Justin Timberalake, Muzika dhe femrat, dy pasionet e Justin…

Është këngëtari i ëmbël që ka bërë shumë këngë, dhe për fansat ato nuk harrohen lehtë. Justin Timberlake nuk e ka aspak të vështirë të bëjë muzikë. Sepse muzika për të është vetëm pasion. ‘My love’, ‘Cry me a river’, apo ‘Ayo technology’ janë këngët që përcjellin jo vetëm tinguj dhe fjalë, por histori të jetuara vetë nga ai. Cili është këngëtari që vajzat adhurojnë, si u bë ai një yll i muzikës dhe kush është dashuria e tij e vërtetë?

Djali i një menaxheri të muzikës që kish bërë të famshëm bandën e vogël të vajzave me emrin ‘Innosense’, Justin Timberlake, hyn në botën e muzikës vetëm 11 vjeç, ndërsa e ëma e mbështet në programin “Star Search” që ishte vetëm për talentet e reja. Edhe pse nuk fiton Justin nuk dekurajohet, sepse pasioni i tij kultivohej mbi ambicie të forta që e çuan drejt suksesit të sigurt. Që atëherë ai filloi të këndojë në koncerte dhe festa të organizuara kudo, në shkollë, konkurse, talente show ku talenti i tij do të spikaste. Kështu për herë të parë e shohim të interpretojë përkrah grupit ‘NSync’ me këngët e bukura pop, duke u bërë një nga grupet më të njohura në botë bashkë me ‘Backstreetboys’. ‘NSync’ arriti të shesë mbi 56 milion kopje të albumeve. Justin ka marrë shumë çmime për këngët e tij, të cilat i ka kompozuar vetë. Prej tyre gjashtë kanë qenë Grammy Awards.
Ndërkohë këngëtari është marrë edhe me produksione me të cilat ka krijuar fondacionin ‘Justin Timberlake’ që mbështet edukimin muzikor nëpër shkolla. Filantropik dhe i obsesionuar nga muzika e vitit 2006, ai publikon albumin e tij të dytë “Future Sex/Love Sounds” që vjen në bashkëpunim edhe me këngëtarë të tjerë si Rick Rubin, Timbaland, Will.I.am.
Vendosmëria, talenti i lindur, ambicia janë elementët që kanë lejuar Justin Timberlake të futet në Olimpin e muzikës duke u vlerësuar nga mijëra fansa.

Justin dhe femrat
Shumë kanë qenë femrat të cilat e kanë shoqëruar dhe e kanë mbështetur teksa është shndërruar në princin e popit. Britney, Cameron, Jessica. Këto janë pikërisht eks kandidatet të cilat nuk i kujtojmë vetëm për bukurinë e padiskutuar apo për famën në botën e spektaklit, po edhe për faktin se kanë qenë të dashurat historike të Justin Timberlake.
Britney Spears
E para në listë vjen këngëtarja e famshme Brtiney Spears që, ashtu sikurse të gjithë e dimë, ka qenë një nga femrat me të cilat justin ka qenë më i lidhur. Historia e tyre ishte një nga më të gjatat por që përfundoi negativisht. Pavarësisht kësaj, Britney e ka përkufizuar Justin si ‘mashkullin e jetës së saj’. Historia përfundoi keq  si shkak i tradhtisë që erdhi nga ana e këngëtares me koreografin e saj. Justin lëndohet nga kjo histori për të cilën ka bërë dhe një këngë. Kënga që të gjithë e njohim, e cila është dhe ndër më të bukurat, ‘Cry me a river’, tregon në fakt mbi ndjenjat që ka pasur Justin për Britney. Për Justin, Britney ishte thjesht e mrekullueshme.
Cameron Diaz
Fiona, Kimmy, Mary. Në rrugën e aktrimit ajo ka interpretuar personazhe të ndryshme, por jo të gjithë e njohim me emrin Cameron Diaz. Për fat të keq historia e saj me këngëtarin e popit, nuk ka pasur suksesin e filmave. Pas tre vitesh fejesë, shumë pranë altarit, Justin e lë, sepse e sheh shumë obsesive, duke lënë botën me gojë hapur. Të gjithë menduan se do të  martoheshin, në sytë e mijëra fansave, çifti dukej perfekt dhe në harmoni të plotë. Justin i kishte dedikuar edhe një nga sukseset e tij më të mëdha: ‘My love’ . Cameron në një intervistë ka thënë se ishte lënduar nga përfundimi i historisë, sepse edhe një herë tjetër ëndrra për të qenë e lumtur kish marrë fund.
Jessica Biel
Duket tamam se aktorja Jessica Biel ka prekur ‘qiellin e shtatë’ me të dashurin e saj aktual i cili ka shumë mundësi të jetë edhe bashkëshorti i ardhshëm. Të dy janë lidhur prej disa kohësh dhe zërat thonë se Justin kësaj radhe e ka seriozisht. Për të demonstruar dashuritë e tij i ka dhuruar të fejuarës një varëse që ka kushtuar mbi $50000! Sipas disa burimeve Justin i ka blerë një varëse të tillë pas sugjerimit të Madonës. Ajo është një nga miket e tij me të cilën kanë kënduar duetin e ‘4 Minutes’. Kësaj radhe besohet se Justin mund të ketë gjetur shpirtin e tij binjak.

