Hueyda: Një fëmijë?! Pse jo…
Ka lënë Parisin për një program për fëmijë, që i jep asaj shumë kënaqësi dhe argëtim. Një moderatore e denjë për yjet e vegjël dhe një mendim i ri i Hueydës… pse jo, për të pasur fëmijë!
Hueyda, si ndihesh me këtë program?
Ndihem shumë mirë, është një eksperiencë e re. Kam ardhur nga Franca posaçërisht për këtë projekt. Mendoj që ka qenë zgjedhja më e bukur që kam bërë. Kisha vendosur të tërhiqesha nga televizioni. Kur më morën në telefon në Paris dhe më thanë të vija e të takoja Alessia-n, kam ardhur vetëm për një javë në Tiranë. Por ka qenë ky takim me Alessia-n që më bëri ta konsideroja këtë bashkëpunim. Nga ana tjetër ndihesha edhe e përkëdhelur, pasi Top Channel është një televizion shumë i shikuar. Pranova pa mëdyshje.
Po me Arjonin si ndihesh?
Ndihem shumë mirë. Arjoni nuk është vetëm partneri im i çdo të premteje, por edhe miku im. Argëtohemi shumë. E kisha parë në Big Brother, ishim takuar rastësisht nga miq të përbashkët, por vetëm kaq. Arjonin nga afër e kam njohur vetëm gjatë punës dhe ndihem shumë e kënaqur.
Me fëmijët, sa je e afeksionuar?
Janë miqtë e mi më të ngushtë. Janë të këndshëm dhe përveç faktit që janë shumë të talentuar, janë edhe tepër argëtues. Kemi ndërtuar një marrëdhënie si të ishim një familje e vërtetë. Të gjithë fëmijët janë të mrekullueshëm. Përshëmbull, një herë për Zgjimin, gjatë spektaklit kam thënë se “do të doja ta adoptoja”, kaq qejf e kam. Jam shumë e bindur se kur të rriten të gjithë këta fëmijë do të jenë shumë të suksesshëm dhe do të më ftojnë ato në emisionet e tyre.
Puna me fëmijët të ka zgjuar dëshirën për fëmijë?
Nëse do të isha e sigurtë se do të kisha një fëmijë kaq të talentuar, do ta bëja sigurisht një fëmijë. Ndoshta, por problemi është se tani dua t’i kushtohem karrierës. Por, gjithsesi kur e mendoj them, “pse jo”.
Hueyda El Saied, 34 vjeç, një artiste e talentuar, po kalon eksperiencën më të bukur televizive të karrierës së saj. Programi “Një këngë për ty”, ka nxjerrë edhe një herë në pah aftësitë e saj.
Artikuj të ngjashëm:
- Balina Bodinaku: “Fluturoj në qiellin e shtatë, por kthehem prap me këmbë në tokë”
- Intervistë me Shota Baraliun
- Aurela Hoxha
- Arjoni: “Endërroj të bëhem show man”
- Alessia G. Vessichio: Shqipëria, si burri i gabuar