Luftar Paja: “Sot humorin e bëjnë politikanët”

Kur mbesa Eni vjen nga Greqia të vizitojë gjyshërit e vet, tashmë në moshë të rritur e surprizuar nga kinematografia e kaluar i thotë me çudi, “Babo, po ne kemi patur filma të mirë dhe aktorë të shkëlqyer!”. “Babo”, kështu e thërrasin Luftar Pajën tre fëmijët Nikoleta, Sokoli e Gazi dhe katër nipërit e tij, të cilët përveç Gazit jetojnë jashtë. Dhe nuk ka si të mos preket nga kjo, kur shikon se të rinjtë e sotëm vazhdojnë t’i shohin filmat e dikurshëm e të njohin kulturën kinematografike të së kaluarës. Një mundësi e dhënë edhe nga mediat shqiptare që tashmë e kanë bërë si modë transmetimin e filmave të së kaluarës. “Është një punë kolosale e bërë nga mijëra njerëz që është fatkeqësi nëse harrohet” thotë Luftari.

Një punë dhe një kohë për të cilën ai nuk e fsheh nostalgjinë e tij. Përkundrazi e kujton me shumë mall dhe në shumë fije ka mbetur i lidhur me të. 37 vjet punë artistike, 350 role, estradë, teatër, kinematografi, 130 premiera artistike. Shifra që flasin jo vetëm për një punë kolosale por edhe një pasion të pashtershëm për skenën, i cili edhe sot nuk i ka rreshtur.

Nostalgjia

Nuk mund të jesh një artist i madh nëse je njeri pa emocione. Dhe Luftar Paja i ka të shumta emocionet kur kujton të kaluarën e tij me pak trishtim por edhe me krenari. I lidhur fort me vendlindjen, ku ka kaluar edhe vitet e para të fëmijërisë së tij, në Gorishovë të Fierit, Luftari e përshkruan atë natyrë me një idilizëm poetik sa magjepsës aq dhe të trishtueshëm kur kujtimet përzihen më varfërinë e madhe që ato zona kanë kaluar. “…do të kisha dëshirë të kthehesha përsëri në vendlindje me zakonin e një njeriu i cili kthehet tek toka e tij dhe ndien erën e ngrohtë të baltës, aromën e luleve të bajameve, zilkat e dhive, bisqet e pranverës, ngjizjen e djathit dhe jargavanët e pemëve. Çdonjëri prej nesh gjen parajsën e shpirtit të vet, aty ku ka rrënjët e jetës së tij…”

Vende me njerëz që dallohen për sensin e tyre të humorit, për batutat dhe anektododat që do të bëheshin burim frymëzimi jo vetëm për aktorin e ri por për një sërë krijuesish e humoristësh të asaj kohe. Një “taban popullor” shumë i pasur mbushur me karakterë dhe personazhe që të treguara gojë më gojë do të bënin që këta njerëz t’i jepnin jetës së tyre një kuptim në varfërinë e madhe dhe realitetin e mbyllur ku jetonin. “Humori popullor është padiskutim një nga elementët bazë të formimit të një aktori. Duhet të gjesh çelësin për të ngjizur muhabetin dhe aty zbulon një përvojë që ka ardhur nga breza dhe tradita”.

Humori

Luftar Paja edhe pse është personifikuar në ato role të gjinisë së humorit e kanë identifikuar atë më shumë me skenën falë mjeshtërisë së pazakontë për interpretimin e kësaj gjinie, që ndoshta është edhe më e veshtirë, sepse rreziku kur je në skenë është më i madh se çdo gjini tjetër. Nëse në një rol dramatik artistik aktori nuk bën që publikë të preket apo të qajë përsëri edhe mund të quhet, por në një rol humori nëse nuk bën që publiku që qeshë quhet dështim. “Zanati i humoristit është shumë i vështirë, kam parasysh se artisti duhet ta jetojë hallin me shumë seriozitet e jo të luajë rezultatin” thotë Luftari. ‘Suksesi arrihet nga puna, nga njohja e jetës…”.  Dhe nis të rrëfejë me kthejlltësinë e kujtesës së njgjarjeve të ndodhura pak kohë më parë sesi për të ta bërë sa më të besueshëm rolin e tij të punojë kohë të gjatë me rolin e tij. Luftari kujton se për të bërë personazhin e Çobo Rrapushit “më është dashur të shkoj dy javë në Smokthinë të VLorës. Aty njoha psikologjinë e labit, pashë si e percillnin fjalën me peshë…ata para se të flasin e partësojnë veten e pastaj i japin drejtim mendimit e bisedës. Ky lloj shqetësimi për ta realizuar këtë gjë lexohet në porteret e tyre, ashtu si dhe veprimet e tyre. Fjala vjen një intelektual nga mënyra sesi e bën cigaren kuptohet që nuk di ta dredhë, ndërsa fshatari i bie kutisë dy herë me pëllëmbë pastaj e hap. Me kutinë në dorë merr fletën, hedh në të duhanin pa e hequr kutinë nga dora.

