Efekti i tërmetit në strukturën e dëmeve të tregut të sigurimeve ka kaluar.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për muajin janar dëmet për sigurimet e detyrueshme motorrike janë rikthyer të dominojnë, me rreth 49% të totalit të paguar nga kompanitë e sigurimeve.

Në janarin e vitit të kaluar dëmet nga sigurimet e detyrueshme motorike përbënin vetëm 20% të totalit, ndërsa ato nga sigurimi katastrofave zinin pothuajse 58%. Klasat e tjera të sigurimit me peshë domethënëse në strukturën e dëmeve ishin sigurimi Kasko i automjeteve me 12% dhe sigurimi i shëndetit me 8% të totalit.

Tërmeti i nëntorit 2019 ishte një ngjarje e paprecedent në historinë e shkurtër të tregut shqiptar të sigurimeve dhe për herë të parë ai bëri që dëmet në sigurimin nga forcat e natyrës të zënë peshën kryesore, duke kaluar ato motorike.

Sipas AMF-së, gjatë vitit 2020 siguruesit paguan rreth 2.9 miliardë lekë dëme në këtë kategori, shumë kjo që përbënte pothuajse 42% të dëmeve totale të paguara gjatë vitit 2020. Dëmet nga sigurimet e detyrueshme motorrike në fund të vitit zinin më pak se 40% të totalit.

Por, viti 2021 e ka ndryshuar këtë tablo të përkohshme dhe ka rikthyer sigurimet e detyrueshme motorike si zëri dominues edhe në dëme, përveçse në prime. Shuarja e efektit të tërmetit është ndjerë edhe në vlerën totale të dëmeve të paguara nga kompanitë shqiptare të sigurimeve. Për janarin, kompanitë e sigurimit paguan 541 milionë lekë dëme, 28% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia ishte më e thellë në segmentin e sigurimeve të jo-jetës, me pothuajse 30% më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Shifrat e janarit tregojnë se tregu i sigurimeve vazhdoi të ruajë ritme të ngjashme me vitin e kaluar. Për janarin, numri total i kontratave të sigurimit ishte pothuajse 30% më i ulët krahasuar me janarin e 2020. Edhe për janarin rënia erdhi kryesisht nga produktet e sigurimit të lidhur me lëvizjen ndërkufitare, si sigurimi i aksidenteve në udhëtim, kartoni jeshil apo polica kufitare.

Në vlerë, primet e shkruara bruto u rritën me 9%, kryesisht si efekt i disa sigurimeve me vlerë të madhe në klasën e sigurimit të pronës nga katastrofat. Sigurimet e pronës shënuan rritje të primeve me afërsisht 120% dhe me shumë të ngjarë, kjo rritje ka ardhur nga sigurime të pronës në segmentin e biznesit. Por, e matur si numër kontratash, rritja në këto klasa sigurimi ishte modeste, me rreth 2%. /E.Shehu

Monitor.al