Angjela Martini: “Nuk e di çfarë është dashuria”

Quhet Angjela dhe vërtet që ka bukurinë e një ëngjëlli. Vajza 24 vjeçare, në këtë intervistë, e para dhe e vetmja deri në këto momente që ka dhënë për një media shqiptare, tregon të vërtetat e saj. Cila është ajo? Cilat janë këndvështrimet e saj për bukurinë, modelingun dhe dashurinë? Zbulojini të gjitha këto në intervistën e mëposhtme

Nga Gentian Minga

Një trup perfekt, shoqëruar me një vështrim seksi dhe një pamje mesdhetare, që kompletohet me një ecje shumë tunduese. Megjithëse jo fituese, Angjela Martini, vajza që përfaqësoi Shqipërinë në “Miss Universe”, arriti të hyjë në finale si dhe të renditet si një ndër 10 femrat me trupin më të bukur.

Intervista

Ti përfaqësove Shqipërinë në “Miss Universe 2010”, cili është komenti yt?
Jam shumë e lumtur që unë munda të përfaqësoj vendin tim, njerëzit e mi, të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë.
Të kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të merrje pjesë në një konkurs bukurie?
Konkurset e bukurisë dhe modelingu janë dy gjëra krejt të ndryshme. Kur isha e vogël unë kam jetuar në Shkodër që nga mosha gjashtë deri në dhjetë vjeç. Isha kaq e apasionuar pas miss-eve. Gjithmonë merrja pjesë në këto aktivitetet tip “Miss Pallati”, “Miss Klasa” apo “Miss Lagjia” (qesh), dhe gjithmonë i fitoja. Por e gjitha kjo mori fund kur unë u zhvendosa me familjen në Zvicër. Atëherë më lindi një tjetër pasion, ai për modelingun dhe kurrë nuk mendoja se do të merrja pjesë në ndonjë konkurs bukurie deri këtë vit. Megjithatë, menjëherë pas konkursit do t`i rikthehem sërish modelingut.
Je mësuar të arrish suksese jashtë vendit, por çfarë do të thotë të kurorëzohesh miss në vendin tënd?
Është një ndjesi që vështirë ta përshkruash, por më bën të ndihem kaq mirë… Më kujton kohën kur isha e vogël, në njëfarë mënyre. Familja ime është më e lumtur se kurrë për faktin që unë mora pjesë në “Miss Universe Albania”, për të mos folur për arritje si modele. Është diçka shumë e bukur!
Marigona Dragusha shkoi shumë larg vitin e kaluar. E ke takuar atë personalisht?
Po dhe më është bërë shumë qejfi për të. Është një vajzë kaq e ëmbël dhe e këndshme. Të dyja janë shumë të mira, Marigona dhe Hasna. Ato na bënë të gjithëve të ndjehemi krenarë, i dua këto vajza!
Cilat kanë qenë hapat e tua të para në fushën e modës?
Ka qenë shumë e vështirë! Më dukej sikur kisha gurë të mëdhenj përpara, pengesa etj. Ka qenë gati një “mision i pamundur” (qesh)! Megjithatë ka qenë një përvojë që më ka rritur dhe më ka mësuar shumë gjëra, si për veten, ashtu dhe për jetën.
Modelingu është cilësuar si një botë e bukur me shkëlqim, sharm. Kështu është vërtet?
Fillon plot sharm, por në fakt nuk është edhe aq sharm (buzëqesh). Ekzistojnë të dyja anët e medaljes. Është si çdo punë tjetër dhe në ato raste kur ti je bllokuar në ndonjë aeroport të botës për 12 orë rresht, nuk është diçka dhe aq sharmante (qesh).
Je frikësuar ndonjëherë nga anoreksia apo bulimia?
As që bëhet fjalë! Unë jam shqiptare dhe vdes për të ngrënë (qesh). E kam me të vërtetë. Nuk kam menduar qoftë dhe për një sekondë të jetës sime të mbaj ndonjë dietë. Shkoj në palestër, kështu që unë mund të ha ç`të dua. Unë madje po të dua mund të ha dhe akullore për mëngjes (buzëqesh).
Kujt i detyrohesh për trupin tënd të mrekullueshëm?
I detyrohem nënës natyrë shqiptare!
Është më tepër e vështirë apo e bukur të jesh femër e bukur?
Hmmm… Janë të dyja anët e medaljes, mendoj. Por nuk duhet të mbështetesh thjesht dhe vetëm te pamja e jashtme, përndryshe je i humbur. Nëse mendon kështu, atëherë në këtë biznes bën gati valixhet dhe shkon në shtëpi.
Femrat e bukura gjykohen si të përcipta, e ke ndjerë këtë gjë?
Ndonjëherë, po, por menjëherë u tregoj se e kanë shumë gabim. U tregoj se kush jam në të vërtetë!
Kur u transferove në SHBA?
U transferova në New York kur isha 21 vjeç e diçka, duke mbushur 22, domethënë.
Vjen shpesh në Shqipëri?
Kam një hallë në Tiranë si dhe gjyshen, e cila i kalon aty tre muajt e verës. Gjithë të tjerët, janë larguar nga Shqipëria prej kohësh. Vij sa më shpesh të mundem, sepse e adhuroj byrekun me djath (qesh)!
Ke menduar ndonjëherë të kthehesh përfundimisht në Shqipëri?
Unë mendoj vetëm për tani dhe për nesër se çfarë dua dhe pëlqej. Kur të vijë momenti, do të mendoj edhe për të ardhmen.
Si duket New York-u në sytë e tu?
Unë kam dëshiruar të jetoj këtu që kur kam qenë 12 vjeç. E adhuroj këtë qytet që nga momenti i parë që e kam shkelur. Është fantastik, e adhuroj për larminë e kulturave, energjinë e qytetit dhe njerëzit më përcjellin këtë ndjesinë së është normale të ëndërrosh gjëra të mëdha.
A i lehtëson gjërat bukuria për femrat, a e kanë më të lehtë ato të gjejnë dashurinë?
Nuk e besoj! Të gjesh dashurinë është arritja më e madhe në jetën e një njeriu dhe neve ende nuk e dimë se çfarë është dashuria. Ne themi shpesh se e kemi provuar atë, por nga ta dimë se kemi të drejtë kur ne nuk e dimë mirë as se çfarë është kjo ndjenjë? Dashuria është një emocion shumë interesant, humane, shumë natyrale. Kështu që, nuk ka fare të bëjë me bukurinë.
Cili është stilisti më i famshëm për të cilin ti ke punuar?
Kam marrë pjesë në “fashion shows” të Pamela Roland, Rosa Cha., Cia Maritima, Lycra, Badgley Mishka etc.
Cili është projekti yt më i afërt menjëherë pas pjesëmarrjes në “Miss Universe 2010”?
Për momentin mendoj vetëm të shkoj në Vegas dhe të përfaqësohem sa më mirë, pastaj do të mendoj për të tjerët.
Thuhej se do të ishe një nga vajzat në “Top 5”, por nuk ndodhi kështu, në fakt. Të vjen keq për këtë?
Shpresoja të ishte kështu siç thoshin parashikimet (buzëqesh)! Është diçka shumë e bukur të gëzosh mbështetjen e kaq shumë njerëzve.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.