Intervista
Justin pse ke dashur të këndosh vetëm?
Nuk do ishte e drejtë nëse do të shprehesha që e kam bërë për më shumë përfitim. Fakti që kam dashur të këndoj vetëm, edhe pse fillimisht karriera ime nisi me grupin ‘NSync’, ka të bëjë me dëshirat e mia personale. E dua muzikën. Ajo ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Jam rritur duke dëgjuar muzikë të vjetër, atë të viteve 60. Këngëtarët e mi të preferuar kanë qenë Marvin Gaye, Al Green, apo Stevie Wonder.
Fillimisht kam dashur të bëjë një album për vete. Kam dashur ta bëjë që i vogël, në hapat e mi të parë të muzikës. Ka qenë ëndrra ime më e madhe, të cilën e realizova shumë shpjet.
Çdo të thotë të performosh për MTV Awards?
Është ndjesi fantastike. Në fillim ndihesh pak nervoz, por shumë shpjet kupton që ke prekur emocione. Kur ia transmeton edhe publikut aty përjetohet edhe kulmi i performancës.
Çfarë mendon për Michael Jackson? Po nëse iu krahasojnë?
Të flasësh për të është vërtet e vështirë. Muzika e tij, tekstet imazhi çdo gjë që përbënte emrin e tij ishte drithëruese. Besoj e tillë do të mbesë gjithmonë. Në sytë e mi ai do të mbetet një legjendë. Jam rritur duke imituar lëvizjet e Michael. Ne këngëtarët e rinj, unë dhe Britney apo të tjerë jemi frymëzuar duke dëgjuar muzikën e tij. Sinqerisht ai ka qenë një motiv për ne. Një pjesë e suksesit të muzikës sime i dedikohet muzikës së veçantë të idhullit botëror. Përsa i përket krahasimit është shumë i ekzagjeruar. Është e frikshme ideja e të qenurit i krahasuar. Pres dhe kërkoj shumë nga vetja.
Është e vështirë të përballesh me shtypin?
Deri diku po. Por nuk e ka penguar kreativitetin tim. Ndonjëherë të nervozon vërtet, ose ndonjëherë do që jeta jote të jetë vetëm e jotja, askush tjetër të mos spekulojë. Por në të njëjtën kohë, siç e kam thënë dhe në intervista të tjera nuk e lexoj.
Pse e keni ndryshuar stilin e muzikës nga pop në urbane?
Nuk e mendoj kështu. Ka pasur shumë spekulime rreth faktit se kam kaluar nga muzika pop në atë urbane. Unë e shoh ndryshe muzikën pop, dhe asaj i bëhen shumë klasifikime. Nëse do të pyesnit se çfarë është ekzaktësisht muzika pop, unë do të thoja që për momentin nuk ka të tillë. Ajo është transformuar në hip hop. Mendoj se artistët bëjnë albume dhe si fëmijët që dëgjojnë muzikë, çdo frymëzim, apo gjërat që vërtet iu pëlqejnë ndikojnë drejtpërsëdrejti në stilin muzikor.
Vërtet që nuk jam munduar të bëj muzikë urbane. Jam thjesht produkt i frymëzimeve të mia. Dhe të rritesh në një brez ku ke një pafundësi larmie të muzikës për të dëgjuar është më se frymëzuese.

Çfarë mund të thoni në lidhje me Jessica Biel?

Nuk jemi të fejuar, as të martuar por ajo që di të them është se jam shumë por shumë i lumtur. Ajo është një nga aktoret më përfekte që ekziston, jo sepse është e dashura ime por sepse është e mrekullueshme. Ka sy jeshil shumë të bukur, buzë të mëdha e të plota, lëkurë të butë. Me pak fjalë kështu do të përshkruaja femrën time ideale.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.