Për të bërë të folurën e një minoritari për interpretimin e “Masat e Rakos” ka shkuar e ka ndenjur në Dropull të një familje minorotare për të përvetsuar të folurën. “Në Dardhë jam ulur e miqësuar me fshatarët, flisja e bisedoja me ta, përpiqesha t’i imitoja, përfitoja zakonet, mikpritjen. E tëra për të mbushur bagazhin me psikologjinë, sjelljen e lëvizjet e njerëzve”, rrëfen Luftari me një mall ku lexohen edhe nota keqardhjeje.

Aktori sot

Keqardhja është e lidhur me faktin se sot nuk bëhet më një punë e tillë për interpretim. Dhe kjo është më së e kuptueshme po të kemi role që kanë mbi 40 vjet të realizuara dhe çdokush i njeh dhe janë familjarë edhe sot, ndërsa në realizimet artistike të sotme rrallë mbetet në kujtesën kolektive një personazh apo një rol. Kalojnë vitet e krijimtaria zhduket sikur të mos kishte ndodhur ndonjëherë. “Sot punohet shpejt e shpejt. Plan kishim atëherë, duhej të vini katër premiera në vit, por si për të bërë planin punohet sot, thotë ai. Pastaj shfaqjet atëherë zgjasnin shumë e pastaj bëheshin turne nëpër qytete të ndryshme për dy, tre muaj. Punohej shumë dhe sistematikisht. Sot disiplina artistike lë për të dëshiruar. Mungon humori i karaktereve. Nuk bëhet analizë e komedisë apo e veprës që vihet në skenë. As e personazhit. E të vjen keq që ndodh kjo kur sot nuk ka as censurë e temat janë me bollëk. Atëherë ishte shumë delikate zgjedhja e temave dhe pasi kisha kaluar në shumë filtra përsëri nuk dihej sesi do të pritej politikisht, pavarësisht suksesit të madh te publiku”. Nuk është dakord me banalitetet që ndeshen në humorin e sotëm. Sipas tij nuk ka nevojë për censurë për të patur një fjalor korrekt. Dhe këtë formë humori ai e quan të thjeshtë. “Zotësia është të bësh të qeshësh të tjerët duke krijuar situata që duken sa më reale dhe të zakonshme te publiku. Në atë kohë qeshej më shumë e me gjithë shpirt. Sot qeshet më shumë me politikanët. Ata janë aktorë të mirë dhe bëjnë humor të vërtetë”, dhe vë buzën në gaz.

Me Kadri Roshin dhe Violeta Manushin

Nëse e pyet Luftar Pajën se cili nga bashkëpunimet i ka lënë mbresa ai të rendit një pafundësi emrash aktorësh, regjisorësh, amatorësh, njerëzish të thjeshtë por që për Luftarin dhe karrierën e tij janë shumë të rëndësishëm. Duhet të flasësh gjatë që të kuptosh se bashkëpunimi më aktorin Kadri Roshi i ka lënë mbresa të veçanta. Ndoshta se ai vet Kadrun e shihte në fillimet e suksesit të tij si një mit të paarritshëm. “Do ishte filmi “Gjeneral gramafoni” që do më njihte e do më bënte mik për kokë më Kadri Roshin. “Më kujtohet që arrita në shesh xhirimi më vonë se të tjerët dhe nuk kishte vende në hotel për t’u akomoduar. Kadriu kishte një dhomë të veçantë vetëm. Të gjithë u vunë në siklet për të zgjidhur situatën time kur u dëgjua zëri i tij. “Kam unë krevat të lirë. Le të vijë të flejë në dhomën time”. Aty u miqësuam e na shkoi shumë mbarë muhabeti. Pastaj ai u bë dhe kumbari i Gazit. Më kujtohet sesi kur u ktheva pas lindjes së djalit për xhirime në Korçë njeriu i parë që takova ishte pikërisht Kadriu. “Të të rrojë Gazmiri! Ti ke patur sukses të madh këtë vit. Quaje Gazmend, gaz hare.” Dhe kështu ndodhi.

