për kritikun Josif Papagjoni drama është plakur për të rinjtë. Ai vërejti se të rinjtë nuk merren me dramën shqiptare. “Drama zhvillohet kur teatri ofron. Të bësh një dramë nuk do të thotë vetëm t’a shkruash atë. Ajo ka jetë të dyfishtë; atë letrare dhe skenike. Regjisorët tanë kanë frikë nga drama shqipe. Mungesa e sigurisë i bën të shmangen. Dhe kështu, shumica zgjedhin drama të huaja duke patur paraprakisht gjysmën e suksesit të garantuar. Që të rrojë drama, duhet që të ndryshojnë politikat teatrore. Duhet një atmosferë krijuese që të inspirojë”,-tha Papagjoni. Ndërsa shkrimtari, Bashkim Kozeli vërejti se ka një dramë në dorë të cilën nuk po e përfundon dot.

“Pa një regjisor nuk bëhet asgjë. Pa një bashkëpunim, pa promovime të tilla, nuk i dilet dot mbanë.  Drama është shpirti i kombit. Ku e kemi ne këtë shpirt?” – u shpreh ai. Ndërsa një prej artdashësve theksoi se nuk kultivohet drama tek të rinjtë, ata nuk lexojnë dhe ka një art shqiptar që duhet të bëhet e pamundura që të vazhdojë të jetë. Ndërsa aktori Mirush Kabashi e shikon më të lehtë zgjidhjen e problemit.  “Ju jeni këtu dhe kërkoni një zgjidhje. Pse vazhdoni e kërkoni kur ajo është shumë e thjeshtë? Zgjidhja është thjesht festivali i dramës shiptare. Ai duhet të ekzistojë dhe të zhvillohet. Në mos një herë në vit, një herë në dy vjet duhet të jetë i detyruar. Kjo është një frymëmarrje”,- u shpreh aktori Kabashi.

Kurse politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafai e konsideroi debatin në fjalë një debat serioz dhe të dobishëm për kulturën shqiptare duke theksuar se gjithçka duhet shkruar dhe dhënë me fakte e emra. “Këto nuk janë jashtë politike. Duhen marrë vendime. Duhen bërë biseda të tilla më shumë. Ka nënvlerësime nga ata që shkruajnë. Ata kërkojnë menjëherë spektatorin, por në fakt ai duhet fituar. Ka edhe forma të tjera të teatrit ku mund të përmend teatrin e rrugës, ku ai mund të shikohet, fitohet dhe të ketë dhe spektatorë. Duhet bërë presion, duhet të ankohemi. Politikanët kanë frikë nga gjëra të tilla”,- tha Mustafai. Ndërsa vetë, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami sqaroi se “Teatri Kombëtar ka për detyrë të seleksionojë dramaturgjinë. Aplikimi dhe zgjidhja bëhet gjithmonë nga regjisori.

Ne e promovojmë dramën shqiptare. Ideja e festivalit të dramës është hedhur dhe unë kam kohë që gërthas për të. Por gjithmonë na del mungesa e fondeve si pengesë. Teatri kombëtar duhet të organizojë një vit festivalin e dramës shqiptare dhe një vit të dramës së huaj.” Bardhyl Londo, ngërcin me të cilin përballet drama shqiptare e konsideron si problem të kohës dhe të shoqërisë. “Teatri është i të gjithë shoqërisë.

Teatri duhet të fillojë të përshtatet”, – tha ai. Regjisori Milto Kutali gjatë debatit theksoi se, duhen motivuar regjisorët për vënien mirë të dramaturgjisë shqipe dhe një ndër to është pagesa (gjë që e ka filluar teatri i komedisë ta vërë në jetë, pra regjisorët që vënë vepra shqiptare i paguan më shumë se ata që vënë në skenë verpat e huaja).

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.