Kruja, qyteti që të shpie në një epokë tjetër

Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane

Si shkohet:  Largësia e Tiranës nga Kruja është 37 km. Nëse udhëtoni me mjete publike, furgonat për në Krujë nisen në fund të Rrugës Mine Peza. Rruga për në Krujë kalon nga kryqëzimi i Kamzës, Ura e Tapizës, merr djathtas për në Fushë-Krujë pasi keni lënë autostradën Tiranë-Lezhë dhe pasi jeni futur në zonën e Fushë-Krujës, vazhdoni në dalje drejt lindjes. Pak para se t’i ngjiteni malit, në të djathtë ndodhet qyteti ilir i Albanopolisit.

Pa dyshim mund të quhet aktraksioni më i madh turistik në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për ne. Çdo ditë pret vizitorë të shumtë në numër të cilët shijojnë një rikthim në epokën mesjetare mes mureve të kalasë dhe rrugicave me gurë, pamjen mahnitëse që të shfaqet, muzeumet e historisë dhe traditës. E pa harruar pazarin e famshëm ku asnjë nuk i shpëton tundimit për të blerë sende dhe objekte të vjetra që vetëm aty mund ti gjesh.

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë, bën gjithmonë kohë e bukur.

Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu- i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë.

Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.

Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.

Tek portat e Krujës

Makina medoemos duhet të qëndrojë poshtë, e sido që të përpiqemi t’i afrohemi rrezes së kalasë mbi rrota, nuk shkojmë dot më larg sesa tek parkimi me pagesë tek sheshi i vogël i mbushur me lokale e me lule kacavjerrëse. Kalldrëmin e bukur do ta përshkojmë në këmbë, duke kullotur sytë në tezgat e shumta përgjatë të dy anëve të rrugës, të cilat vazhdojnë nëpër tunel, e dalin në oborrin e jashtëm, ose më mirë të themi në sheshin e mbushur dingas me njerëz, tezga, suvenire, restorante, shkrepje aparatesh, vizitorë që pozojnë pa fund ballë fasadës së Muzeut Historik, e gjithçka tjetër që përbën gjallërinë e nevojshme të një qendre turistike.

Restorante të shumtë kanë mbushur këtë shesh përqark dhe brenda ambienteve të kalasë, e kjo është një gjë e trishtueshme po të mendosh se shumicën e njerëzve mund t’i ketë sjellë këtu kuzhina e mrekullueshme e Lulit, në restorantin e tij “Alba”, apo gatimet me famë të restorant “Bardhit” e kështu me radhë. Por ana e mirë e kësaj dukurie që rëndom po përhapet në sitet kulturore shqiptare është se këto restorante e hotele, përpiqen të mos shkatërrojnë peisazhin ose dukjen e arkitekturës, duke ruajtur shumë prej elementeve të ndërtesave ekzistuese, qeramikë, gur, dru, hekur i rrahur etj. Oborri i “Albës” ku hyjmë të pijmë një kafe, ndërkohë që na pret krahëhapur i zoti i shtëpisë, nuk ka ndonjë ndryshim nga kalldrëmi i jashtëm i sheshit e gjithashtu veshja e mureve me tullë, tavolinat e zbukuruara me mbulesa të punuara me dorë po nga artizanet e Krujës, e ruajnë më së miri dukjen shqiptare.

Të huajt preferojnë gatimet shqiptare si tavë dheu, kabuni, apo mish të pjekur në hell. “Kjo është një gjë që ndodh gjithmonë, -thotë Luli. Të huajt kërkojnë kuzhinë shqiptare dhe më pyesin vazhdimisht për vende ku duan të shkojnë të shohin diçka. Fundja ata për këtë kanë ardhur. Nëse nuk janë pjesë e një grupi, duan që t’i çosh në Sarisalltik, nganjëherë edhe deri në Qafshtamë, ose kërkojnë informacione për Muzeun Etnografik, duan të dinë se çfarë mund të blejnë poshtë tek pazari që të jetë me vlerë”- përfundon ai.

