Elsa Lila: “Jeta me Evitën mes Madagaskarit dhe Romës”

Një personazh i jashtëzakonshëm me një rrëfim të jashtëzakonshëm. Emocionet, ëndrrat e dëshirat, frikërat dhe pasiguritë por edhe lumturinë e magjinë që të jep ndjesia e të qenit nënë. Elsa Lila tregon për veten dhe vajzën e saj Evita me një emocion të papërshkrueshëm. Ashtu si vetëm një shpirt i rrallë artisti mund ta bëjë.

 

Ka kaluar më tepër se një vit nga lindja e Evitës. Si ka qenë për ty kjo periudhë?

Kanë kaluar 16 muaj që nga hera e parë që unë kam folur e treguar gjatë për publikun rreth Evitës që atëherë vetëm e imagjinoja. Por kur rikthehem e rilexoj ato çfarë kam shprehur 16 muaj më parë, më duket sikur po lexoj një intervistë të një shekulli më parë… Aq i gjatë dhe i mundimshëm, nën efektin e një kokteili marramendës emocionesh të përditshme ka qenë ky fillim i historisë së dashurisë mes meje dhe Evitës. Ajo erdhi krejt papritur dhe zgjodhi momentin më të mirë të jetës time…duke i dhënë asaj një kuptim dhe perceptim krejt të ri!

Sa të ka ndryshuar si person lindja e vajzës?

Të bëhesh nënë dhe veçanërisht për herë të parë, besoj se është momenti më i rëndësishëm i histories së jetës së një femre…Për mua ka filluar një jetë e dytë, që vazhdon të ketë karakteristikat e asaj të mëparshmes, por ritmet e një foshnjeje. Unë jam dhe kam qenë një njeri aktiv, plot shpirt aventuresk, kurioze dhe shpirt i lirë. Tani të gjitha këto karakteristika jo pak impenjative duhen “përballuar’’ së bashku me Evitën. Në fillim e stresuar nga mungesa e eksperiencës e të rriturit të një fëmije, e të papriturave të njëpasnjëshme që ti has çdo ditë me një foshnje, kisha harruar që ekzistoja!

Ç’të bën ta përballosh?

Një forcë instiktive e çuditshme që të vjen vetvetiu kur bëhesh nënë, më mbante superaktive në çdo orë të natës apo të ditës. Nënat e dine mirë se për çfarë po flas! Kishte filluar aventura dhe sfida më e bukur e jetës time dhe kur koha kalonte, mes panolinave, qumështit, pediatrit, peshores, vaksinave, dhimbjeve të daljes së dhembëve, dyqaneve të rrobave për fëmijë çdo dy muaj, “Pak e nga pak isha transformuar në një nënë eksperte dhe praktike për çdo situatë dhe Evita po transformohej nga dita në ditë në një krijesë të mrekullueshme dhe bashkëjetesa jonë nga një fillim pak kaotik kaloi gradualisht në një simbiozë perfekte, në një dashuri unike ushqimit që të përplaset si breshër në fytyrë sepse nuk i pëlqen etj etj. Unë pak e nga pak isha transformuar në një nënë eksperte dhe praktike për çdo situatë dhe Evita po transformohej nga dita në ditë në një krijesë të mrekullueshme dhe bashkëjetesa jonë nga një fillim pak kaotik kaloi gradualisht në një simbiozë perfekte, në një dashuri unike. Atëherë, pak e nga pak unë u kujtova që ekzistoja!

Cili ka qenë privimi më i madh që të shkakton të qenit nënë?

Kur lindi Evita, bashkë me lindjen e saj, lindën brenda meje një breshëri ndjenjash të koncentruara njëkohësisht: dashuri e një lloji krejt të ri, dhembsuri, frikë, vigjilencë, përkushtim, vetsakrifikim. Ishin ndjenja spontane, jo të imponuara…Duke qenë kështu, unë as që e çova nëpër mend të merrja një babysitter apo ndihmë nga dikush, sepse Evita që nga momenti kur erdhi midis nesh, krijoi një tornado shumë të fuqishëm ndjenjash, që më përpiu të gjithën brenda saj. Iu dedikova asaj kokë e këmbë, si një mision, si një detyrë e shenjtë, si një privilegj i madh. E gjitha kjo, natyrisht, të heq kohë nga koha jote, që nga gjërat më të thjeshta, kohë nga një kafe pasditeje me një mikeshë, kohë nga një relaksim dhjetë minutësh në vendin ku “mbreti shkon në këmbë”, kohë nga gjumi, kohë nga kujdesi për veten, kohë për librat, muzikën, filmat, kinemaja, teatri, opera, koncerte, etj. Por e gjitha kjo është kalimtare. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë Evita bëhet “e pavarur’’, aq më shumë kohë nga koha ime më rikthehet mua.

