Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “noterizon” pavarësinë e Kosovës.

Nga Ylli Pata

Mbyllet odiseja njëvjeçare e një “lufte” të re në Ballkan, por kësaj herë jo me armë dhe me kosto njerëzore, por vetëm me diplomaci dhe lobim politik.  Një “betejë” që kishte

si qëllim të prishte ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës për ta lënë atë një shtet tejet të brishtë të ngjashëm me precedente të tjerë botërorë, ku Palestina është më dramatikja.  Më në fund këtë “luftë” e ka humbur Serbia e cila mobilizoi një makineri gjigande diplomatike për të lobuar ç’prishjen e pavarësisë.

Vendimi

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, meqë e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e tilla, ka thënë sot kryetari i gjykatës, Hisashi Oëada. Mendimin mbi Kosovën në GJND në Hagë e kanë marrë 15 gjyqtarë, nga të cilët 9 vijnë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vet kryesuesin, japonezin Hisashi Oëada. Dhjetë gjyqtarë të GJND-së kanë vlerësuar se deklarata mbi pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa katër kanë votuar kundër. Oëada ka pohuar se kjo gjykatë ka kompetencën juridike të shpallë mendimin këshillëdhënës, në bazë të kërkesës me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, për atë se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai ka sqaruar pyetjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare se ajo bën pjesë në çështje juridike, është në pajtim me statusin e gjykatës dhe me Kartën e KB-së. Oëada ka theksuar se gjykata ka bërë qartë të ditur se duke shqyrtuar kompetencën juridike, nuk udhëhiqet nga motive politike në çështjet e tilla dhe nuk e merr në konsideratë. Gjykatësi Oëada poashtu ka thënë  se mendimi këshillëdhënës nuk është detyrues për shtetet, të cilave gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara u përgjigjet në pyetjet e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së: “A është deklarata e njëanshme mbi pavarësinë nga ana e institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Kosovë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”. Kjo është hera e parë në historinë e organit më të lartë gjyqësor të KB të deklarohet rreth një përpjekje për ndarje. Çështja e legalitetit të aktit të njëanshëm të institucioneve të qeverisjes në Kosovës para GJND-së është shtruar nga Asambleja e Përgjithshme e KB në tetor të vitit 2008 me iniciativën e Serbisë. Gjatë shqyrtimit gojor që në gjykatën e Hagës ka zgjatur nga 1 dhjetori deri më 11 dhjetor të vitit 2009, 14 shtete, krahas autoriteteve të Prishtinës kanë vlerësuar se deklarata e miratuar më 17 shkurt 2008 ka qenë legale, ndërsa 12 vende të tjera, bashkë me Serbinë, pohuan se me deklaratën u shkel e drejta ndërkombëtare. Hisashi Oëada u zgjodh kryetar i GJND-së në shkurt të vitit të kaluar, dhe përveç tij në përbërje të panelit ishin edhe nënkryetari, Peter Tomka, nga Sllovakia, Abdul Koroma (Sierra Leone), On Shokat al-Kasone (Jordani), Tomas Burgental (SHBA), Bruno Sima (Gjermani), Roni Abraham A(Francë), Keneth Kit (Zelandë e Re), Bernando Sepulveta Amor (Meksikë), Muhamed Benjuna (Marok), Leonit Skonitkov (Rusi), Antonio Agusto Kankado Trindade (Brazil), bdul

Në Kavi Jusuf (Somali), Christopher Grinëood (Britani e Madhe) dhe Shee Xhu Jong (Kinë).