Një shëtitje në Pazarin e Vjetër

 Në fakt, tek shihnim të dy anët e mbushura të Pazarit të Vjetër, plot me objekte të pluhurta, gjyma, xhezve, mullinj kafeje, djepa fëmijësh, tepsi bakri, për të mos folur për monedhat e bizhutë e shumta prej bakri e argjendi, syri na shkonte tek gratë brenda dyqaneve që thurnin në tezgjah qilima, çanta e tapete të vegjël prej leshi dhe tek veshjet e mrekullueshme popullore me motive të panumërta zbukuruar me ar dhe argjend. Është e trishtueshme të mendosh se kinezëritë e shumta që mbushin sot dyqanet e suvenireve nëpër qytetet turistike apo edhe në kryeqytet, mund ta mbysin një ditë edhe Krujën dhe punën e palodhur të këtyre grave që çdo gjë e nxjerrin nga duart e që pashmangshmërisht do të kushtojë shumë më shumë sesa stemat me shqiponjë apo suveniret prej pleksiglasi që dalin në seri prej fabrikave turke apo kineze me simbolet shqiptare përsipër.

Por shëtitja përgjatë Pazarit, na qetëson hëpërhë, teksa shohim produktet që edhe kur janë të reja e nuk vijnë prej shekujve, prodhohen ende në kthinat e këtyre dyqaneve shekullorë që kanë ndërruar vetëm artizanët, njerëz të ulur mbi punën e tyre, duke prodhuar qeleshe, filigran, duke gdhendur dru apo duke thurur çorape.

Muzeu dhe Skënderbeu

Muzeu i Krujës është vazhdimisht plot, jo vetëm me grupe turistësh por edhe me individë, e nganjëherë edhe me nxënës shkollash. Ky qytet, i cili pavarësisht vuajtjeve ambientale, vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje, mund të jetë një nga qytetet turistike më të vizituar në Shqipëri, jo thjesht për faktin se ndodhet pranë kryeqytetit (vetëm 37 km larg), por edhe sepse ka aftësinë të zhvendosë në kohë, e të bën të ndihesh banor i një epoke tjetër.

Duke jetuar në mes të metropolit apo kudo qoftë, nuk mund të lësh pa vizituar një qytet, i cili në një rreze prej pak kilometrash, të bën të jetosh dy periudha të ndryshme kohe, Antikitetin e herët që flet përmes gurëve të mëdhenj të Albanopolisit dhe Mesjetën, e cila për shqiptarët ka falur jo pak lavdi e histori, sidomos në vitet e arta kur jetoi Skënderbeu – Gjergj Kastrioti.

U kthyem te Luli dhe porositëm mish qengji të pjekur në hell, perime zgare, verë të hapur vendi e në fund, Kabuni Kruje, duke i thënë me humor se jo të gjithë shqiptarët vijnë te “Alba” për për një picë në furrë druri, megjithëse nuk ka asgjë të keqe të vish edhe për këtë. Në Krujë mund të vish edhe për të shijuar panoramën mbresëlënëse që shijohet nga veranda e “Albës”, e që shkon deri poshtë në Adriatik, ku në kohë të kthjellët e më një dylbi në dorë, mund të dallosh edhe vijën ndarëse të horizontit, ose diellin e lodhur që zhytet në det për t’u freskuar e për të bërë gjumin e natës.

Traditat dhe kultura krutane

Kruja dallohet dhe për ekzistencën e një pazari karakteristik, me vlera të rralla në Ballkan. Ky pazar kulmin e ka patur në shek. XIX-XX, kur Kruja dallohet si qendër tregtaro-artizanale (në këtë kohë Kruja numëronte rreth 130 dyqane, ndërsa sot gjenden rreth 70 të tillë). Ky pazar dallohej për punimin e bakrit, leshit, argjendari, prodhimin e qelesheve etj.

Zona e Krujës dallohet për zhvillimin e zejeve të ndryshme si punimi i gurit(që duket në ndërtimin e banesave apo kalasë. Punimi dhe gdhendja e drurit që vazhdon  akoma dhe  sot në Krujë (kjo duket në dyert, dritaret, parmakët etj). Punimi i leshit dhe shajakut njihej që kohë më parë (dallohen prodhimi i sixhadeve, qilimave apo dhe qelesheve). Në shek. XIX-XX  kemi dhe përdorimin e pambukut në prodhimin e veshjeve për pajën (prikën) e vajzave. Po kështu mori zhvillim dhe qëndistaria, prodhimi i cohërave, tezgjahu etj.

Folklori,veshjet dhe festat në Krujë

Folklori i zonës së Krujës është shumë i pasur.Veçohen këngët e dasmave.Grupi karakteristik “Pleqtë e Krujës” (themeluar më 1956) vazhdon akoma dhe sot të marrë pjesë në festivalet kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu dhe vallet janë të larmishme si psh. vallet e burrave që kanë karakter heroik dhe  valle grash me natyrë të gëzuar.