Të njëjtat mbresa ka edhe për Violeta Manushin. “Kam patur fatin të luaj më të një dramë saturë “Fytyra e dytë”, pjesë që e përgatitëm në Fier. Violeta ishte një aktore me kërkesa të mëdha e me disiplinë të hekurt…ka qenë një partnere që të jepte mundësi shumë të mëdha në interpretim e merreshim vesh shumë mirë me njëri tjetrin. Nxorrëm një shfaqje të suksesshme e meritën më të madhe e kishte ajo”. Violeta Manushi do ta zgjidhte Luftarin të interpretonte më të në rolin dhe filmin më të arrirë të saj “Zonja nga Qyteti”, ku Luftari do të interpretonte rolin e postierit, rol që na bën të qeshim edhe sot.

Kinematografia

Luftar Paja do të niste të interpretonte në një sërë filmash kinematografikë, të cilët do t’i jepnin atij një dimension më gjigant si aktor dhe do ta bënim një figurë kombëtare nga më të njohurat për publikun. Kontaktet e para i përkasin vitit 1976 me filmin “Streha e Re”. “Unë aktori i estradës të zgjidhem për kinematografi?! Ishte mendimi i parë që më shkoi ndër mend”, thotë ai. Më pas vijnë “Gunat mbi tela” që flet për Luftën e Vlorës.

Kujton që pas realizimit të filmit i kishte gjetur belaja me vlonjatët. Si bëhej atëherë filmi u diskutua në qendrat e punës, sepse vlonjatët donin të shihnin sesi do të trajtohej skenari. Pasi ishin bërë disa të tilla regjisorit i thuhet se duhej të takohej me një grup vlonjatësh të interesuar për figurat që do të përsonifikoheshin në Luftën e Vlorës. Një grua ngriti zërin dhe tha se burri i saj, Shaqua kishte qenë në luftë dhe nuk e shihte në skenar. Autorët, të zënë ngushtë se nuk dinin se çfarë t’i thoshin, pasi u menduan ca panë nga mua i thanë-Ja ky është Shaqua. “Jo. Jo, u kthye gruaja, Shaqua im ka bust, nuk është i vogël si ky… ka qenë kapedan mbi kapedanët”. Shkoi puna deri aty sa i bëmë një analizë të gjithë personazheve për të gjetur Shaqon e saj”.

Do të interpretonte në filmat “Gjeneral Gramafoni” dhe “Gurët e shtëpisë sime”. Shpreh konsideratë dhe respekt të veçantë për Viktor Gjikën dhe Dhimitër Anagnostin si majat e kinematografisë shqiptare.

Skena apo Filmi

“Skena dallon nga filmi për të vetmen arsye se në teatër një gjë që nuk e bëre sot, do të mobilizohesh ta bësh nesër. Në teatër e korrigjon gabimin. Në kinematografi nuk e korrigjon dot. Pastaj, filmi ka lodhje më të madhe, sidomos në kohën kur e bënim ne. Jetonim në kushte më të vështira”. Luftari thotë se skena e ka bërë të ndihet më mirë. “Mendoj se ndihem më familjar dhe jam më i efektshëm në teatër, në fushën e komedisë”. Karakteristika e tij e veçantë është se ka preferuar skeçin e gjatë, atë të karaktereve. “Jam ndier mirë në humorin e organizuar dhe jo atë të batutës  apo të humorit të çastit”.

Në skenë mund ta bësh personazhin tëndin dhe të bëhesh heroi i idealit, gja që në jetën reale kostumet moderne e kanë eleminuar këtë. Ndërton personazhin në mënyrën më të mirë të mundur duke futur përvojën e të tjerëve, të njerëzve që kanë bërë bujë me jetën e tyre apo sepse janë thjesht të veçantë. Loja që ndërton kthehet në art, në jetë, e përditshme, e ndërkryer. Dhe Luftari bën dallimin e skenës midis komedisë dhe dramës. Për të komedia është një gjini më e vështirë. Në shumë raste aktorët ngrenë në formë të banalizuar rolin në komedi dhe kjo sepse humori është i vështirë të realizohet. Në komedi humorin të qeshurën e krijojnë rrethana të caktuara, situata, ngjarje. Por sa janë në gjendje aktorët t’i mishërojnë ato? Realizimi i kësaj gjendjeje më të gjitha elementët e saj është më i vështirë dhe kjo e bën edhe komedinë të vështirë.

Për Luftarin të jesh aktor do të thotë të zbavitësh të tjerët dhe në të njëjtën kohë të zbavitesh dhe vetë.”…të jepet mundësia për të qenë dikush tjetër e atëherë i futesh lojës e në skenë mund të bëhesh bukurosh, mashtrues, ngadhnjues e të tërheqësh gjithë femrat e botës edhe pse mund të ndodhë që jashtë asnjëra nuk të kërkon t’i fikësh dritat”, rrëfen ai por pa lënë të kuptojë nëse kanë preferuar t’i mbanin dritat ndezur.