E tani pas më shumë se një viti?

Tani është shumë më e thjeshtë dhe e bukur se në fillim. Tani Evita ecën mirë, fillon të flasë nga pak duke na bërë ne të mëdhenjve, të mbajmë barkun me dorë. Ha çdo gjë që t’i japësh dhe është mësuar të udhëtojë që e vogël. Kështu që pak e nga pak, po fillojmë tashmë ta ndajmë kohën së bashku si dy mikesha të ngushta dhe unë po rifilloj të gjej kohën dhe energjitë e duhura për t’u rikthyer aktiviteteve të mia. Nga lindja e Evitës ke jetuar edhe vetëm.

Sa e vështirë është të rrisësh një foshnje e vetme aq më tepër që është fëmija i parë?

Një muaj pasi Evita lindi, Alessandro, i cili është një baba shumë i përkushtuar dhe i dashuruar me Evitën, u detyrua më shumë dhembje të na linte e të rikthehej në Madagaskar, vendi ku ai punon dhe jeton. Unë iu dedikova Evitës tërësisht dhe nuk kisha kohë të punoja, të paktën këtë vitin e parë, kështu që njëri nga të dy duhet të punonte. Filloi kështu një odise e gjatë ecejakjesh Afrikë-Romë- Afrikë. Në fillim kur Evita ishte shumë e vogël, Alessandro kthehej gati çdo muaj për të na ndenjur afër ndonëse vetëm për një javë, më pas filluam të udhëtojmë drejt Afrikës unë dhe Evita. Mu desh të përballoja shumë e shumë situata të vështira në periudhat e vetmisë në Romë me një foshnje fare të vogël. Dhe gjërat më të thjeshta të jetës së përditshme bëheshin të vështira nga momenti që nuk kisha asnjë përkrahje. Njeriu i zemrës larg, familja larg dhe prindërit e Alessandros gjithashtu larg Romës, në Milano.

Na trego diçka më tepër?

Sa herë që mundohesha të lahesha zhurma e ujit zgjonte Evitën gjithmonë dhe detyrohesha të dilja e mbuluar nga shkuma për ta qetësuar. Gatuaja dhe haja me Evitën në krahë, duke qenë i vetmi person në shtëpi. Zgjohesha natën gati çdo dy orë për t’i dhënë qumështin tim, kjo zgjati 13 muaj, dhe isha gati të flija edhe në këmbë në çdo moment. Duhet të dilja nga shtëpia çdo ditë, për të bërë pazarin, cigaret, një kafe të shpejtë, zyra, radha etj etj…dhe e gjitha kjo me Evitën dhe karrocën e madhe me vete. Kur kthehesha nga pazari më dukej sikur bëja “cirk’’ nëpër shkallë. Evitën në një krah, në tjetrin nuk e di sesa kile qesesh. Të paktën tani që është rritur pak, shkallët i ngjit vetë! Mund të tregoja pa fund episode e peripeci, por e di që nuk jam as e para as e vetmja dhe as e fundit që i kam kaluar dhe shumë nëna që po lexojnë i kanë provuar të gjitha në kurrizin e tyre. Vetëm tani e kuptoj se sa sakrifica e mund kanë kaluar nëna dhe gjyshet e mia e nënat në përgjithësi.

Ka qenë ashtu siç e kishit menduar të qenit nënë?

Të them të vërtetën e kasha menduar shumë më të thjeshtë se sa është në realitet. Kur më shihnin shtatëzanë, sidomos muajt e fundit, gratë zakonisht më thoshin: e shkreta, u fut halleve edhe kjo e nuk ngurronin të më jepnin këshilla nga më të ndryshmet që mua nga një vesh më hynin, nga tjetri më dilnin. Unë nuk i kuptoja… e prisja me aq lumturi Evitën sa nuk shihja asnjë hall në këtë çështje, por më vonë i kuptova se çfarë donin të thonin. Pata një lindje shumë të vështirë natyrale. Sot duhet specifikuar “lindje natyrale’’ pasi ka metoda të ndryshme për të lehtësuar nënën nga dhimbjet.

Linde në mënyrë natyrale?