Për nga pikëpamja e veshjeve popullore dallojmë disa njësi etnografike.Veshja më e vjetër e burrave është ajo me këmishë të gjatë dhe me dollmë prej shajaku të bardhë. Në shek.XIX  kjo veshje u zëvendësua menga veshja me tirq të bardhë dhe xhokën e zezë. Një veshje e përdorur shumë është ajo e grave qytetare me linjë të gjatë dhe xhybe me gajtan të zi (xhybja e qëndisur me fije ari). Kjo veshje është përdorur  nëpër dasma në shek. XIX. Vendin e kësaj veshjeje do e zënë Dimitet (sidomos në dasma përdoreshin veshjet me dimit mermeri). Dimitet e grave krutane dallohen nga pëlhurat e mëndafshta që përdoren apo dhe për zbukurimin me fije ari apo rruaza të bardha që i bëhej këmishës dhe këmbëve të dimiteve (çitjan-siç thirrej nga gratë krutane).

Një pjesëmarrje të madhe ka në Krujë gjatë kremtimit të festave, sidomos atyre fetare si Kurban Bajrami, Bajrami i madh apo Sulltan Novruzi, kur njerëzit zakonisht zgjedhin si vend pelegrinazhi  teqenë e Sari-Salltikut që gjendet në Malin e Krujës. Origjinale në Krujë është ceremonia e përgatitjes dhe shprazjes së Hashures.

Përveç përgatitjes së Hashures, zona e Krujës dallohet dhe për një kuzhinë të pasur. Mes gjellëve karakteristike dallojmë pulën me harapash, fërgesën e gjizës me tavë dheu, byrekun, trahananë etj.

Periudha e Skënderbeut

Zona e Krujës u përfshi në zotërimet e Kastriotasve pikërisht nga i ati i Skënderbeut , Gjon Kastrioti. Gjergj Kastrioti, (Skënderbeu-emër që e mori në perandorinë Osmane), do rikthehet në Krujë pas betejës së Nishit (Nëntor 1443) dhe pas kuvendit të Lezhës (2 Mars 1444). Kruja do shërbejë sërish si qendër e Arbrit dhe në shek. XV Kruja do jetë në qendrën e vëmendjes së gjithë kombeve europiane që kërcënoheshin nga rreziku osman.

Tri herë e rrethuan osmanët Krujën (1450,1466,1467) me ushtri të mëdha. Në Krujë kanë ardhur dhe dy nga sulltanët më të fuqishëm të perandorisë osmane (sulltan Murati II dhe i biri i tij Mehmeti II), që në v.1453 kishte pushtuar dhe Kostandinopojën). Megjithatë kalaja e Krujës rezistoi dhe ra nën sundimin osman vetëm në v .1478 (10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut). Në shekujt e mëvonshëm do kemi një rënie të rëndësisë së zonës së Krujës, që u pasua dhe me një shpërngulje të madhe të popullsisë. Një farë zhvillimi Kruja do e marrë në shek. XIX-fillim shek.XX, kur do dallohet në fusha të ndryshme si në tregti apo zejtari.

Kalaja e Krujës

Kalaja gjendet në një kodër të gurtë , që mendohet se para tërmetit të v.1617 ka qenë e lidhur me malin e Krujës. Ka një pamje të gjerë që shkon deri në malin e Tomorit (jug), detin  Adriatik (perëndim) dhe deri në Ulqin (veri). Forma e kalasë është eliptike dhe sipërfaqja e saj është 2.25 Ha.Trashësia e mureve shkon nga 0.8 deri 1.5 m. Ndërtimi i kalasë daton në shek.VI-VII, duke u rindërtuar më pas nga bizantinët (shek.XI-XII) dhe osmanët në (shek.XVI-XVII).

Kështjella ka dy hyrje. Hyrja kryesore (nga veriu) është një tunel i gurtë me çati të harkuar dhe me disa bodrume. Ka dhe një hyrje të dytë shumë të vogël (në pjesën perëndimore të kalasë). Brenda territorit të kalasë ka shumë rrënoja dhe pjesë të mbetura të kalasë, ku më të rëndësishmet janë kulla e sahatit,  kisha e Shën Ndreut, xhamia e Fatihut, hamamet (banjot mesjetare), teqeja e Dollmës, banesa mesjetare etj. Në brendësi  të kalasë gjenden dy muze kombëtarë.

Nga: Flora Xhemani

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.