Tirana

Ndërkohë  që vendimi i Hagës është cilësuar si disfatë nga Beogradi, Tirana zyrtare ka bërë të kundërtën duke e konsideruar si fitore të diplomacisë së saj, duke pasur parasysh që kosova ka shfrytëzuar mjaft strukturat e shtetit shqiptar në organizmat ndërkombëtare si selitë e OKB-së, Bashkimit Europian etj. Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, madje e ka konsideruar dhe si një sfidë personale e fituar nga vetë ai përballë homologut të tij serb, Vuk Jeremiç, i cili ka harxhuar energji të mëdha dhe për pprocesin në Hagë. Për një vit rresht diplomacia e Tiranës, bashkë me atë të Prishtinës kanë luftuar fuqimisht por pa bujë duke luftuar që të çbënin atë që Jeremiçi me njerëzit e tij kishin arritur për të ndikuar për vendimin e GJND-së. Më qartëe lufta është zhvilluar në çdo shtet, kudo ku ndodhet një anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka edhe votën në Asamblenë e Përgjithshme. Ndërsa Vuk Jeremiç ka udhëtuar në shumë shtete duke bërë edhe një fushatë të fuqishme propagandistike, e kundërta ka ndodhur me diplomacinë shqiptare, e cila pa zhurmë kryesisht është marrë me shtetet e mëdha që ndikojnë tek një grup i mundshëm vendesh. Siç mësohet, beteja më e ashpër është zhvilluar në territorin e shteteve araba dhe islamike, ku natyrisht e ka fituar Tirana dhe Prishtina të cilat kishin dy pika të fortë mbështetjeje: Turqinë dhe Arabinë Saudite, ndërsa Beogradi është mbështetur tek partneri i rëndësishëm tregtar: Irani. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka përshëndetur homologun kosovar, Fatmir Sejdiu, për vendimin e GJND-së në favor të pavarësisë së Kosovës. “Opinioni është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Topi në një bisedë telefonike me Sejdiun. Edhe kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur publikisht vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Berisha ka deklaruar se gjykata e Hagës faktoi para gjithë planetit se pavarësia e Kosovës ishte më se e drejtë. Gjykata e Hagës, trupi gjykues më i lartë i botës, u faktoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymë të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Është në frymë të plotë me të gjitha rregullat, rezolutat e rregulloret. Ky është një vendim historik, një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë”, është shprehur Berisha. Ai theksoi se vendimi i gjyqtarëve vërtetoi të drejtën e popullit kosovar për pavarësi e vetëvendosje dhe mbylli kapitullin e dhimbjeve dhe vuajtjeve që ka kaluar kombi shqiptar. Kryeministri shqiptar ka theksuar gjithashtu se tani për Kosovën, por edhe për Serbinë hapen perspektiva të reja, të cilat udhëhiqen nga ideali për anëtarësimin në BE. “Dy vende, pavarësisht nga historia e shkuar, tani kanë të përbashkët idealin evropian. Shqipëria është e vendosur të japë gjithë kontributin e saj për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Tiranës dhe Beogradit dhe mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka theksuar Berisha, duke shtuar se vendimi i GJND-së u dha fund planeve për ndarje e shkëmbime territoresh.

Prishtina

Në mënyrë të menjëhershme në kryeqytetin e Kosovës ka nisur festa pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili është realisht i pari verdikt ndërkombëtar shumëpalësh që njeh shtetin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka quajtur 22  korrikun, si ditë të bekuar për Republikën e Kosovës ”Ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve që ka marrë Kosova. Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës se Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë më të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”. Sipas Sejdiut, “Mendimi i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të bazuara që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj, nga gjithë bota demokratike”, tha presidenti Sejdiu në një konferencë për gazetarë, pak pas përfundimit të seancës së GJND-së. President ii Kosovës theksoi se mendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, duke u bërë thirrje këtyre vendeve që ta marrin këtë vendim sa më shpejt. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi deklaroi se pas mendimit të sotëm të GJND-së, askush në botën demokratike nuk ka asnjë arsye që ta pengojë hapërimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç është edhe OKB-ja. “Ky është vendim i organit më të lartë të OKB-së dhe unë besoj se me automatizëm edhe Këshilli i Sigurimit, edhe të tjerët, do ta kuptojnë se ky vendim është legal, është legjitim. Unë besoj që tashmë janë hapur rrugët dhe është vetëm çështje kohe dhe procedurale anëtarësimi i Kosovës në OKB, por nuk ka ndonjë pengesë tjetër në hapërimin e Kosovës”, deklaroi Kuçi .Kryediplomati i Kosovës, Skender Hyseni ka deklaruar vetëm disa minuta pas përfundimit të seancës gjyqësore se