Qyteti i Fierit

Luftar Paja shpreh një mall të veçantë për qytetin e Fierit, jo aq se ky qytet e rriti fizikisht por edhe artistikisht. Edhe pse ka vite që nuk jeton atje kthehet shumë shpesh. Para pesë muajsh vuri në skenë komedinë e Bashkim Kozelit “Si rruar qethur”. Gjen një arsye për t’u kthyer shpesh atje. “Bile dhe pensionin e kam lënë që ta marr atje. Kështu kam gjithnjë një sebep për të shkuar”, tregon ai me një shprehje lumturie që i përshkon fytyrën. Dhe është e kuptueshme. Një jetë e tërë në skenën e Teatrit “Bylis” me të cilën ai ka një lidhje të veçantë, të pazgjidhshme dhe të pazëvendësueshme. Aty nisi karrierën e tij si profesionist, aty u bë i njohur në tërë vendin. Skeçet humoristike të Trupës së Estradës janë guri themeltar i një përvoje të gjatë e të pasur.

“Të flasësh për mall është pak, sepse ka qenë skena e “Bylisit” ajo që më futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe dhe u largova prej saj tre herë gjysh. Nuk mjafton një libër i tërë për të shprehur mallin për atë skenë e sidomos për spektatorin artdashës dhe të kulturuar fierak, pa haruar kolegët, të cilët i dua dhe respektoj me gjithë shpirt”, thotë Luftari pa u përpjekur t’i fshehë emocionet që i vijnë nga kujtime, që dhe pse të largëta në kohë mjaft të forta dhe intensive.

Në mënyrë të veçantë ai përmend bashkëpunimin me regjisorin e mirënjohur dhe autorin e dhjetëra pjesëve humoristike Pëllumb Kulla. “Ardhja e tij në Fier ndryshoi rrënjësisht konceptin e disiplinën e punës duke bërë të mundur realizimin e shfaqjeve me nivel artistik si kurrë më parë. Dashamirësia dhe takti që kishte në punë na miqësoi shumë”.

Pëllumb Kulla e krijoi figurën e Çobo Rrapushit duke shfaqur edhe vlera si dramaturg. Personazhi, i bazuar në dy nga veprat e Shefqet Musarajt, do t’i jepte figurës artistike të Luftar Pajës një dimension gjigant në skenë dhe do të shënonte në njëfarë mënyre jo vetëm një hop cilësor në karrierën e aktorit por dhe një pjekuri artistike si dhe nisjen e një dimensioni të ri artistik në jetën e tij. Për këtë qëllim jo vetëm figura e tij është personifikuar me heroin por edhe sot aktori e kujton si një nga rolet më të dashura, më të bukura me të cilën i duket sikur është lidhur në mënyrë të pashmangshme.

Familja dhe Tirana

E ka përjetuar si dhembje faktin që nga ajo skenë e Fierit, me ndryshimet politike të fillimit të viteve ’90 do ta shkëpusnin jo me vullnetin e tij e më keq, duke e lënë të papunë. Braktisje, zhgënjim, fyerje do të provonte nga largimi prej atij vendi që ishte shndërruar në një ikonë të jetës së tij, “më e madhe dhe më e ngrohtë se shtëpia ime” siç e quan vetë ai, ku kishte derdhur pjesën më të bukur të jetës e të vetvetes. Por si ndodh shpesh me njerëzit e veçantë edhe jetët e tyre bëhen të veçanta sepse dinë që në momente dëshpërimi të thellë të rinisin me forcë e energji.

Ardhja e “detyruar” në Tiranë i dha mundësinë të vinte në skenë, kësaj radhe në Teatrin Kombëtar një nga komeditë më të arrira dhe të suksesshme të skenës shqiptare, “8 persona plus”. Në rolin e Çeços, Luftar Paja do të realizonte një numër rekord shfaqjesh, do të merrte pjesë në shumë festivale ndërkombëtare e karriera e tij do të niste një fazë të re.

Nuk harron pa përmendur meritën e Ferdinand Radit, por edhe bashkëpunimin me Roland Trebickën në disa vepra të vëna në skenë, Pavlina Manin, Sulejman Pitarkën, Luiza Xhuvanin etj. Por edhe pse njeriu mund të bëjë shumë gjëra në jetë në profesionin e tij ka diçka që i mbetet peng. Dhe Luftari e ka një peng: një interpretim me aktoren e njohur të humorit Zyliha Milotin. Por kurrë nuk thuhet kurrë.

Artikuj të ngjashëm:


Comments are closed.