Unë vendosa me ndërgjegje të mos ndërhyja në asnjë lloj forme (vetëm në rast nevoje) në atë që natyra e ka krijuar perfekte: lindja. Pas 16 orësh ferri, gjatë të cilave mendova se isha fare afër vdekjes, në datën 8 mars 2011, ora 18.00, lindi parajsa ime…Peshonte 3,3 kg dhe ishte e gjatë 52cm. Ende me kordonin ombelikal të paprerë, ma vendosën mbi krahët e mi. Nuk qau kur lindi, kishte nje pamje shumë paqësore, sytë e hapur blu dhe gati dukej shumë e kënaqur që më në fund do të fillonte aventurën e madhe të Jetës. Papritur i kasha harruar dhimbjet e tmerrshme që si me magji qenë zhdukur dhe tek e shihja ashtu të shëndetshme, të bukur, paqësore në sekondat e para të jetës së saj, lumturia ime ishte e pakrahasueshme. Dhe ja, kështu filloi pak e nga pak jeta jonë sëbashku.

Përveç anës fizike, lindjen si e përjetove psikologjikisht?

Nuk i kisha bërë llogaritë me problemet fizike dhe psikologjike të pas lindjes. Depresioni post partum nuk ngurroi t’ia behte dhe për mua, dhimbjet e ndryshme të trupit, rënia e flokëve, kilet e tepërta. Në pasqyrë shihja një tjetër Elsë, që nuk e njihja.Trupi kishte marrë ngjasa gruaje, larg pamjes adoleshenciale që më ka karakterizuar gjithmonë. Fytyra më ishte rrumbullakosur, gjinjtë gjithashtu të mbushur me qumësht. Barku ende pak i fryrë nga mbas lindja. Në kokën time isha ajo e dikurshmja, por pasqyra protestonte dhe thoshte: jo, jo…ti ke ndryshuar, nuk e shikon? Tani, pas një viti e katër muaj, pasqyra ime më thotë: je bërë kockë e lëkurë, shëndoshu pak! (qesh) Lodhja dhe kënaqësia e 16 muajve të parë me Evitën më sollën përsëri në pamjen time të mëparshme. Sidomos kur Evita filloi të ecte, maratonat e përditshme duke i shkuar nga pas më dobësuan më shumë akoma. Është e vështirë, por tepër, tepër e bukur të bëhesh nënë. Besoj se çdo grua, në momentin që vendos të sjellë në jetë një fëmijë, është dhurata më e bukur që mund t’i bëjë vetes, familjes dhe botës ku jeton.

Si për herë të parë nënë, lexon artikuj apo libra për nënat e reja?

Sigurisht që po…sidomos muajt e parë. Çdo dyshim apo pyetje gjente zgjidhje në internet. Nëpërmjet internetit, me skype, mundesha edhe të lidhesha fare kollaj me atë që unë e quaj Enciklopedinë e gjalle të puerikulturës, gjyshen time Federata e cila ka rritur gjashtë fëmijë duke filluar me babain tim Edmondin e shumë nipër e mbesa. Për çdo pyetje, mjaftonte ta pyesja dhe zgjidhja ishte gati. E lumtur që mund të ndihmonte disi mbesën e saj të parë që rriste stërmbesën e saj të parë që kishte bërë gjysh djalin e saj të parë. Madje,nëpërmjet ekranit të kompjuterit më ka treguar, duke mbajtur një kukull në dorë se si ta laja Evitën herët e para, kur ishte fare foshnjë.

Kur e ke ndjerë veten në një moment të vështirë me Evitën?

Për fat të mirë Evitës i ka hecur shumë mirë shëndeti dhe ka konstrukt shumë të fortë, prandaj nuk kam patur probleme të këtij lloji deri tani. I vetmi moment ku bota m’u shemb dhe sytë m’u errën e trupi me dridhej si nën një elektroshok ka qenë një episod ku Evita shpëtoi mrekullisht. Ishte rreth një muajshe e gjysmë, ora rreth 11 e natës dhe ajo flinte e qetë. Një instikt i çuditshëm më tha: çohu Elsa dhe shko kontrolloje vajzën.

Ç’ndodhi?