Kosova i ka bërë gati 120 letër-kërkesa për 120 shtete të botës për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe vetëm është pritur momenti i shpalljes së vendimit të GJND-së. Tani, kur ky vendim është shpallur në favor të Kosovës, sipas Hysenit, do të fillojnë të dërgohen këto mesazhe të shkruara në drejtim të shteteve të adresuara. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni,  pas kominikimit të opinionit të GJND-së në Hagë, ku mori pjesë si përfaqësues i Kosovës, i ka njoftuar mediat se për diplomacinë kosovare nuk do të ketë fare pushime vjetore pas vendimit të GJND-së. Siç tha ai, edhe ndonjë ambasador, apo përfaqësues i diplomacisë së Kosovës, i cili ka shkuar tashmë në pushime, do të thirret për t’iu kthyer punës. Hyseni paralajmroi një ofensivë diplomatike të Kosovës, të përqëndruar në rend të parë në njohjen nga sa më shumë shtete. Tensioni politik që ka shoqëruar debatin mbi vendimin e GJND-së është shtrirë edhe në terren duke provokuar konflikt në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Ditën e dhënies së vendimit, nga Serbia kanë hyrë në Kosovë  grupe të organizuara që janë të ndaluara, si “Obraz”, “Car Lazar” etj. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i kanë shtuar praninë e tyre në veri të Mitrovicës, duke blinduar qytetin, ndërsa tërë kohën në ajër kanë fluturuar helikopterët. Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, serbët kanë mbajtur një tubim protestues kundër vendimit të GJND në qendër të pjesë veriore të Mitrovicës, tubim ky që ka zgjatur shumë shkurt. Rreth 700 të tubuarve në këtë protestë i është drejtuar kryeshefi serb i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç. Pas fjalimit të shkurtër, ai ka kërkuar që të tubuarit të shpërndahet të qetë, ndërsa nuk ka bërë komente rreth vendimit të GJND-së.

Beogradi

Krerët e Serbisë kishin kohë që e propogandonin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke harxhuar të gjitha energjitë e diplomacisë së saj. Por pas dhënies së vendimit që betonon pavarësinë e Kosovës, Beogradi sërish nuk e ka cilësuar humbje duke bërë të ditur se do të vazhdojë të luftojë me mjete politike. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç deklaroi pak kohë pas vendimit se ai është “i rëndë për Serbinë”, por që vendi i tij do të vazhdojë që ekskluzivisht me mjete politike të mbrojë integritetin e saj territorial.

“Është e qartë se gjykata nuk është përcaktuar për të drejtën në shkëputje, por ka vendosur të trajtojë ekskluzivisht për përmbajtjen teknike të deklaratës së pavarësisë. . Gjykata ka shmangur të japë mendimin për çështjen thelbësore dhe ka vendosur që për të gjitha implikimet politike të debatohet në organin më të lartë të OKB-se”, u tha Tadiçi.

Tadiçi, ndërkaq ka paralajmëruar se të gjitha organet shtetërore do të analizojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kurse gjatë këtij vikendi emisarët e tij do të shpërndajnë mesazhin personal të tij për shefat e 55 vendeve në botë. Pas shpalljes më 22 korrik të mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës se shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, nuk ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të OKB-së dhe as rendin juridik ndërkombëtar në Kosovë, ndër të parët që reagoi, vetëkuptohet, ishte ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, i cili u përpoq ta devijonte thelbin e rëndësishëm të mendimit të lartpërmendur, duke e kritikuar GJND-në se kjo Gjykatë iu shmang shprehjes së mendimit për “çështjen thelbësore”, nëse shqiptarët e Kosovës kishin të drejtë “në përpjekjen e tyre për shkëputjen nga Serbia”. Sikurse bën të ditur media serbe, shefi i diplomacisë serbe deklaroi sot para gazetarëve, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së në Pallatin e Paqes në Hagë, se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që të shprehej vetëm në kuptimin teknik për shpalljen e pavarësisë nga ana shqiptarëve kosovarë dhe, në këtë mënyrë, praktikisht iu shmang shprehjes së mendimit për çështjen thelbësore nëse ata kishin të drejtën në përpjekjen secesioniste nga Serbia”. Ai vuri në dukje se hapi tjetër është diskutimi i mendimit konsultativ të GJND-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që e kishte kërkuar këtë mendim dhe cila në muajin shtator do të dalë me një konkluzion politik për këtë çështje. “Kam bindjen se gjatë diskutimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për mendimin e GJND-së do të konfirmohet drejtësia e politikës së Serbisë. Politika e saj nuk do të ndryshojë dhe ajo do të mbesë një politikë paqedashëse që mbështetet mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare. Sot në Gjykatë nuk dëgjuam asgjë lidhur me atë nëse dikush ka të drejtë shkëputjeje në një mënyrë të njëanshme. Ky debat është politik dhe duhet të zhvillohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, theksoi ai Nga ana tjetër më i ashpër ka qenë reagimi i kreut të Kishës Ortodokse serbe. “Në kohën kur krenohemi me drejtësinë dhe demokracinë, neve na marrin atë që është më e shenjtë, Kosovën e Metohinë, deklaroi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriku Irinej, pas vendimit të GJND-së në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Tërë shpresa që e kemi pasur dhe që ende e kemi në njerëz është e vogël dhe e pamjaftueshme”, tha patriarku pas lutjes që kishte për “zgjidhjen e volitshme të statusit të Kosovës e Metohisë” në kishën Shën Sava në Vraçar të Beogradit.

Fuqitë e mëdha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “kënduar” fitore më shumë se të gjithë nga pestë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi siç deklaroi Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, “vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare ishte në përputhje të plotë me linjën e Uashingtonit. Ndërkaq, Brukseli me anë të një qëndrimi më diplomatik ka tentuar të mos flasë për fitore e humbje por vetëm për shanse të njëjta. Bashkimi Evropian është i gatshëm për ta ndihmuar Serbinë dhe Kosovën për dialog, për t’i shtuar gjasat e tyre për anëtarësim në BE, tha shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se Bashkimi Evropian e përshëndet vendimin jo obligues të GJND-së, sipas të cilit pavarësia e Kosovës nga Serbia, në vitin 2008, nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “BE-ja është e gatshme ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Ashton dhe shtoi se “ky dialog do të promovonte bashkëpunim, do të arrinte progres në rrugën evropiane dhe do ta përmirësonte jetën e njerëzve”.  Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Kee-moon ka tërhequr  vërejtjen kundër çfarëdo hapash “provokues”, pas vendimit të GJND-së se pavarësia e Kosovës ishte legjitime. “Sekretari i përgjithshëm kërkon nga të gjitha palët, t’i shmangen çfarëdo hapave që mund të shihen si provokues dhe që e shkatërrojnë dialogun”, tha Martin Nesirky, zëdhënës i Banit. Sekretari i përgjithshëm do ta dërgojë vendimin e GJND-së për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar mendimin e gjykatës për pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të përcaktojë se si do të veprohet më tutje në këtë çështje. Por kjo procedurë nuk do të ketë implikimëë dhe mund të shtyhet nga vjeshta. Ndërkaq, pozicioni i Rusisë kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. “Pozicioni ynë për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm. Ne mendojmë se zgjidhja e çështjes së Kosovës mund të arrihet vetëm me negociata ndërmjet palëve të interesuara”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Roli

GJND, trupi gjykyes i botës

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që njihet ndryshe dhe si Gjykata Botërore, është një gjykatë e përhershme e OKB-së me seli në Hagë. Ajo e ka filluar punën në vitin 1946, kur zëvendësoi Gjykatën e Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë që kishte funksionuar që nga viti 1922.