Kur iu afrova shtratit të saj, më tmerr zbulova se ajo nuk po merrte frymë dhe kishte marrë një ngjyrë që dua ta harroj! E mora në krahë dhe ndërkohë që bërtisja për ndihmë nëpër shkallët e pallatit e lëvizja fort me gjoksin e saj të vogël mbështetur në pëllëmbën time. Pas disa sekondash të gjata tmerri që mua m’u dukën si orë, ajo papritur qau, u rikthye përsëri… Dhe unë nuk kam fjalë për të përshkruar emocionin e fuqishëm, lotët, trupin që më dridhej deri në palcë dhe fytyrën që kishte marrë ngjyrë blu. Evita qante dhe unë lumturohesha…një engjëll e kishte mbrojtur, ndoshta gjyshja e saj Eva dhe stërgjyshja e saj Dallëndyshja që nuk janë më. Më çuan instiktivisht ta kontrolloja sërish ndonëse pak çaste më parë kisha qenë pranë saj. Pak sekonda më vonë dhe do të kishte qenë tepër vonë. Por nuk dua ta mendoj…

Të flasim për diçka tjetër. Cilat janë ato punë shtëpie që bën me më pak qejf ?

Ashtu si gjithmonë, jam munduar të jem shumë e sinqertë në këtë intervistë dhe po aq e sinqertë do të jetë edhe kjo përgjigje. Mua nuk më pëlqen absolutisht asnjë lloj punë shtëpie. Nuk më japin asnjë lloj kënaqësie. I bëj sepse duhet t’i bëj, është normale të jetosh në një ambient të pastër, por dëshira është zero. Atëherë, me Evitën nëpër këmbë që sillet sa andej këtej e që bën rrëmujë çdo sekondë duke e transformuar shtëpinë në një shesh luftë me lodra e me çfarëdolloj objekti që arrin të kapi e ta hedhë në tokë, me sirtarët që i hap duke nxjerrë rrobat jashtë, apo disqet që i ka pasion t’i marrë nga rafti dhe t’i hedhë zhurmshëm në dysheme, unë vendos një disk muzikor në sfond dhe filloj vallëzimin e eleminimit të rrëmujës. (qesh)

Erdhët në Shqipëri ku sollët Evitën për herë të parë. E prezantuat me gjyshërit dhe familjarët e tjerë?

Ishte një moment tepër emocionues për mua! Po sillja Evitën time, shqiptaren time të vogël për herë të parë në vendin e nënës së saj. Doja t’ia prezantoja kujtdo, edhe maleve edhe detit edhe rrugëve të qytetit tim. Aty ku unë linda dhe u rrita, nga ku u nisa si vajzë, për herë të parë po kthehesha si nënë. Kaluam një javë shumë të bukur. Dashamirësia dhe dashuria e familjes dhe miqve që takova ma mbushën zemrën plot. Gjyshët e mi, Federata, Saliu dhe Shabani që tashmë u bënë stërgjyshër dhe me të cilët unë jam e dashuruar sepse më kanë rritur, kishin ardhur në Itali dhe e kishin parë Evitën që të vogël. Gjithë të tjerët jo! Kështu që vizitat që bëmë qenë të shumta dhe kënaqësia që morëm shumë e madhe…Me zor pres të kthehem së shpejti bashkë me Evitën dhe Alessandron!

Së shpejti do të niseni për në Madagaskar. Ku ndiheni më mirë?

Aktualisht po shkruaj këtë intervistë nga Madagaskari! Kemi ardhur në fillim të korrikut këtu. Jam e ulur në një shezllon përballë detit, me një panoramë marramendëse, me ishujt që notojnë mbi ujin kristal, palmat që më bëjnë hije, diellin që pak e nga pak po zbret dhe qielli që po skuqet për të na ofruar një tjetër perëndim marramendës të denjë për qiejt e Afrikës. Evita po luan tek këmbët e mia në rërën e bardhë, ka gjetur disa guaska dhe yje deti. Alessandro ndërkohë po e fotografon, e ka pasion fotografinë dhe Evita është për të subjekti më i preferuar për t’u fotografuar. Habitet për çdo gjë që sheh, i shkon mbrapa hardhucave të mëdhaja për t’i kapur, i pëlqejnë shumë majmunët e vegjël (Lemuri), që janë banorë tipik të ishullit, çuditet me breshkat e mëdha të ujit që herë pas here dalin të depozitojnë vezët e tyre në rërë, me pemët gjigante dhe Baobabet.

Si e alternoni jetën mes Romës dhe Madagaskarit?

Por për fat të keq jeta nuk është vetëm pushime, kështu që herë pas herë, duhet t’i rikthehemi civilizimit europian dhe rizhytjes në jetën kaotike të qytetit. Kur Evita ishte më e vogël, duke qenë se këtu ka një nivel të ulët shëndetësie dhe struktura spitalore shumë të prapambetura, preferuam që unë dhe Evita të qëndronim në Romë. Nuk i dihej se ç’mund të ndodhte dhe për të qenë më të qetë zgjodhëm të qëndronim në Itali. Tani që është e rritur dhe e fortë, po qëndrojmë më të shumtën e kohës këtu në Madagaskar. Është pa dyshim një vend shumë i shëndetshëm për të rritur një fëmijë.