Misioni

GJND-ja ka dy funksione: Merr vendime në raste mosmarrëveshjesh, kur një shtet e kërkon një gjë të tillë. Jep opinione kur i kërkohet nga organizma apo agjensi të OKB-së- si është për shembull kërkesa e Ansamblesë së Përgjithshme e vitit 2003 për ligjshmërinë e barrierës që Izraeli ka ndërtuar në Bregun Perëndimor. Gjykata përbëhet nga 15 gjykatës, të kombësive të ndryshme, që zgjidhen për një mandat 9 vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit. Anëtarët e GJND-së nuk përfaqësojnë qeveritë e vendeve nga vijnë, por janë gjykatës të pavarur. Vetëm shtetet e njohura ndërkombëtarisht mund të aplikojnë dhe të paraqiten para Gjykatës, përkatësisht vendet anëtare të OKB-së. Gjykata mund të dëgjojë një çështje para saj, vetëm në rast se shtetet e përfshira në të, e kanë pranuar juridiksionin e saj.

Një çështje nis me paraqitjen dhe shkëmbimin me shkrim të argumenteve nga palët, e pasuar nga disa seanca dëgjimore.

Vendimet

Pas seancave dëgjimore, anëtarët e gjykatës e shqyrtojnë çështjen dhe pastaj gjykata shpall vendimin publikisht. Vendimi është i formës së prerë dhe nuk apelohet. Nëse një nga shtetet e përfshira nuk e zbaton atë, atëherë pala tjetër mund ta çojë çështjen në KS të OKB-së. Kjo, në një farë mënyre, do të thotë se një mosmarrëveshje e caktuar mund të mbetet e pazgjidhur, nëse një nga pesë anëtarët e përhershëm të KS që kanë të drejtën e vetos, vendos që të bllokojë marrjen e masave të mëtejshme. Që nga viti 1946, gjykata ka dhënë të paktën 93 vendime në raste mosmarrëveshjesh që variojnë nga mosmarrëveshjet kufitare dhe sovraniteti territorial, deri tek mospërdorimi i forcës, mosndërhyrja në çështjet e brendshme të shteteve, raste pengmarrjesh, të të drejtës së azilit politik e kombësisë.  Këshillat e gjykatës kanë karakter konsultativ, nuk janë të detyrueshme për palët e përfshira. Që nga formimi Gjykata ka dhënë të paktën 25 këshilla të tilla, në çështje si anëtarësia në OKB dhe reparacionet për lëndimet e marra nga personat që punojnë për OKB-në, deri tek statusi i raportuesve të OKB-së për të drejtat e njeriut apo ligjshmërinë e kërcënimit apo përdorimit të armëve bërthamore.

GJND-ja , pavarësisht nga vendimet e marra, nuk ka arritur që të bëhet organizmi që donin të ngrinin themeluesit e saj në ditët e mbushura me optimizëm të pas Luftës së Dytë Botërore, që ajo të shërbente si një forum për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me natyrë ndërkombëtare.

Kjo ka ndodhur kryesisht ngaqë qeveritë nuk ia kanë lënë në dorë asaj vendim-marrjen në rastet e mosmarrëveshjeve që kanë lidhje me to. Në vitin 1984, Shtetet e Bashkuara braktisën një çështje të shtruar para gjykatës nga qeveria sandiniste e Nikaraguas. Sandinistët ishin ankuar për aktivitetet e rebelëve Kontra që mbështeteshin nga SHBA, por administrata e Reganit u indinjua nga këmbëngulja e gjykatës se kishte juridiskion në këtë rast dhe refuzoi të merrte pjesë në procedimet e mëtejshme të gjykatës. GJND-ja është gjykatë që vlerëson dhe merr vendime në mosmarrëveshjet mes shteteve, por jo individëve. GJND-ja nuk duhet ngatërruar me Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila po ashtu është me seli në Hagë, e cila është formuar për të ndjekur penalisht dhe për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimet më të rënda: krime kundër njerëzimit e krime lufte që mund të jenë kryer në botë.

Gjykatat Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi dhe në Ruandë, gjykojnë rastet e individëve për krime kundër njerëzimit, por vetëm ato të kryera në këto territore për një periudhë të caktuar kohe.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.