Alessandro, babai i Evitës  është zhytës profesionist. A keni në plan ta zhysni Evitën apo është ende shpejt?

Evita është një fëmijë që e adhuron ujin. Që e vogël fare nuk ka bërë asnjëherë naze kur e laja, përkundrazi qante kur e nxirrja nga vaska. E njëjta gjë me detin ose pishinën. Po të ishte e mundur, si të gjithë fëmijët, do e kalonte gjithë ditën në ujë. E tillë premton të bëhet një zhytëse e mirë. Natyrisht tani është shumë e vogël, por Alessandro dëshiron që rreth moshes tre vjeç të fillojë t’i mësojë se si të zhytet…le të shohim deri atëherë! Nëse arrin të zhytet edhe Evita, atëherë do të kemi mundësinë që të tre të eksplorojmë botën nënujore dhe çuditë e saj.

A mendon për një fëmijë të dytë?

Tani është shumë shpejt të mendoj për një fëmijë të dytë në të gjitha aspektet, por në të ardhmen pse jo. Nëse zgjedh të vijë midis nesh një tjetër vajzë apo djalë, për mua nuk ka rëndësi gjinia, ne jemi gati ta presim me krahë hapur dhe me dashurinë më të madhe.

U bë disa kohë që je shkëputur nga muzika. Sa të mungon?

Muzika është një element që bashkëjeton me mua në çdo moment të ditës. Në shtëpi, sapo zgjohemi në mëngjes unë dhe Evita, gjëja e parë që bëjmë është të vendosim një disk të denjë për ta nisur bukur ditën. Evita e ndjen shumë, që e vogël. Tani kërcen, kërkon të këndojë me mënyrën e saj sapo dëgjon tinguj muzikor. Luan gjithmonë me kitarrën time akustike deri sa mua nuk më fillon dhimbja e kokës, ka mësuar të ndezë tastierën dhe të vendosi ritmet…dhe pastaj fillon të bëjë një melodi zhurmuese që pas pak zhduket ngaqë unë i heq prizën për pak minuta qetësi. Kam blerë një radio dore të vogël me bateri dhe e kam instaluar tek karroca e Evitës, kështu që kur dalim, e kemi muzikën me vete.

Çfarë po ndodh në aspektin profesional?

Në shtator do të kthehemi në Romë dhe duke qenë se Evita do të fillojë të shkojë në kopsht, unë do të kem kohë të lirë për t’ju dedikuar më shumë muzikës. Siç e thashë pak më parë jemi munduar të përgatisim një terren interesant dhe në shtator do të fillojmë ta mbjellim e ta kultivojmë pak e nga pak me kujdes e kualitet ashtu siç më pëlqen mua. Kam bërë dy bashkëpunime shumë interesante këto kohë të cilat më dhanë sputo dhe horizonte të reja muzikore që do të doja t’i zhvilloja disi. Në mars këndova në Teatro Valle në Romë në një mbrëmje fantastike ku 100 violonçelistë nga e gjithë Italia ishin mbledhur sëbashku për të luajur pjesë të ndryshme. Këndonim unë, Sarah Jane Morris dhe Marco Mengoni. Ndër të tjera, unë këndova edhe këngën “Moj e bukura More’’ e shoqëruar nga tingujt e mrekullueshëm të 100 violonçelave emocionoi të gjithë publikun që kërkoi një bis. Më pas, Giovanni Sollima, një nga violonçelistët më në zë italian në gjithë botën, i cili ishte i pranishëm në mbrëmjen e 100 violonçelave, më propozoi diçka tepër interesante. Ai është një nga profesorët e Akademisë së Santa Cecilias në Rome dhe duhet të organizonte një koncert fund viti të Akademisë me violonçelistët më të mirë të masterklasit të tij. Një nga pjesët që do të luheshin ishte dhe “La Bachiana’’ n.5 e Heitor Villa Lobos, një kompozitor Brazilian kontemporan. Ai e ka shkruar këtë pjesë për soprano dhe violonçel. Sollima më kërkoi që unë ta interpretoja sipas mënyrës time. Donte të krijonte një efekt të ri të pjesës si bashkim i violonçelave dhe një zëri jo klasik. Ishte një nga pjesët më të vështira që kam kënduar ndonjëherë, por edhe një nga momentet profesionale më të rëndësishme, një nga bashkëpunimet artistike më interesante. E gjitha kjo ndodhte në Maj…Evita hipnotizohej nga tingujt e violonçelave gjatë provave, dhe shpresoj edhe nga zëri i mamit (qesh)!

E ndez ndonjë cigare? Në çfarë momenti?

Për fat të keq ky ves që më ka pushtuar nuk do t’ia dijë të më lëshojë…unë pij shumë cigare! Tani që është Evita, nuk mund të pij dot në shtëpi. Por në momentet  kur jemi në ajër të pastër, unë i intoksikoj mushkritë e mia pa kursim. Tani që është ngrohtë, me dritare të hapur, mund ta pij edhe në shtëpi. Kur Evita fle dhe unë më në fund mund të lexoj ndonjë liber apo të shoh ndonjë film interesant, cigaret më shoqërojnë njëra pas tjetrës!

Ndonjë gotë alkool tani që Evita u “rrit’’?

(Ha,ha,ha)…Qesh sepse gotat e para të alkoolit m’i ke qerasur ti Arjan, kur erdha në Tiranë në fund të majit. Deri në fund të prillit vazhdoja t’i jepja qumështin e gjirit Evitës, kështu që nuk kam prekur asnjë gotë që kur isha shtatzënë. Kur erdha në Tiranë, ti më rikujtove kënaqësinë e ndarjes me një shok të një gote kokteili dhe ndjesinë e përhumbjes e relaksimit që të jep! Tani që jam në Madagaskar, më në fund mund ta shoqëroj Alessandron mbas darke me një gotë rum tipik të vendit, vërtet shumë i shijshëm!

Alessandro do të vijë ndonjë ditë në Shqipëri?

Sigurisht që po…është tepër kurioz! Ka dëgjuar e parë aq shumë “Duke qenë se Evita do të fillojë të shkojë në kopsht, unë do të kem kohë të lirë për t’ju dedikuar më shumë muzikës. Jam munduar të përgatis një terren interesant dhe në shtator do të filloj ta mbjell e ta kultivoj pak e nga pak me kujdes e kualitet” nga Shqipëria, ka një shoqe të jetës shqiptare dhe vajzën e tij gjysmë shqiptare. Mbetet vetëm që të vijë, e kushtëzuar kjo nga largësia dhe impenjimet e punës së tij. Ka një dëshirë shumë të madhe të zhytet në bregdetin Jon. Kemi lexuar se ka shumë anije të fundosura, si p.sh “Edda’’ që është e luftës së dytë botërore dhe është e fundosur pak a shumë në Radhimë. I ka shumë pasion reliket dhe është shumë entuziast që të vijë e t’i eksplorojë. Natyrisht ka dëshirë të shohë e të njohë tokën tonë dhe njerëzit e mi!

Cila është gjëja më e bukur e të jetuarit në dy kontinente?

Të ndërrosh ajër dhe vend vazhdimisht. Mua më pëlqen të udhëtojë dhe mundësia që kam të zhvendosem vazhdimisht sa në Europë e sa në Afrikë ma plotëson këtë kënaqesi. Ndonëse, të fluturosh nëntë orë me Evitën nuk është e thjeshtë. Një nga privilegjet më të mëdha që të jep ky dyzim është klima. Ndërkohë që në Europë është dimër, këtu është gjithmonë verë. Prandaj është bukur kur në dhjetor, largohemi nga Italia e ftohtë acar dhe pas nëntë orësh fluturim jemi në një klimë si të ishte gusht. Në shkurt largohemi nga dielli dhe plazhi, dhe gjejmë dëborën në Romë…

Kur do të të shohim sërish në Shqipëri?

Tani që Evita u rrit, do të vij më shpesh në Shqipëri, ashtu siç bëja dikur. Më pëlqen ideja që ajo të rritet pak këtu e pak atje. Të marri esencën dhe kulturën e vendeve ku jeton, të mësojë mirë gjuhën tone dhe pse jo, të marri dhe atë pjesë gjithë kripë të karakterit tonë tipik ballkanas. Dhe për ta mbyllur do të doja t’i uroja pushime të mbara të gjithë shqiptarëve dhe një falenderim special për ata që nuk ndaluan vetëm perciptazi të shihnin fotografitë, por që patën durimin dhe bonsensin të lexonin këtë rrëfim timin!

Një përqafim!

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.